“Mbështes SPAK me shpirt e me vepra”, Basha: Rama kishte 12 vite të bënte diçka për vendin, por e vetmja gjë që shqiptarët mbajnë mend, është 7×7 = 313

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ishte sot për një intervistë ndryshe në emisionin “N’SPAK” me gazetarin Ermal Qori. Në pyetjen nëse i tremte SPAK-ut, Basha tha se është i vetmi politikan që ka mbështetur Prokurorinë e Posaçme me shpirt dhe me vepra. Ai solli në vëmendje ligjet që ka çuar në Kuvend për të mbështetur SPAK-un me financa, burime njerëzore apo dhe lehtësimin e bashkëpunimit me Prokuroritë e BE dhe SHBA.

Duke folur për korrupsionin e qeverisë, Basha tha se Edi Rama kishte 12 vite të bënte diçka në këtë vend, por e vetmja që gjë shqiptarët mbajnë mend është fraza ironike 7×7 = 313.

Ai më tej tha se ironinë që përdor ndaj Ramës me 7×7 = 313 është e vërtetë dhe pa asnjë sforcim, pasi fakti është që fakti është që shokët e tij janë në burg për korrupsion, apo në arrati nga SPAK-u për korrupsion.

Pjesë nga intervista:

Ermal Qori: S’të tremb SPAK-u fare?

Lulzim Basha: SPAK-un e mbështes me shpirt dhe me vepra. Besoj jam i vetmi aktor politik që e kam provuar me ligjin që kam çuar në Kuvendin e Shqipërisë, për t’i dhënë mbështetje totale SPAK-ut, për t’i dhënë financat dhe burimet njerëzore. Për të bërë ndryshime në ligjet shqiptare që t’ia lehtësojmë bashkëpunimin me kolegët në vendet e huaja, Prokurortë e Bashkimit Europian, të SHBA-së. Sikundër edhe ligjin për vettingun e politikanëve apo heqja e imunitetit të parlamentarëve. Janë të treja propozime që mbajnë firmën time dhe besoj flasin më mirë sesa fjalët”.

Ermal Qori: Ka shumë nga ata të cilët e konsiderojnë si diçka jo të mirë për aspektin tuaj, pra, ok Rama e shfrytëzon këtë situatë. Po juve për çfarë e shrytëzoni?

Lulzim Basha: Për gjën më të rëndësishme që duhet të dinë shqiptarët sot. 12 vite Edi Rama ka pasur mundësi të bënte diçka për këtë vend dhe e vetmja gjë që shqiptarët mbajnë mend, është 7×7 = 313. Që është bërë simbolikë për kabinetin e Ramës që është ose në burg, ose në SPAK, ose në arrati.

Ermal Qori: Tani më lejo të të komplimentoj për këtë 7×7 313, sepse është gjetje e paparë. Jo se jam këtu, por realisht është gjetje. E shfrytëzove situatën që ndodhi me 313-ën.

Lulzim Basha: Është e vërteta, s’ka asnjë sforcim. Dhe kur e vërteta takohet me humorin, sigurisht që njerëzit e pëlqejnë. Por fakti është që shokët e tij, që nuk kthen përgjigje ku i ka shokët, janë në burg për korrupsion. Janë në arrati nga SPAK-u, se kërkohen për korrupsion. Dhe ky nuk kthen përgjigje. Tani me gjithë këta shokë në burg për korrupsion, o ti je i paaftë, pra je më buf se bufi, ose ti je pjesë e kësaj. Duke qenë kryeministër ke përgjiegjësi për këtë, politike dhe penale. Ky është një diskutim që ai nuk do ta bëj.

Exit mobile version