Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Shqipëria Live” është shprehur se mënyra e arrestimit të Ilir Metës, ishte e qëllimshme për të bërë pis SPAK-un. Sipas tij, arrestimin e bëri policia që është nën varësinë e qeverisë dhe bëri atë shfaqje për të devijuar lajmin kryesor që ishte një ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetar Kuvendi, një nga politikanët më prominent të 34 viteve të fundit u arrestua nga SPAK për akuza të korrupsionit.
Basha më tej tha se drejtësia e re ka mbështetjen e demokratëve euroatlantikë dhe të qytetarëve të vendit, për faktin se po godet murin e pandëshkueshmërisë.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Nuk është SPAK që e ka bërë arrestimi, e ka bërë policia, e cila siç dihet kontrollohet nga ekzekutivi, pra nga qeveria e Edi Ramës. Dhe fakti që diçka e till ndodhi, u filmua, u përhap i shërbeu në radhë të parë krijimit të një opinioni negative i cili u faturua fillimisht SPAK-ut. Dhe së dyti u bë një pjesë e barabartë me vet lajmin që është arrestimi i një ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari Kuvendi mbi akuzat për korrupsion. Lajmi duhej të ishte që një ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetar Kuvendi, një nga politikanët më prominent të 34 viteve të fundit u arrestua nga SPAK për akuza të korrupsionit. Ndërsa kjo forma e arrestimit, kjo forma e shëmtuar e arrestimit e devijoi lajmin pikërisht tek forma e arrestimit të Ilir Metës. Dhe për më shumë përpjekja për t’ia faturuar këtë SPAK-ut. Qyetarët duhet ta dinë që nuk është SPAK-u që kryen arrestimin, nuk është as Byroja Kombëtare e Hetimit që kryen arrestimin, është policia. E cila dihet se kush e kontrollon dhe këtu padiskutim ngrihet pyetja kush përfiton.
Sot ka shpresë, ka një segment të rëndësishëm të drejtësisë që është SPAK, GJKKO dhe BKH, të cilët të trajnuar në mënyrën më profesionale nga partnerët tanë strategjikë, të mandatuar për fat të mirë në votimin unanim të vitit 2016 për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për herë të parë në 34 vite po tregojnë diçka ndryshe. Për herë të parë në 34 vite ka prokurorë dhe gjyqtarë të cilët deri tani kanë provuar se nuk janë në xhepin e asnjë politikani, asnjë drejtuesi dhe ish-drejtuesi të lartë të vendit. Por pritshmëritë e njerëzve janë shumë, unë kam bindjen se me mbështetjen pa kushte që ne demokratët euroatlantikë i japim SPAK dhe me besimin e madh të qytetarëve, gjërat do të vazhdojnë të duken edhe më mirë dhe mund të jetë çështje ditës, orësh kur të marrim të tjera lajme që rrënojnë një nga një murin e pandëshkueshmërisë.