Në Shkodër, u zhvillua paraditen e sotme ceremonia përkujtimore e masakrës së 2 Prillit 1991, që njihet ndryshe masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri.
Adela Kryeziu, mbesa e Nazmi Kryeziut, një prej 4 dëshmorëve të masakrës së 2 Prillit, u shpreh se: “Ajo që e bën më tragjike këtë ngjarje, është se autorët dhe skenaristët e masakrës shpërblehen në postë më të larta shtetërore”.
“Nuk besoj të jetë rastësi. Përkundrazi, instalimi i figurave dhe eksponentëve injorantë e barbarë të monoklaturës së kuqe në qeverisjen e sotme. Është shenja më domethënëse, që tregon se çfarë synon kjo qeveri. Misioni parimor bazë i çdo qeverie në raport me qytetarët e vet është harmonia sociale dhe progresi ekonomik. Në momentin kur ajo çedon dhe nxit konfliktualitetin social, thellon varfërinë ekonomike dhe atë kulturore, duhet ta kuptojë se ka ardhur koha të reflektojë. Por duket qartë se misioni i kësaj qeverie është varfërimi, zhvatja, kriminalizimi, poshtërimi i shqiptarëve dhe boshatisja e Shqipërisë.
Ndaj kjo ditë dhe kujtimi i dëshmorëve të 2 Prillit nuk duhet të jetë thjesht një seancë përshpirtjeje për dëshmorët. Kjo ditë, sot më shumë se kurrë ndonjëherë na thërret si alarm i fundit për tu ngritur kundër neodiktaturës së Rilindjes së kuqe”, u shpreh ajo.