Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka bërë hapin e parë për “Trepçën”, duke e iniciuar studimin e fizibilitetit për këtë ndërmarrje. Nëse gjithçka shkon sipas planifikimit të bërë nga AKP-ja, atëherë deri në fillim të muajit nëntor do ta dihen parametrat ligjorë dhe ekonomikë, por edhe kapacitetet e “Trepçës” dhe arsyeshmëria e investimeve në të, shkruan sot Koha Ditore. Fillimi i muajit nëntor përkon edhe më obligimin që ka AKP-ja për të dorëzuar në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme planin e riorganizimit të “Trepçës” në mënyrë që të shmanget likuidimi. Mirëpo, miratimi i një ligji të veçantë për Trepçën që do ta bënte atë ndërmarrje publike do ta bënte ligjin aktual për riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta të pazbatueshëm për “Trepçën”. Edhe pse koston e studimit të fizibilitetit të “Trepçës” pritet ta përcaktojë tregu, AKP-ja ka planifikuar buxhet mbi 1 milion euro për këtë studim. Gjiganti metalurgjik “Trepça” pritet që shumë shpejt të bëhet me status të ri. Ndërmarrja më e madhe në Kosovë do të ketë karakterin e ndërmarrjes publiko-qendrore me mundësi të partneritetit publiko-privat. Ky është definimi i kësaj ndërmarrjeje që është bërë në projektligjin për “Trepçën”, i cili projektligj pritet të dërgohet gjatë javës së ardhshme në Qeveri të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” Ahmet Tmava, drejtor i ndërmarrjes “Trepça”, i cili njëkohësisht ka qenë edhe në komision ndërinstitucional. Sipas tij, ky emërtim do të jetë një mundësi e zhvillimit të mëtutjeshëm të kësaj ndërmarrjeje.