Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Luksemburg, është përsëritur përkushtimi për perspektivën në BE të Bosnje-Hercegovinës si shtet i vetëm, i bashkuar dhe sovran.
Ministrat e Jashtëm i kanë miratuar konkluzionet ku shprehet keqardhje për “retorikën përçarëse me origjinë në të kaluarën, ndërsa axhenda e zgjedhjeve të parakohshme gjatë muajve të fundit i ka ngadalësuar reformat dhe ka ndikuar në klimën politike” në Bosnjë.
Ministrat, po ashtu, kanë kërkuar që Sarajeva “t’i shtojë përpjekjet për funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e radikalizimit”.
Bosnja ka mbetur prapa fqinjëve të vet në rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja për Asociim ndërmjet BE-së dhe Bosnje-Hercegovinës ishte nënshkruar në vitin 2008, por ajo nuk kishte hyrë në fuqi deri në vitin 2015, kryesisht për shkak të mungesës së progresit të Bosnjës në reforma.