Mbi 70% e shqiptarëve mbështesin drejtësinë, politika e dënuar të jetë PRO dhe respektojë vendimet e SPAK dhe GJKKO

Nga Neritan Vladi

Shqiptarëve zoti iua ka dhënë të gjitha, por mënyra se si qeverisjet e prodhuara nga vota e tyre e kanë trajtuar pushtetin, ka qenë një padrejtësi e madhe që është bërë në kurriz të tyre. Aq padrejtësi iu është bërë, saqë kanë qenë të pafuqishëm për të larguar një klasë politike me votën e lirë e cila ka prodhuar vetëm korrupsion të përmasave nga më të mëdhatë, por ama në sistem janë kujdesur të krijojnë dy lloj drejtësie; një për veten e një për qytetarin.

Gjetja e së drejtës në vendin tonë ka qenë një kalvar jo i vogël këto 34 vite, kjo sepse të emëruarit në sistemin e drejtësisë kanë qenë 100% produkt politikë dhe nën urdhrat e politikanëve. Kjo drejtësi e vjetër siç duket mbajti në pushtet dhe ata politikanë që nuk deshën dhe nuk dinë të ikin duke iu garantuar paprekshmëri.

Shqiptarët i do Zoti, por i do edhe SHBA. Aleati ynë strategjik shekullor u investua politikisht, por edhe me infrastrukturë mbështetëse për një drejtësi të re. Prokurorët dhe gjyqtarë kanë kaluar dhe vazhdojnë të kalojnë në filtrin e vetingut bazuar mbi kritere strikte profesionale, të pasurisë dhe integritetit. Shoqëria shqiptare mezi pret që në këtë vend të ketë drejtësi, prej së cilës burojnë dhe do dhe do të vijnë të mirat për secilin qytetar të Republikës së Shqipërisë.

Politika pavarësisht propagandës se ishte për një reformë në drejtësi, veçanërisht mazhoranca dhe kryeministri ishte e pa interesuar që kjo të ndodhte. U kuptua qartë që dhe u detyruan që përkundër vullnetit politikë të formacioneve politike ushtarake, Reforma në Drejtësi të votohej në mënyrë unanime me 140 vota në Parlament. Kjo ishte ajo që donin shqiptarët, por jo politikanët. Përkundër propagandës se ishin dashnorët e Reformës në Drejtësi, sulmi që sot klasa e vjetër politike po i bën institucioneve të reja të Reformës në Drejtësi si; SPAK dhe GJKKO është tregues i qartë i asaj çfarë realisht kanë dashur. Trekëndëshi Berisha-Meta-Rama në mënyra të ndryshme kanë ndarë rolet dhe janë në sulm ndaj drejtësisë së re, e cila po heton korrupsionin shtetërorë në çdo qelizë. Nuk janë shenjtan budallenjë dhe as e bëjnë në emër të parimeve, sulmi ndaj drejtësisë është presion, frika që kanë, sepse e dinë shumë mirë se çfarë kanë bërë.

Kjo tentativë e tyre për të ushtruar presion ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve është e destinuar të dështojë. Kjo do të ndodh sepse ato djem dhe vajza kanë integritet, janë betuar që primare në karrierën e tyre do të kenë aftësinë profesionale dhe se kush ka grabitur shqiptarët dhe gjendet provat secili ish-pushtetarë apo pushtetarë do të jap llogari.

Provat e heronjve të rinjë të Shqipërisë janë dhënë. Ata nuk i druhen askujt. Kushtetuta dhe ligji janë të shenjtë për ta. Kush ka bërë dëme të bëhet gati të jap llogari.

Asnjë politikan nuk duhet te frikësohet nëse nuk ka vjedhur apo është përfshirë në krimin e organizuar.

Politika duhet të jetë e para që duhet të tregoj respekt jap shembullin e mosndërhyrjes sa i përket dhënies së drejtësisë. Asnjë drejtues politik, me imunitet parlamentar nuk duhet t’i kundërvihet SPAK dhe GJKKO.

Shembullin e mosdrojes ndaj drejtësisë, të një politikani evropian ku primar ka zbatimin e ligjit, e ka dhënë Lulzim Basha. Të tjerët duhet të heshtin. Çdo presion ndaj tyre është presion ndaj zgjedhësve. Çdo anketë vendase apo e huaj nxjerr shifrën ku mbi 70% e shqiptarëve besojnë tek drejtësia e re dhe veçanërisht tek SPAK dhe GJKKO. Çdo kundërvënie ndaj këtyre dy institucioneve është kundërvënie ndaj shqiptareve.

Exit mobile version