Mbi domosdoshmërinë për të lexuar “Sakralizimin e Politikës në Shqipërinë Komuniste”

Nga Xhodi Hysa

Në fund të viteve ’80, një delegacion i larmishëm drejtuesish fetarë të besimeve monoteiste iu dha leja për të vizituar Shqipërinë. Në vitin 1990, shqiptarja që sot njihet si Shën Tereza e Kalkutës, do të zbriste në Shqipëri dhe, ndër të tjera, do t’i kërkonte Ramiz Alisë (pasardhësit të Hoxhës) një kishë. Një kërkesë që Alia ia refuzoi me alibinë se “islamikët do të kërkonin një xhami”.

E gjitha kjo pasi, prej mbi 4 dekada e gjysmë, partia e vetme në pushtet kishte implementuar një inxhinierim social të atillë që mishëronte atë që historiani Doan Dani e ka paketuar si “dogmat e fesë civile të Ruso-së”.

Libri i Danit, *Sakralizimi i Politikës në Shqipërinë Komuniste*, nuk është thjesht i pari në analizën e fesë politike në vendin tonë, por njëkohësisht është një hartë e thjeshtë për t’u kuptuar nga kushdo që ka dëshirë të kuptojë se si mendjet e njerëzve u mbyllën ndaj feve për t’iu hapur një besimi komunist, që një herë kishte për pejgamber Stalinin dhe më pas Enver Hoxhën.

Presioni për të mbajtur lart frymën revolucionare vishej lehtësisht me nevojën për të qenë vigjilentë. Feja e Partisë, që skenaristi i ndjerë Koço Devole e ekranizon në telekomedinë *Gjuetia e Fundit*, ku në çdo mullar kishte nga një sigurims që lexonte veprat e udhëheqësit, është rrugëtimi që Dani e pasqyron përmes letrave që vegjëlia i shkruante udhëheqjes.

Aq i madh ishte besimi te ndëshkimi apo mëshira e udhëheqjes, saqë në një letër drejtuar diktatorit Hoxha, lexohet se si një fshatar i thjeshtë, i tmerruar nga fakti se i kanë humbur 50 mijë lekë (shumë jashtëzakonisht e lartë për atë kohë), kishte menduar shpesh vetëvrasjen. Mirëpo ai, shkruante me frikë te udhëheqësi që ta ndëshkonte, duke shpresuar që në të vërtetë ai ta falte atë (njësoj siç Zoti, përmes lutjeve, e fal njeriun).

Kjo skemë shihej edhe në çastet më kritike të regjimit, kur diktatori udhëhoqi dhe drejtoi shkatërrimin e objekteve të kultit. Një grup fshatarësh nga Labinot-Fushë i çuan një letër Hoxhës, duke justifikuar sulmin e tyre kundrejt atyre që mbyllën xhaminë, me alibinë që ato kurrë nuk e besonin që Hoxha të kishte urdhëruar mbylljen e tyre.

Mohimi, në këtë rast, lidhet me idhujtarinë dhe frikën në të njëjtën kohë. Për ta, Hoxha ishte komandanti dhe njeriu kyç i luftës, që kishte një aureolë pagabueshmërie. Madje, dhe kur gabohej, ndodhte për shkak të paaftësisë së atyre që e rrethonin Hoxhën, për shkak të besimit të dobët apo tundimeve që armiqtë e brendshëm (dmth djajtë) u bënin atyre rreth tij. Një skemë e lexueshme ndërsa sheh takimet e partisë në rastin e dënimit të Kadri Hazbiut. Frika lidhej me dhunën që pushteti komunist ushtronte ndaj qytetarëve. Kështu, të përziera në letrat që i vinin Hoxhës, ai ndërtonte fjalimet që jepnin udhëzimet se si duhet të sillej partia.

Madje, vetë mënyra se si Hoxha fliste në këto pleniume apo takime të mëdha, ishte si një meshë kishtare apo një e xhuma në xhami. Ai fliste me një ton të qartë dhe të kuptueshëm për popullin. Gjuha e tij ishte një ushtrim i përpiktë i fesë politike; fjalimet e tij ishin si postulate të besimit enverist (që shënoheshin në mure apo stadiume), po ashtu edhe rikomentime të këtyre postulateve. Jo rrallë, autori vëren se si fjalimet e Hoxhës, kur zbardheshin, ishin të mbushura me shënime në fund të faqeve. Fjala vjen, kur Hoxha kritikonte gruan tradhtare, fjala e tij e zbardhur mbushej me shënime nga Kurani, Bibla apo Kanuni.

Të gjitha këto kishin një hipokrizi si asteriks. Në të vërtetë, feja politike ishte opiumi që iu vendos popullit. Një fe që kishte festat e saj, që u sanksionuan në kalendar dhe që në të vërtetë indeksoheshin sipas komentit të momentit. Fjala vjen, 7 nëntori ishte një festë e madhe deri me prishjen me Sovjetikët, po kështu edhe 9 maji.

Libri, mbushur me dëshmi dhe shembuj të larmishëm nga Arkivi Qendror, nuk është thjesht një rrëfenjë se si një shoqëri mund të shndërrohet përmes dhunës dhe njëkohësisht larjes së trurit. Madje, nuk është i domosdoshëm vetëm për të kuptuar se si Njeriu i Ri Socialist u ndërtua duke implementuar inxhinierimin social (që i ngjan jo pak asaj dozës së vaksinës hormonale për të shndërruar nga një gjini në tjetrën) përmes festave zyrtare, krijimit të miteve dhe heronjve popullorë e, së fundi, adhurimit dhe unifikimit të hyjnores te diktatori (Komandanti legjendar Hoxha).

Rëndësia e librit është tek panorama dhe gjurmët që lë brenda lexuesit fuqia e një pushteti totalitar, që të heq agjencinë e ndërgjegjes duke të shndërruar në një robot që përsërit në mënyrë motorike mësimet e një besimi të krijuar posaçërisht për të shndërruar njeriun në një ushtar të bindjes dhe vullnetit të udhëheqësit.

Në fund, libri është një pasqyrim i fesë politike dhe shndërrimit të saj sot. Një derë e hapur që kushdo të lexojë fenë politike sot apo ndoshta post-faktumin e kësaj feje në Shqipërinë e sotme!

Artikulli paraprakRikthehet Modeli i Bankave Italo-Shqiptare. A po përgatit qeveria Bankën Patronazhiste për zgjedhjet e më tej?
Artikulli tjetër“Gabimet” e diasporës/ Rreth 40% e aplikimeve nga emigrantët janë refuzuar prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve