Joni Myshketa, kryetar i PD-Demokratët Euroatlantikë dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të PD në Durrës, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se jemi në “terr informativ” lidhur me kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike në Porto Romano. Ai theksoi se banorët janë shumë të shqetësuar dhe duan të dinë rezultatet e mbetjeve, dhe sa rrezikohen, por kanë frikë t’i kundërvihen pushtetit. Myshketa vuri në dukje se nuk është dhënë asnjë informacion as nga Prokuroria, as nga Këshilli Bashkiak.
“Dihet që ndodhen në Porto Romano të Durrësit, por është pranë zonave të banuara, monitorohet më kamera, por s’kemi informacion nëse janë marrë kampione nga kontejnerët dhe nëse janë dërguar në laboratorë të ndryshëm. Ndodhemi në një terr informativ. Edhe gjatë mbledhjes së fundmit të Këshillit Bashkiak u kërkua nga unë se çfarë bëhet me këtë çështje, por ata ia përcollën gjithë përgjegjësinë Prokurorisë. Nuk dihet a ka një laborator që merret me analiza specifike, duke supozuar që mbetjet janë tejet të rrezikshme. Kemi kërkuar që të merren mostrat dhe të dërgohen në disa laboratorë të ndryshëm jashtë vendit, dhe të bëhet kryqëzimi i tyre, për një përfundim sa më të saktë. Kanë kaluar me muaj dhe s’kemi asnjë lloj informacioni. Nuk kemi patur kontakte me organizatën, por aktorë dhe faktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Organizata (Rrjeti i Bazelit) ndodhet në të njëjtën situatë si ne, në terr informativ. Do t’i drejtohemi sërish Prokurorisë për të marrë informacion për këtë çështje kaq sensibël. Dyshohet për trafik ndërkombëtar të mbetjeve toksike. Dyshojmë se ato janë rrezik për banorët. Banorët duan të dinë rezultatin e mbetjeve, ta dimë sa rrezikohemi. Banorët e zonës janë shumë të shqetësuar. Ata që ndodhen shumë pranë këtyre mbetjeve. Është skandal i dyfishtë. Ka një frikë karshi pushtetit, nuk po flas për këtë çështje se më heqin nga puna, është kthyer në kulturë të përgjithshme mos reagimi”.