Ish-deputeti Petrit Vasili ka njoftuar sot se një skandal që ka ndodhur në Sistemin Elektroenergjitik shqiptar po mbahet fshehur nga qeveria. Vasili dha alarmin se një autostransformator në Tiranë ka shpërthyer në një kohë kur është një nga nyjet më të rëndësishme të Sistemit. Politikani i ka drejtuar gishtin kryeministrit për fshehjen, që i bën kësaj ngjarjeje, pasi pasojat do të ndihen shumë në dimër.
“Largimi i profesionistëve në sistemin energjitik po sjell katastrofa tepër të rënda për qytetarët dhe për financat e shtetit. Rasti më i fundit pak orë më parë është shpërthimi i autotransformatorit 320 MVA, AT 1 në nenstacionin e OST, Tirana 2. Arsyeja e këtij shpërthimi është se nuk reagon mbrojtja e linjës Tirana 2 – Podgoricë dhe për këtë shkak, tensioni kalon vlerën 445 kV. Në këtë mënyrë Shqipëria humbet një nga nyjet më të rëndësishme të transformimit.
Nyja doli nga puna për shkak të operimit të sistemit në nivele absolutisht të palejuara të tensionit. Kjo ka sjellë për pasojë, dëmtimin e izolacionit dhe ka sjellë rënien në lidhje të shkurtër. Autotransformatori që ka shpërthyer është prodhim italian i kompanise Tamini. Ky nënstacion mjaft i rëndësishëm është ndërtuar në vitin 2011.
Pasoja që bie mbi qytetarët është se gjatë dimrit, ata do të jenë pa drita, pasi instalimi i një nënstacioni të ri kërkon rreth 8 muaj kohë. Problemi po mbahet fshehur nga qeveria. Presim tani të dëgjojmë shpjegimet e çmendura të kryeministrit, por përpara çdo gjeje presim të na shpjegojë se si u larguan profesionistët, duke lënë sistemin në duart e sharlatanëve, pasojat e të cilëve i vuajmë ne të gjithë.