Mbi takimin Basha-Rama

Tritan SHEHU

Takimi i mundshëm Rama- Basha ka ngjallur diskutime të ndryshme sot e prej disa ditësh.
Unë e konsideroj pozitiv dhe normal një takim të tillë politik.
Gjithmonë kam qenë e jam për dialog e kontakte politike, të çdo niveli.
Një praktikë e tillë ka qenë pjesë e filozofisë së PD edhe në momentet më të vështira për vendin e tensionet më të larta midis aktorëve politikë  te ne, siç ishte psh viti 1997.
Efektet e këtyre takimeve dhe kontakteve në shumicën e rasteve kanë qenë pozitive.
PS e viteve të fundit i është shmangur tryeza politike rreth çështjeve madhore të vendit, për t’ia “deleguar” ato ekspertëve, lidhur kjo me mungesë vullneti politik dhe përfshirje të saj nga komplekset.
Unë gjykoj se këto takime e kontakte nuk kanë pse të konsiderohen si evenimente madhore, nuk kanë pse të mistifikohen, janë veçse pjesë e punës, aktivitetit politik që mbështetet mbi dialogun.
E rëndësishme është që veçanërisht takimet publike të paraprihen nga një përgatitje serioze e konkrete, gjë që lidhet direkt me rezultatin tij.
Dua të theksoj se ky takim potencial nuk zbeh aspak skandalet e problemet ku është  përfshirë “Kampi i majtë” në vazhdim dhe së fundmi.
Si i tillë ai as ka për qëllim dhe as mund të shpëtojë apo lehtësojë qeverisjen nga dështimet e saj evidente.
Një takim i tillë do të ishte veçse një përpjekje e përgjegjeshme, në radhë të parë e PD si opozitë, për të ndihmuar vendin e qytetarët tanë në këto momente shumë të vështira që po kalojmë, një shtytje për rrugën tonë europiane.

Artikulli paraprakPërdhunuesi, simbol i Rilindjes socialiste
Artikulli tjetërZëvendësministri i Tahirit, i dënuar me 4 vite burg për trafik makinash