Mbaroni punimet!

Bashkia e Shkodrës nuk do të ulet në tavolinën e bisedimeve me Federatën Shqiptare të Futbollit për të zgjidhur çështjen e administrimit të stadiumit “Loro Boriçi” pa u mbaruar plotësisht punimet në impiant dhe përreth tij.
Kryebashkiakja Voltana Ademi ka bërë të ditur sot, se pavarësisht se ka marrë propozimin e FSHF-së për ndarjen e të ardhurave nga biletat në këtë impiant dhe mënyrën e bashkë-administrimit të tij në ndeshjet e Vllaznisë dhe Kombëtares, nuk do të ketë asnjë hap konkret për momentin. Sipas saj, vetëm kur të mbarojë gjithçka që është parashikuar të ndërtohet në projektin e stadiumit dhe ai të merret në dorëzim, atëherë do të zgjidhet edhe çështja e firmës së kontratës me FSHF-në.
Institucioni i futbollit i ka dorëzuar Ademit një propozim, ku detajohen pikat se si do të administrohet impianti në të ardhmen. FSHF propozon që në rast bashkë-administrimi, ajo të përfitojë 40% të të ardhurave nga biletat për ndeshjet e Vllaznisë si në kampionat, ashtu edhe në Kupat e Europës. Ndërkaq, FSHF do të përfitojë 100% të të ardhurave të siguruara nga ndeshjet e kombëtares, të cilat do të administrohen plotësisht nga institucioni në fjalë.

Artikulli paraprakGabigol mund të largohet nga Interi
Artikulli tjetërLlullaku, i përhershëm me golin në Rumani