Ish-Kryeministri Berisha denoncoi mbrëmë abuzimin skandaloz të qeverisë me paratë e takspaguesve. Vetëm mbrëmë kanë mbërritur në doganë 64 vetura luksi për zyrtarët e qeverisë, ndërsa vlera e tyre arrin në 3.2 milionë euro. Qeveria nuk ka të ndalur në shpenzimet e luksit, ndërsa prej tre vitesh ka ngrirë rritjen e pagave dhe të pensioneve.
“Nuk kanë fund shpenzimet dhe abuzimet e qeverisë me fondet publike. Dje hynë në doganë 64 makinat e para, nga 164 makinat e tipit “Toyota” që qeveria ka blerë për veten e vet. Plot 3.2 milionë euro të shpenzuara për makina luksi dhe zero lekë investime publike në favor të qytetarëve.
A ju kujtohet kur Edi Rama iu sul projektit kombëtar të rrugëve që unë zbatova? Mbi 11 mijë km rrugë e autostrada. Për çfarë duhen vetëm rrugët, thoshte. Por si një injorant i plotë në qeverisje, as që e kishte konceptin se rrugët janë zhvillim. Në 3 vjet nuk ka përfunduar asnjë kilometër, por ka blerë më shumë se sa janë blerë nga viti 2000 gjer në vitin 2013.
Ai dhe ministrat e tij të gjithë blenë sapo hynë në zyra makina të reja dhe tani po blejnë përsëri 164 makina të reja, përveç miliona eurove për zyra, Wc-ra e salltanete, kur shqiptarët nuk kanë ç’të hanë apo po përmbyten në ujë në mes të të ftohtit”, shkruan Berisha në statusin në Facebook.