Institucionet publike vijojnë të abuzojnë në mënyrë masive me buxhetin e shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar mbi 160 mln euro abuzime gjatë vitit që lamë pas. Bëhet fjalë për dëme dhe abuzime për shkak të prokurimeve dhe abuzimeve të tjera me procedurat financiare.
Më konkretisht, auditimet e realizuara gjatë vitit 2024, konstatuan problematika në fushën e prokurimeve, të përhapura në institucione të administratës qendrore dhe vendore, universitete, spitale dhe ndërmarrje publike. Ato lidhen kryesisht me planifikimin joefektiv të prokurimeve, kufizimin e konkurrencës, parregullsitë në hartimin dhe zbatimin e kontratave, si dhe me mungesën e kontrollit të brendshëm.
Në bashkitë e audituara, planet vjetore të prokurimit shpesh nuk ishin të harmonizuara me buxhetet apo nevojat reale. Në disa raste, kriteret e kualifikimit janë vendosur në mënyrë të tillë që kufizonin garën, ndërsa në të tjera mungonte dokumentacioni mbështetës për vlerësimin dhe përzgjedhjen e operatorëve. Gjithashtu janë konstatuar procedura me vetëm një operator konkurrues, dokumente të tenderit me kritere të pajustifikuara ose të njëanshme, si dhe përcaktim i paargumentuar i fondit limit
Më poshtë po japim dhe listën me disa nga institucionet ku ka pasur shkelje dhe abuzime:
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH): Në vijim, sipas informacionit të përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ka rezultuar se në 24 raste për vitin 2021, në vlerën 150,518 lekë dhe 36 raste për vitin 2022 në vlerën 221,843 lekë janë ekzekutuar receta me rimbursim për përfitues që kanë ndërruar jetë.
Në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtorinë e Shërbimeve Spitalore Universitare: Në lidhje me financimin e kontratave PPP, ka rezultuar se në tre kontrata, vlera e financimit vjetor, si dhe parashikimet e financimit të tyre në PBA 2023-2025, janë përtej mbështetjes buxhetore të parashikuar për zbatimin e tyre.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve për fondet e BE-së, BB-së dhe donatorëve të tjerë: U konstatuan mangësi në procesin e kontrolleve “on the spot” , të cilat nuk janë realizuar plotësisht dhe në përputhje me planifikimin e parashikuar; vonesa në aprovimin e raporteve finale narrative duke çuar në shtyrjen e pagesave për vitin pasardhës dhe thyerje të afateve kontraktuale, djegie të fondeve të t.v.sh.- së dhe bllokim të fondeve që mund të ishin përdorur për pagesa ose investime të tjera.
Në disa raste, vlera e kërkuar për pagesë finale nga përfituesit ishte më e vogël se ajo e parashikuar në kontratë. Strukturat përgjegjëse nuk kishin kryer një analizë mbi ndikimin e këtij ndryshimi në rezultatet përfundimtare, duke krijuar një risk për mosrealizimin e plotë të aktiviteteve të planifikuara
Në Avokaturën e Shtetit: Në auditimin përputhshmërisë së aktivitetit, për periudhën 01.01.2023 – 31.12.2023, u konkludua në: Pasaktësi në raportimin e detyrimeve, që ka Republika e Shqipërisë ndaj palëve paditëse për shumën 13,492,241 euro, si pasojë e mosrakordimit mes të dhënave të raportuara nga Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Financës për shkak të përdorimit të metodologjive të ndryshme nga këto të fundit, për raportimin e detyrimeve. Vonesa në ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit; Vonesa në ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ, ku për vendime të mbartura, detyrimi vijon të jetë i pa ekzekutuar duke shkaktuar rritjen e interesave për mos likuidimin në kohë
Auditimi i Kontratës Koncesionare “Për Shërbimin e Markimit dhe Monitorimit të Karburanteve”: Në fazën e procedurës së prokurimit: bonusi i pikëve, propozuar nga GFI (8%) nuk rezultoi i argumentuar dhe ndryshon nga ai i miratuar me VKM (6%), duke krijuar pasiguri dhe një bazë të paqartë për vendosjen e pikëve; dokumentacioni i kërkuar për vlerësimin e ofertave nuk rezultoi në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor në fuqi, duke bërë të pamundur verifikimin e plotë të procedurës së prokurimit; vlerësimi nga Autoriteti i Konkurrencës për propozimin e pakërkuar në kuadër të bashkëpunimit me institucionet shtetërore ka munguar.
Në Spitalin Rajonal “Memorial” Fier: Nga auditimi i kryer për shpenzimet e karburantit për vitet 2021-2023, u konstatuan mangësi në evidentimin e lëvizjes së mjeteve, si në dokumentet autorizues dhe justifikues, ndërkohë evidentohen në normativat e konsumit dhe distancave/km të përshkruar, tejkalime të pajustifikuara në sasinë e karburantit për 10599 litra si edhe 1700 litra diferencë e konsumit të karburantit për makinat e marra me qira, të cilat janë deklaruar si të reja por në fakt janë të përdorura dhe normativa faktike është më e lartë, duke shkaktuar dëm ekonomik në shumën 2,123 mijë lekë.
Në Albcontrol Sh.A. Për periudhën nga data 01.10.2021 deri në 31.12.2023 u konkludua me opinion të kualifikuar, bazuar në konstatimet si vijon: Për vitin 2021 shoqëria rezulton me një realizim të ulët si në të ardhurat ashtu dhe shpenzimet. Të ardhurat janë realizuar në masën 92%, shpenzimet në masën 71% dhe investimet në masën 21%; për vitin 2022, të ardhurat janë realizuar në masën 112%, shpenzimet në masën 65% dhe investimet në masën 6%; për vitin 2023 shoqëria ka realizuar zërin e të ardhurave në masën 106%; ndërsa shpenzimet janë realizuar në masën 65% dhe investimet në masën 19%. Realizimi i investimeve për të tre vitet me vlera të ulëta, është një tregues negativ për realizimin e plotë të objektivave si dhe evidenton mangësi në planifikimin e buxhetit për shpenzimet dhe investimet
Në institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për projektin “Fuqizimi i Qendrës Traumatologjike Kombëtare të Tiranës” Për periudhën nga fillimi i projektit deri në datën 31.12.2023, u konkludua me opinioni të kualifikuar, bazuar në: Vonesa të pajustifikuara në implementimin e programit, të cilat kanë ardhur kryesisht nga pala shqiptare pasi, nga viti 2006 deri në vitin 2014 për projektin nuk rezulton të jetë zhvilluar asnjë aktivitet për të vënë në lëvizje strukturat kompetente të cilat do të siguronin zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja dhe arritjen në kohë të objektivave të projektit. Procedurat e prokurimit kanë filluar në vitin 2015 dhe nga ky moment deri në përfundim të projektit kanë kaluar 5 vjet.