Mbetjet e Kurum që dyshohen si të rrezikshme mbërrijnë në Itali

AFP

Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t’u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës.

Por disa javë më vonë, kontejnerët janë ende në det mesdhetar, pas një diskutimi disa mujor mbi atë që po transportohej saktësisht dhe nëse ishte e ligjshme.

Sasi të mëdha mbeturinash dërgohen rregullisht në vendet në zhvillim — pjesë e një industrie globale që sheh vendet perëndimore të transferojnë trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në Azi dhe Afrikë.

Kjo praktikë është denoncuar prej kohësh nga organizatat mjedisore.

Pavarësisht kritikave, tregtia e menaxhimit të mbetjeve vazhdon të jetë një sipërmarrje shumë miliarda dollarëshe. Vetëm trajtimi i materialit të paligjshëm gjeneron nga nëntë miliardë deri në 11 miliardë euro çdo vit, sipas Task Forcës së Veprimit Financiar, një mbikëqyrës kryesor që ndjek tregtinë e paligjshme.

Banka Botërore vlerëson se rreth dy miliardë tonë mbeturina prodhohen çdo vit në të gjithë globin – që pritet të arrijë në 3.4 miliardë tonë deri në vitin 2050.

Brenda atyre maleve të mbetjeve, rregullatorët e kanë konsideruar një pjesë të caktuar të rrezikshme.

Këto përfshijnë substanca që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njeriut ose mjedisin për shkak të reaktivitetit të tyre kimik ose niveleve të toksicitetit.

Për të rregulluar më mirë industrinë, Konventa e Bazelit, e nënshkruar në 1989 nga 53 vende, i ndalon anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) të dërgojnë mbetje në shtetet joanëtare.

Por Shqipëria, e cila nuk është anëtare e forumit ekonomik me bazë në Paris, është e lirë të dërgojë mbetje jashtë vendit.

Odisea industriale
Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasanin e Shqipërisë qendrore, sipas raporteve të mediave shqiptare.

Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.

Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si “oksid hekuri” — një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë dhe që nuk konsiderohet e rrezikshme.

Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt.

Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se “informacioni mund t’u jepet vetëm klientëve”.

Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.

Kontejnerët më pas u nisën për në portin italian të Triestes, ku u ngarkuan në dy anije mallrash të operuara nga gjigandi botëror i transportit Maersk — Campton dhe Candor.

Ndërsa anijet lundronin përgjatë vijës bregdetare afrikane, një organizatë e specializuar në gjurmimin e mbetjeve toksike, Basel Action Netëork (BAN), kontaktoi Maersk.

Një sinjalizues kishte telefonuar linjën telefonike të rrjetit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.

BAN i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut, sipas presidentit të saj, Jim Puckett.

Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN.

BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve.

“Qeveria refuzoi të importonte më shumë se 800 tonë pluhur furre me hark elektrik (EAFD) nga Shqipëria”, tha në një deklaratë Departamenti i Punëve Industriale Tajlandeze.

EAFD është një nënprodukt i rrezikshëm i prodhuar gjatë prodhimit të çelikut.

Penchome Saetang, një aktiviste mjedisore që punon me qeverinë tajlandeze, tha se paralajmërimi çoi në refuzimin e ngarkesës nga Tajlanda.

“Pas marrjes së informacionit nga OJQ-të, qeveria dyshoi se mund të ishte EAFD,” tha Saetang për AFP.

Pas njoftimit nga qeveria tajlandeze, Maersk i tha AFP se ia dorëzoi kontejnerët kompanisë së transportit MSC në Singapor për t’i kthyer kontejnerët në Shqipëri.

“Maersk Campton dhe Maersk Candor po mbanin ato kontejnerë të dyshuar në emër të një linje tjetër detare. Asnjë prej këtyre kontejnerëve nuk është deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme,” i tha Maersk AFP.

“Po të ishin deklaruar se përmbajnë mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar t’i transportonte ato.”

MSC nuk pranoi të komentojë kur u kontaktua nga AFP.

Prapë në Evropë
Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbrojtur dërgesat dhe ka sulmuar kritikët — megjithatë ka refuzuar të lejojë që kontejnerët të kthehen në portet e vendit.

“Asgjë nuk provon se këto mbetje janë toksike,” tha ai në një seancë të fundit parlamentare.

“Edhe sikur të ishin produkte të rrezikshme, transporti i tyre nuk është i ndaluar as në Shqipëri dhe as në mbarë botën”, shtoi Rama, duke thënë se akuzat bazohen në “dyshime dashakeqe”.

BAN u përgjigj në një letër të hapur drejtuar qeverisë shqiptare, duke thënë se kontejnerët me materiale të rrezikshme nuk mund të dërgohen pa pëlqimin me shkrim të eksportuesit, vendeve tranzit dhe autoriteteve në destinacionin përfundimtar.

“Asnjë nga këto vende nuk ka dhënë pëlqimin e tyre dhe, për rrjedhojë, nëse rezulton se kontejnerët përmbajnë mbetje të rrezikshme, dërgesat përbëjnë “trafikim të paligjshëm” sipas nenit 9 të Konventës së Bazelit,” tha BAN.

Në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit dhe partnerët ndërkombëtarë, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Që nga mëngjesi i së enjtes, 102 kontejnerët janë ende në det, me ngarkesën në një anije në brigjet e Italisë dhe një tjetër pranë Egjiptit.

“Ka mundësi që të gabojmë,” tha Puckett nga BAN për materialin në fjalë.

“Por unë dyshoj.”

Artikulli paraprakBIRN: Sytë mbi Komisionin “Xhafaj”
Artikulli tjetërMes tensionesh e kritikash nga republikanët për Ukrainën, Trump takohet me Zelenskyn! Ish-presidenti i SHBA: Do ta zgjidhim shumë shpejt këtë çështje