Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, së bashku me kandidatët për deputetë Oriola Pampuri dhe Pëllumb Seferi zhvilluan takime në tregun Dinamo në Tiranë me qytetarë dhe tregtarë të zonës. Gjatë bisedës me Bashën, ata shprehën problemet që përballen përditë si ulja e fuqisë blerëse, kostot e larta të jetës dhe largimi i fëmijëve.
“Jemi shumë të lodhur e punë s’po bëjmë, rrimë për një qind lekë. Jemi shumë të lodhur. Na kanë ikur kalamajtë” – u shpreh një tregtare.
Ndërsa një tjetër tha se “na u mor shpirti, lodh sa të duash, na rropën për së gjalli. Atë ta çoni jo tek 313, po ku të jetë vendi më i keq, të gjithë me Lal, me Edi Rama, me të gjithë, me Belindën. Më ka ardhur shpirti në majë të hundës, po punoj si kali një cop gru për të mbajtur 3 kalamaj. Na rropën për së gjali na rropën. Dritat 370 mijë lekë sikur me pas një furë buke”.
Duke evidentuar korrupsionin si problemin më madhor në 12 vite, Basha tha se sot kush voton Edi Ramën dhe shokët e tij, është çyryk. Sipas tij, këtë fjalë kryeministri e ka për ata që e votojnë atë, se dhe votën ua merr, edhe paratë ua vjedh, edhe shpresën jua vret dhe prap i shan.
“Ai atë çyryk e ka për ata që votojnë për të. Se të votosh 12 vite për një njeri që të vjedh, që mashtron, që gënjen, që i ka shokët të gjithë në burg për hajdut, duhet të jesh pak çyryk nga koka. Po unë ju them që shërohet ajo, mos votoni më për Edi Ramën, edhe shërohet nuk jeni më çyryk. Kështu që ai e ka për ata që votojnë për atë, tallet me ta. Se dhe votën ua merr, edhe paratë ua vjedh, edhe shpresën jua vret dhe prap i shan. Kurse të tjerët që votojnë kundër tij e kanë në rregull mendjen. Kësaj radhe votën për numrin katër, për Koalicionin Euroatlantik dhe bëjmë gjithçka që fëmijët mos të largohen më. Edhe ata që janë larguar pa letra, të kenë mundësi të kthehen e të punojnë në vendin e tyre” – u shpreh Basha.
Ai gjithashtu tha se plaga më e madhe e korrupsionit të Ramës dhe shokëve të tij tek 7×7-313, është largimi masiv i rinisë pa u kthyer më. Basha tha se e vetmja zgjidhje është mbështetja totale e SPAK në luftën kundër të korruptuarve, që lekët të shkojnë në xhepat e qytetarëve dhe jo në xhepat e 7×7-313.
Për këtë, Ai më tej tha se e vetmja garanci është vota për numrin 4 dhe Koalicionin Euroatlantik, pasi në të kundërt, vota për Ramën nxjerr shokët e tij nga burgu, vota për Berishën fatkeqësisht nxjerr Ilir Metën nga burgu.
“Plaga më e madhe është largimi i rinisë. Është pasojë e korrupsionit. Që të ikësh me marrë diçka edhe me u kthy, është normale. Të ikësh e mos me u kthy më, kjo është pasojë e korrupsionit. Është largim masiv, është zbrazje vendi. Se kur i merr lekët, në vend që t’i investosh për vende pune, për t’i trajnu, i merr i fut në xhepat e 4, 5 ministrave, sigurisht që i largon. Se lekët o në xhepat tuaj, o në xhepat e Edi Ramës tek 7×7-313. Do t’i heqim nga ata. Votën për numrin 4. Ne kemi në dorë me ju dhënë program dhe ekip, secili pastaj një votë ka në 11 maj. Votove për Ramën, votove me i nxjerr shokët e tij nga burgu, keq më vjen por povotove për Berishën, votove për të nxjerr Ilir Metën nga burgu. Do që të shkojnë të gjithë të korruptuarit në burg, 4, Koalicionin Euroatlantik, mbështetje totale për SPAK-un. Sepse lekët o në xhepat e tyre, o në xhepat e tu, s’mund të jenë njëkohësisht në dy vende. Që të vijnë në xhepat tuaj, duhet të shkojnë shokët e tij tek 313” – tha ai.
Basha më tej u prezantoi nga afër disa nga pikat e programit që janë:
-9% taksë e sheshtë;
-9% tatim mbi të ardhurat personale, mbi minimumin jetik (pagat nën minimumin jetik – 0 tatim);
-9% tatim mbi fitimin për biznesin (përjashtohet biznesi i vogël);
-0 taksa për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë të reja xhiro në vit;
-Detyrimet ndaj pushtetit lokal do të jenë jo më shumë se 1% e xhiros vjetore;
-Eliminimi i kontrolleve tatimore për bizneset e vogla.
Sipas tij, do të lehtësojnë qytetarët dhe sipërmarrjen nga politikat dhe burokracitë mbytëse të qeverisjes 12 vjeçare.