Mos kujtoni se Maznikun, nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës e kanë thirrur sot në Prokurori për të hetuar në lidhje me skandalin e një nate fjejtje 900 euro të paguar nga “Fiusha”. Mazniku është thirrur në Prokurori vetëm për procedurë për mbylljen e hetimeve.
Mos prisni drejtësi nga një prokurori e kapur dhe nën tutelën e kreut të qeverisë. Ajo është vetëm pastruese e veprave të korrupsionit dhe krimit të veshur me pushtet, prandaj çdo lajm që jepet si hetim në këtë rast nga Prokuroria është bërë dashje ose pa dashje pjesë e propagandës së qeverisë duke dashur të na mbushin mendjen sikur në këtë vend ka Prokurori.
Pas përpjekjeve të shumta të bashkisë Tiranë, për ta mbyllur çështjen me justifikime çmimesh ndërkombëtare, vetëm pasi skandali pati jehonë te Zëri i Amerikës prokuroria u detyrua që të hapë çështje, për nënkryetarin e bashkisë Arbian Mazniku lidhur me favoret që ka patur, gjatë një udhëtimi në Spanjë nga kompania “Fusha shpk”.
Burime mediatike njoftojnë, se Mazniku do të paraqitet sot në Prokurorinë e Tiranës dhe se do të merret në pyetje në orën 10:00.
Prokuroria ka nisur hetimet në fillim të shtatorit, pas denoncimeve në media si dhe nga Partia Demokratike se “pronari i “Fusha shpk” ka paguar hotelin 908 euro nata në Barcelonë, për Maznikun në konflikt të pastër interesi pasi kjo kompani është përfituesi më i madh i punëve publike në kryeqytet.
“Në media është publikuar një faturë e një hoteli luksoz në Barcelonë, ku nënkryetari i bashkisë Arbian Mazniku është akomoduar për të pushuar në një dhomë për të cilën është paguar 908 euro nata. Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy net në hotel `Alma Barcelona` ka shpenzuar 1816 euro.
Pagesa është bërë Shkëlqim Fusha nëpërmjet kartës së kreditit. Pra, përfituesi më i madh i parave publike nëpërmjet bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Edi Ramës paguan dhomat luksoze të hotelit për zyrtarët e bashkisë të cilët prej 4 vitesh nuk kanë kursyer firmat për tenderat qindra miliona euroshe për të”, denoncoi në atë kohë Partia Demokratike
Vetëm dy ditë pas kësaj Zëri i Amerikës pyeti zëdhënësin e Bashkisë, lidhur me këtë çështje. Nga reagimi, doli qartë se Bashkia e Tiranës, e pranon se kompania Fusha ka mbuluar shpenzimet e Maznikut, dhe të delegacionit që e shoqëronte atë gjatë një aktiviteti në Spanjë, për marrjen e një çmimi.
”Ky çmim i shkoi Arkitektit ‘54N4E’/Kompanisë Zbatuese “Fusha” dhe Kontraktorit – Bashkia Tiranë. Me rastin e marrjes së këtij Çmimi prestigjoz, një grup nga Shqipëria udhëtoi për në Barcelonë për të marrë pjesë në ceremoni dhe për të tërhequr çmimin.
Kompania “Fusha” mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si bashkisë edhe kontraktorit për realizimin”, ka thënë zyra e shtypit për VOA.
Por Zëri i Amerikës ndërkohë ka përmendur edhe një rrethanë specifike se kur ka ndodhur ky udhëtim dhe kjo vizitë në Barcelonë.
Pikërisht, afro një vit më parë, në kulmin e protestës së artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar para parlamentit, ku po miratohej një ligj special bashkë me planet e firmës Fusha për të ndërtuar një seri kullash shumëkatëshe dhe një teatër të ri.
Dhe tamam në këtë kohë, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ka udhëtuar drejt Spanjës në një hotel luksi, ku shpenzimet e fjetjes, së paku 900 euro në natë, i pagoi Shkëlqim Fusha, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave të bashkisë së kryeqytetit.
Partia Demokratike gjithashtu publikoi një dokument që kishte dalë më parë në mediat on line, ku shihet se si nga karta e kreditit e Shkëlqim Fushës janë paguar mbi 1800 euro për nënkryetarin e bashkisë së kryeqytetit Arbjan Mazniku, për dy netë në një hotel luksoz të Barcelonës.