Mbetjet toksike/ Myshketa: Shteti palë në aferë. Analizat duhet të kryhen nga disa laboratorë

Joni Myshketa, anëtar i Këshillit Bashkiak në Durrës se procesi për zbulimin e çështjes të lidhur me mbetjet toksike po zvarritet qëllimisht.

Sipas Myshektës, shteti është palë në këtë aferë.

Po ashtu Myshketa tha se analizat e këtyre mbetjeve duhet të kryhen nga disa laboratorë në mënyrë që të kryqëzohen të dhënat dhe të arrihet një rezultat sa më pranë të vërtetës.

“Informacionet janë zero. Më datë 8 nëntor ne bëmë kërkesë zyrtare pranë prokurorisë që të jemi pjesë e inspektimeve dhe të bëhet transparencë e plotë siç është trumbetuar nga ana e institucioneve përkatëse në lidhje me fatin mbetjeve toksike brenda kontejnerëve.

S’kemi asnjë të dhënë në lidhje me ecurinë e inspektimit të kampioneve që duhet të merreshin nga disa kontejnerë. Nga Baseli dhe ne është kërkuar që këta kampionë pasi të jenë marrë të dërgohen në disa laboratorë që të kryqëzohen të dhënat dhe të kemi një përgjigje sa më të saktë në lidhje me përmbajtjen toksike.

Këto mbetje janë depozituara pranë zonave të banuara në veri të Durrësit, rreth zonës së Porto Romanos dhe ku qartazi banorët shprehin shqetësimet e tyre për efektet që mund të kenë në shëndetin e tyre.

Nesër kemi një mbledhje të Këshillit Bashkiak dhe unë do të kërkoj një përgjigje shteruese nga institucioni i bashkisë në lidhje me fatin e këtyre mbetjeve. Po kalon në heshtje një skandal që prek shëndetin e qytetarëve.

Të gjitha skandalet reale në Shqipëri kanë ndodhur me indicie nga jashtë. Organizata e Bazelit ngriti një pikëpyetje relativisht të madhe në lidhje me toksicitetin e këtyre mbetjeve brenda 102 kontejnerëve.

Ajo çka përbën realisht një skandal është fakti se këto mbetje pas analizave që duhet të merren dhe që ne, por edhe organizata e Bazelit kemi këmbëngulur që të merren nga disa laboratorë këto mostra që të bëhet kryqëzimi i të dhënave në mënyrë që të kemi një rezultat sa më pranë të vërtetës.

Heshtja nga institucionet shtetërore do të thotë se i intereson shtetit pasi është palë me këtë megaskandal, me këtë aferë pasi në të kundërt do të bënte transparencë maksimale për këtë çështje dhe jo zvarritje, që përveç se e qëllimshme unë nuk di çfarë emri t’i vendos.”

Exit mobile version