Epoka Berluskoni ka përfunduar te Milani dhe bashkë me të edhe epoka Galliani. Drejtuesit e rinj kinezë kanë vendosur që të emërojnë administrator të Deleguar ish-CEO-n e Interit, Marco Fassone. Fassone do të mbajë dhe postin drejtorit të Përgjithshëm të klubit kuqezi, në momentin që pronarët e rinj kinezë do të marrin zyrtarisht drejtimin e klubit. Drejtuesit kinezë e shikojnë Fassonen si njeriun e duhur për të komanduar klubin kuqezi. Më parë, Fassone ka drejtuar Juventusin, Napolin dhe Interin. Konfirmimi ka ardhur me një komunikatë të drejtuesve të rinj kinezë të klubit, të cilët vetëm pak ditë më parë firmosën dokumentet për blerjen e tij nga Silvio Berluskoni.
Fasone, drejtues në të kaluarën në skuadra si Juventus, Inter dhe Napoli, do të jetë administratori i Deleguar dhe drejtor i Përgjithshëm i kuqezinjve në momentin që do të mbyllen të gjitha procedurat burokratike, pasi kinezët mendojnë se ai është personi më i përshtatshëm për të mbuluar një rol të tillë. Kësisoj, pas Berluskonit, edhe Adriano Galiani do t’i japë lamtumirën Milanit, ku ishte i ngarkuar me funksionet më të larta drejtuese që nga viti 1986.
Letra e lamtumirës: Milanin e shita nga dashuria
“30 vite më parë e bleva i shtyrë nga dashuria dhe po heq dorë prapë për dashurinë”. Kështu nis letra e lamtumirës së Milanit e Silvio Berluskonit shpërndarë në rrjetet sociale. “Po i besoj skuadrën një grupi që ka burimet e nevojshme dhe vullnetin për të investuar tek Milani dhe për të konkurruar me klubet më të mëdha ndërkombëtare”, vijon ish-presidenti i kuqezinjve.
Berluskoni shton se është i pikëlluar nga largimi, por edhe i qetë që po lë klubin në duar të sigurta me bindjen që ka bërë gjënë e duhur për Milanin e tij. “Kisha privilegjin të drejtoja skuadrën që dua dhe ta bëj atë klubin më të titulluar në botë. Kujtoj dhe falënderoj të gjithë lojtarët e mëdhenj, trajnerët, drejtuesit. Shumë prej tyre bënë historinë me Milanin dhe do të jenë gjithmonë legjenda të futbollit me kontributin e dhënë për fitoret e jashtëzakonshme në Itali, Europë dhe botë”, shkruan Silvio.
Në fund, ish-presidenti i Milanit falënderon tifozerinë kuqezi. “Është ajo që e bën këtë skuadër speciale, të ndryshme nga gjithë të tjerat, më të fortë se gjithë të tjerat, më të fortë se zilia, padrejtësia dhe fatkeqësitë. Do të jem gjithnjë mes kësaj tifozerie për të gëzuar, ndoshta edhe për t’u hidhëruar, por kam bindjen se shumë shpejt, së bashku do të festojmë suksese të mëdha me të cilat Milani do të nderojë historinë dhe traditën që ka”, mbyll letrën e tij Silvio Berluskoni.
“Kavaljeri” hoqi dorë nga skuadra e Milanit pak ditë më parë, duke ia dorëzuar plotësisht atë një grupi investitorësh kinezë. Ai drejtoi “kuqezinjtë” në 3 dekada të mbushura me trofe brenda dhe jashtë Italisë.