Një tjetër operacion antikanabis është organizuar dje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimit Informativ, këtë herë në Mamurras. Edhe në këtë rast, operacioni është drejtuar nga Prokuroria dhe ka qenë sekret për shkak se droga ishte në pronësi të zyrtarëve të policisë. Gjatë operacionit ku morën pjesë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana u sekuestruan mbi 1.4 ton kanabis në një magazinë që ndodhej pranë rrugës nacionale. Sipas burimeve, kanabisi është gjetur në një nga magazinat e ish-Ndërmarrjes së Grumbullimit dhe ishte në proces tharje.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar 1 kallashnikov, grantë dore e municion luftarak, si dhe janë arrestuar 6 persona. Të arrestuarit janë, Gentian Pepmarku, 20 vjeç, Artan Sallaku, 35 vjeç, Kejvin Tuga, 18 vjeç, Edmir Diva, 28 vjeç, Osman Morina, 67 vjeç, Gjelosh Vuksani 53 vjeç të gjithë banues në Mamurras.
Gjithashtu bëhet e ditur se, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit L.M. 34 vjeç, banues në Mamurras. Burimet e policisë bëjnë të ditur se, gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë të vjetër në Mamurras në pronësi të shtetasit Gjelosh Vuksani dhe që ishte marrë me qira nga shtetasi L.M., u gjetën dhe u asgjësua me anë të djegies 1450 kg bimë e dyshuar narkotike canabis-sativa në proces përpunimi dhe tharjeje.
Po në lidhje me këtë ngjarje janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal, shtetasit B.M. 51 vjeç, banues në Mamurras dhe Xh.D. 53 vjeç, banues në Mamurras me funksion elektricistë, pasi në magazinën e gjetur është konstatuar e instaluar energji elektrike dhe nga verifikimet ka rezultuar se ishte lidhje e paligjshme dhe këta dy shtetas nuk kanë bërë verifikimet e duhura.
Kanë qenë Forcat Speciale të ardhura nga Tirana, së bashku me FNSH që kanë zhvilluar operacionin pas urdhërit të Prokurorisë. Burimet nga policia bënë të ditur për Syri.net se, hetimi është bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe me një fshehtësi për shkak se pas kësaj magazine me kanabis qëndrojnë shefa të mëdhenj të Policisë së Shtetit. Detajet janë bërë të ditur nga burime lokale në zonën e Mamurrasit, ku edhe është organizuar operacioni i Forcave Speciale, pas urdhrit të dhënë nga Prokuroria. “Shefa policie janë të lidhur me drogën e kapur sot”, thanë burimet policore.
Të njëjtat burime thanë se, kjo është një ndër magazinat e drogës në pronësi të shefave të policisë, të cilët janë të lidhur drejtpërdrejtë me këtë trafik. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit nuk kanë dhënë asnjë detaj deri më tani në lidhje me këtë aksion edhe pse informacioni ka rrjedhur, për shkak se Forcat Speciale u kanë bërë përshtypje banorëve të zonës.
Një javë më parë u sekuestruan 1.2 tonë drogë në një magazinë në zonën e Dervenit në Thumanë, e cila i përket Bashkisë së Krujës. Edhe në këtë rast, aksioni ishte koordinuar mes Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, pasi në këtë zonë ushtrojnë aktivitet trafikantë të drogës të lidhur direkt me Kryetarin e Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Të gjitha plantacionet e drogës në zonën e Krujës, Thumanës dhe Fushë-Krujës kanë si pronar në përqindje të konsiderueshme kryebashkiakun e Krujës, Bushi. Aktiviteti në këtë zonë është ndër më të lartët në të gjithë vendin dhe besohet se punonjësit që konsiderohen edhe si skllevër të drogës arrijnë në mbi 6 mijë të tillë. Aksioni i Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ ka ndërhyrë në një magazinë, ku magazinohet dhe thahej droga e sjellë në atë vend nga e gjithë droga e mbjellë në zona të ndryshme të Krujës.
Fakti që magazina e drogës së Bushit ishte vetëm pak metra larg autostradës që lidh Fushë-Krujën me Lezhën është një dëshmi se si trafikantët e zhvillonin aktivitetin e tyre, duke pasur garanci të plotë nga pushteti. Ashtu si edhe në rastin e Vlorës, operacioni është zhvilluar nga Prokuroria dhe Shërbimi Informativ për shkak se pas tonelatave të drogës qëndrojnë zyrtarë të lartë.
Zbulohet punishtja e drogës në Pult
Një punishte droge është zbuluar dje në fshatin Pult të Shkodrës, ku janë sekuestruar rreth 6 mijë bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Bëhet e ditur se, gjatë operacionit të zhvilluar u gjetën 6555 bimë në proces tharjeje. Në vijim të këtij operacioni u zhvilluan kontrolle në vendin e quajtur “Fra i Madh” në Pult dhe si rezultat i veprimeve të kryera u arrit që të identifikohen 3 sera në tokë pa pronar të përshtatura për grumbullimin dhe tharjen e lëndëve narkotike. Vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale të fushës së kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Sërish drogë në Greqi, kapen 48 kg në Janinë
Policia greke ka sekuestruar rreth 48 kg drogë dhe ka vënë në pranga 2 persona. Sipas mediave greke, droga u kap në fshatin Protopapë në Janinë. Policia tha se, u ndaluan dy automjete që transportonin drogën. Bëhet e ditur se, njëra nga makinat kontrollonte rrugën, ndërsa tjetra ishte ngarkuar me 47.8 kg marijuanë. Gjatë operacionit u arrestuan dy drejtuesit e mjeteve 42 dhe 51 vjeç, me shtetësi shqiptare.
3.3 ton drogë në 3 javë në Greqi
Zyrtarë të lartë dhe drejtues të policisë greke dolën dje në një konferencë shtypi në Athinë në lidhje me sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës nga Shqipëria. Janë plot 3.3 ton drogë e kapur nga fillimi i muajit tetor deri më sot në të gjithë Greqinë. Bëhet fjalë për dy grupe kriminale të shkatërruara nga autoritetet helene dhe arrestimin e disa shqiptarëve.
Rasti i parë është shkatërrimi i organizatës që trafikonte sasi të mëdha të kanabisit nga Greqia në vendet e Evropës Perëndimore, ku u sekuestruan 1.7 ton kanabis dhe u arrestuan 7 grekë, të cilët e kishin fshehur drogën në një magazinë në Athinë. Mediat greke shkruanin pak ditë më parë, se kjo sasi droge që u kap i përket “Escobarit të Ballkanit”, shqiptarit nga Saranda.
Rasti i dytë i organizatës kriminale është ai i sekuestrimit të 29 kg kokainë në Portin e Patras, ku u arrestuan një 33-vjeçare shqiptare, një 31-vjeçar shqiptar dhe dy grekë. Dy shqiptarët dhe dy grekët mbanin lidhje me një klan të fuqishëm të kokainës në Kolumbi.
Ndërkohë, pjesa tjetër e drogës së sekuestruar që është pjesë e totalit prej 3.3 tonë drogë, është kapur pranë kufirit greko-shqiptar në raste të ndryshme, më i fundit, ai i një dite më parë në Igumenicë dhe ku ranë në pranga tre shqiptarë.
Volumi i madh i drogës së futur në Greqi gjatë këtij muaji, ku aktorë kryesorë janë shqiptarët, ka bërë që policia greke të angazhohet fuqishëm në këtë luftë kundër narkotikëve dhe detyroi zyrtarët e lartë të policisë helene të dalin në konferencë për të dhënë detaje në lidhje me situatën alarmante të drogës.
Rexhep POLISI