Mbape, 180 milionë

Real Madridi është shumë pranë realizimit të një transferimi historik në botën e futbollit. Prestigjiozja spanjolle “Marca” ka raportuar se klubi i drejtuar nga Florentino Perez ka gjetur në parim akordin me Monakon për transferimin e sulmuesit francez 18-vjeçar, Kilian Mbape. Shifra e marrëveshjes thyen çdo rekord në tregun e transferimeve, teksa bëhet fjalë për një operacion me kosto 180 milionë euro. Sipas raportimeve, kjo shumë përbëhet nga 150 ose 160 milionë që do të paguhen menjëherë dhe pjesa tjetër në varësi të klauzolave në kontratë.
Duke parë se edhe PSG po përflitet gjithnjë e më shumë për një blerje me shifra stratosferike për Nejmarin, rekordi i Mançester Junajtidit me 105 milionë eurot e paguara për Pogbanë në verën e shkuar nuk do të rezistojë gjatë.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka vendosur të shesë sulmuesin francez Karim Benzema, pas tetë viteve të kaluara në “Santiago Bernabeu”. Perez beson se koha e Banzema ka përfunduar dhe më e mira për skuadrën do të ishte që ai të largohet, shkruan “Diario Gol”. Me paratë e Benzemasë, Danilos dhe Alvaro Moratës, Real Madrid do të transferojë sulmuesin e Monakos, Kylian Mbape. Për Benzemanë tashmë interesim kanë shprehur shumë skuadra si Arsenal, PSG dhe Milan.
Reali shfaq interes për Marcus Rashford. Kampionët e Spanjës, pas largimit të Alvaro Moratës po kërkojnë të gjejnë zëvendësuesin e tij. Si alternativë shihet sulmuesi i Man.United, Marcus Rashford. Pavarësisht dëshirës, klubi “Los Blancos” nuk do ta ketë aq të lehtë të arrijë akordin, pasi talenti i “Djajve të Kuq” cilësohet si një garanci më shumë për United në vijën e parë të sulmit.
Monako është momentalisht klubi numër një në botë për sa i përket të ardhurave të arkëtuara nga merkatoja e këtij sezoni. Futbollisti i fundit që u largua ishte mbrojtësi Mendi, i cili kaloi te Mançester Siti për 52 milionë paund, duke u bërë mbrojtësi i dytë më i shtrenjtë në botë pas Kajl Uolkerit.
Vetëm në këtë sezon arkat e klubit nga principata janë mbushur me 167 milionë euro. Bernardo Silva (50), Bakaioko (40), German (8), Dialo (5) Xhen (3.5) dhe Dirar (3.5) janë lojtarët e larguar në këtë sezon nga klubi francez. Por transferimet nuk pritet të mbarojnë këtu, pasi në treg janë edhe “xhevahirët e mëdhenj” si Lemar, Fabinho dhe Kilian Mbape. Oferta marramendëse kanë mbërritur në drejtim të tyre dhe klubi e ka mjaft të vështirë t’i refuzojë. Pas Monakos, në vendin e dytë përsa i përket të ardhurave nga transferimi i lojtarëve ndodhet Reali i Madridit me 45.5 milionë më pak.

Exit mobile version