Pasi shkëlqeu dhe e ndihmoi Monakon të fitojë ligën e Francës dhe të arrijë deri në gjysmë finale të Ligës së Kampionëve sezonin që lamë pas, Mbappe iu bashkua PSG-së në gusht në bazë të një marrëveshjeje fillestare për huazimin, e cila do të bëhet e plotë për një shumë prej 180 milionë euro vitin e ardhshëm. Kjo do ta bëjë Mbappen lojtarin e dytë më të shtrenjtë në histori të futbollit pas Neymarit, por performanca e fundit të yllit francez janë të dobët dhe mediat kanë filluar ta kenë në qendër të vëmendjes për këtë.
Mbappe ka shënuar katër gola në 10 ndeshjet e para me PSG-në, përfshirë golin e parë në fitoren 4-0 ndaj Anderlechtit në Belgjikë dy javë më parë. Por që nga ajo ndeshje, ai mori një vlerësim 2 nga 10 nga e përditshmja “L’Equipe” për performancat e tij në barazimin 2-2 ndaj Marseille dhe ishte i dobët në fitoren 3-0 ndaj Nice. “Kur luan mirë, i hap të gjitha gazetat dhe i shikon emisionet sportive dhe ata thonë se ju jeni më i miri. Duhet të jesh në gjendje ta balancosh mentalitetin e mocionet. Kur luan keq, duhet të jesh gati për kritika”, ka thënë trajneri i tij Unai Emery.