Kylian Mbappe do të jetë lojtar i Madridit këtë verë. Real Madridi do të kërkojë të kompletojë marrëveshjen me Kylian Mbappe gjatë kësaj vere, që do të qëndrojë më pas në formë huazimi për një vit te Monaco, shkruan “AS”. Sulmuesi i ri ka ngritur në këmbë gjitha klubet e mëdha evropiane, pas paraqitjeve mbresëlënëse në Ligue 1. Ai ka oferta nga më të ndryshmet: PSG, Bayern Munich, Arsenal, Manchester United etj. Por sipas “AS”, Real Madridi është favorit për të nënshkruar me Mbappe, i cili ëndërron të luajë në “Santiago Bernabeu”.
Që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur, Reali ka vendosur që ta lë atë për një vit në formë huazimi te Monaco, për të luajtur më shumë para Kupës së Botës, që do t’ia mundësonte atij thirrjen në kombëtaren e Francës. 100 milionë euro pritet të jetë shifra e transferimit të 18-vjeçarit.
Ndërkohë, Jesus Vallejo është shprehur tejet i lumtur pas lajmit se Real Madridi ka vendosur ta rikthejë në Madrid. Mbrojtësi spanjoll, Jesus Vallejo, sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e ekipit të Zinedine Zidane, lajmi është konfirmuar nga klubi gjerman, Eintracht Frankfurt. 20-vjeçari u shpreh tejet i lumtur që Zidane ka vendosur t’ia japë shansin në ekipin e parë, derisa falënderoi Eintracht Frankfurtin që e ndihmuan të zhvillohet si lojtar.
“Kur iu bashkova Real Madridit dy vite më parë, ëndërroja që të jem pjesë e ekipit të parë. Kjo ëndërr tani më është bërë realitet, falë edhe ndihmës së Eintracht Frankfurt”, tha Vallejo. “Dua t’i falënderoj të gjithë, veçanërisht Fredi Bobiç, Bruno Hübner dhe Niko Kovaç. Gjithashtu dua t’i falënderoj shokët e skuadrës, kam mësuar shumë prej tyre dhe jam kënaqur duke luajtur me ta”, shtoi mbrojtësi i ri i Realit.
“Po ashtu dua të falënderoj edhe tifozët që kanë qenë të mrekullueshëm dhe më kanë pritur në familjen e tyre. Është për të ardhur keq që nuk e fituam Kupën e Gjermanisë për ta. U jam mirënjohës të gjithëve, nga sot unë jam një fans më shumë i këtij klubi”, shtoi më tej Vallejo.
Vallejo dy vitet e fundit ka qenë në formë huazimi. Fillimisht në Zaragoza, tashmë ai do të jetë pjesë e ekipit të parë të Los Blancos.