Senati dhe Kongresi amerikan ka dëshmuar një mbështetje në unison ndaj kauzës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike, ndërsa po ndjekin me shqetësim situatën në Shqipëri. Mbështetja e senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë ka ardhur pas një sërë takimesh të zhvilluara me drejtues të opozitës. Krahas takimeve, përfaqësues të Senatit e Kongresit i janë drejtuar personalisht dhe zyrtarisht kreut të PD, Basha duke inkurajuar vijimin e lëvizjes së inicuar prej tij për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Mbështesim fuqishëm opozitën dhe lëvizjen e udhëhequr nga kreu i PD, Lulzim Basha.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht dhe detyrim për një demokraci funksionale. Proceset e manipuluara nga qeveria, vërejtjet e OSBE/ODIHR janë dhe qëndrim i SHBA”, janë këto mesazhet e përcjella nga senatorë e kongresmenë amerikanë në takimet e tyre me përfaqësues të lartë të opozitës. Ata kanë shprehur shqetësimin për forcën e krimit në Shqipëri, trafikun e drogës dhe sidomos përfshirjen e qeverisë në kultivimin e marijuanës për qëllime politike. Senatorët e kongresmenët janë angazhuar që zëri i opozitës të dëgjohet dhe debatohet jo vetëm në Kongres, por edhe në të gjitha nivelet e administratës së Presidentit Trump. “Kemi mbështetur Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe sot kërkojmë që ajo të sillet si e tillë duke garantuar standardet demokratike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, janë shprehur ata, ndërsa angazhohen se do të ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri.