Akil KRAJA
Përfaqësuesit e rinj të shpresës: një urim dhe disa mendime mbi zgjedhjet e Kryesisë së FRPD-së dhe rininë demokrate
Me zgjedhjen e përfaqësuesve të sekretariateve dhe departamenteve të tij, sipas parimit një anëtar – një votë, Forumi Rinor i Partisë Demokratike përmbylli një cikël të jashtëzakonshëm demokratik, i cili zgjati pothuajse një vit, duke u kthyer në një shembull për çdo forcë politike e jo më për forumet rinore politike shqiptare.
Sot, që nga Kryetari i Forumit, e duke vazhduar me Kryetarët e degëve, Këshillin Kombëtar dhe Kryesinë e Forumit Rinor, çdo hallkë organizative e FRPD-së është bazuar në parimet e garës mes listave të hapura dhe të një anëtari një votë.
Ndaj sot gjej rastin të përgëzoj të gjithë të rinjtë e të rejat demokratë të zgjedhur rishtazi në FRPD si dhe në veçanti Kryetarin e Forumit, Belind Këlliçin, për këtë proçes të jashtëzakonshëm për kulturën dhe praktikën tonë të demokracisë së brendshme.
Kjo është një fitore e shumëfishtë e Kryetarit Basha, që po promovon parimin e një anëtari një votë në çdo shkallë të strukturës së Partisë Demokratike. E Belind Këlliçit që arriti ta përvetësojë këtë frymë, duke e shtrirë atë në çdo degë dhe strukturë të FRPD-së. Si dhe një fitore e vetë kandidatëve rishtazi të zgjedhur, pasi u besuan dhe u zgjodhën në krye të sekretariateve dhe departamenteve pas një proçesi sërish unik për një forcë politike.
Por kjo është dhe një fitore e jona, e çdo të riu dhe çdo anëtari të Partisë Demokratike, të cilët shohin tek këto të rinj pasqyrimin e një ëndrre kolektive për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri të zhvilluar dhe emancipuar ku demokracia e brendshme dhe meritokracia nuk janë fjalë boshe, por shembuj realë të praktikuar në Forumin Rinor më aktiv shqiptar.
Si një fitore e përbashkët, kjo nënkupton dhe një kontratë morale që lidhet mes të rinjve demokratë dhe të zgjedhurve në Kryesinë e re të FRPD-së. Eshtë një kontratë që na bashkon dhe që krijon një “NE” me qëllim arritjen e një objektivi unik: dhënies fund të kapjes së shtetit nga “Rilindja”.
Kjo është një betejë për rivendosjen e demokracisë në vend, ku rinia duhet medoemos të ketë një rol të rangut të parë.
Ndaj sot, duke u angazhuar në Kryesinë e FRPD-së, këto të rinj zgjodhët të dilnin publikisht, në linjën e parë të një beteje për një Shqipëri më të mirë, duke sakrifikuar me siguri një bursë universitare, një notë, një vend pune, por dhe të afërmit e tyre të cilët me siguri do të jenë objekt presionesh, shantazhesh e kërcënimesh vetëm e vetëm që të ngadalësojnë përhapjen e kësaj fryme dhe të alternativës sonë demokrate. Pavarësisht presioneve, kjo është një betejë që NE do ta fitojmë, të gjithë së bashku.
Por si?
Sfida më e madhe e jona do të jetë t’i përgjigjemi pyetjes ekzistencialiste të qindra mijëra të rinjve shqiptarë sot: Përse duhet të zgjedh Shqipërinë? Përse të mos emigroj për një jetë më të mirë? Përse duhet të mendoj të ngre një familje, një projekt jete, një sipërmarrje në Shqipëri? Përse duhet të ndihem krenar për një vend që renditet si prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë, krenar për një vend që shet drogë?
Arratisja, largimi, braktisja e kujtimeve të fëmijërisë dhe familjes është përgjigja që të rinjtë i japin kësaj dileme. Shqipëria po vdes çdo ditë e nga pak teksa janë me qindra e mijëra të rinjtë që kërkojnë azil në Gjermani, “geen-card” në Amerikë e bashkim familjar në Itali. Verdikti është i qartë, të rinjtë po e braktisin Shqipërinë.
Në këtë kontekst, të rinjtë shohin tek FRPD një zë të tyrin që kërkon më shumë vëmendje nga deputetët demokratë ndaj problematikave rinore. Ata presin nga FRPD të bëhet pjesë e programit elektoral të Partisë Demokratike, duke nxitur përmirësimin e alternativës sonë qeverisëse, por dhe inovacionin e mendimit tonë ideologjik.
Një komb pa rini është një komb pa të ardhme. Të rinjtë e zgjedhur në Kryesinë e FRPD sot morën përsipër përgjegjësinë e një barre jashtëzakonisht të rëndë – të bëhen përfaqësues të shpresë-humburve…
Ndaj pikë së pari, në mënyrën më urgjente dhe gjithëpërfshirëse, të gjithë së bashku, duhet të investohemi të kthejmë shpresën tek të rinjtë shqiptarë, të frymëzojmë atdhe-dashurinë, të ngjallim besimin që jemi në nivelin e detyrës.
T’i frymëzojmë të rinjtë të na bashkohen jo duke u premtuar vende pune. Por duke i bërë pjesë e një aventure dhe ekipi që i jep përgjegjësi, që i dëgjon dhe që i mbështet jo vetëm për të mbushur salla e duartrokitur folësin e radhës. Ne, të rinjtë demokratë, duhet të promovojmë lirinë dhe meritokracinë.
Lirinë për të menduar dhe për t’u shprehur ndryshe nga njëri-tjetri, lirinë për të debatuar, lirinë për të vepruar, për t’u angazhuar dhe për të filluar çdo aksion të mundshëm në shërbim të kauzës, dhe kur nuk jemi autorë të saj. Vetëm kjo lloj lirie do të mundësojë që secilit t’i njihet merita, dhe të promovohet në bazë të investimit individual. Konkurrenca e lirë është gur themeli ynë.
Të jemi modest në të përditshmen mes nesh, duke mos harruar kurrë që politika është një profesion ku jemi ne që u shërbejmë të tjerëve, dhe jo ku të tjerët na shërbejnë neve.
Të ndjekim modelin, vizionin dhe strategjinë e Kryetarit Basha, i cili po sjell standarde të jashtëzakonshme të demokracisë së brendshme, të profesionalizmit dhe të kurajos politike, duke propozuar platforma e zgjidhje konkrete, pavarësisht presioneve fizike, diplomatike apo verbale që mund ta shënjestrojnë.
Të mësojmë nga dy dekadat e shkuara nën lidershipin Berisha, duke shkëmbyer sa më shumë me ata që na kanë paraprirë, duke u konsultuar me ta, duke i respektuar dhe duke i ndjekur në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një qeverisjeje të djathtë.
Përveç shpresëdhënies, ne, të rinjtë demokratë duhet t’i përgjigjemi një tjetër pyetjeje po kaq të rëndësishme: Çfarë do të thotë, për një të ri sot në Shqipëri, të jesh demokrat? A duhet të jesh nga një familje e persekutuar? A duhet të jesh sipërmarrës? Apo duhet të jesh liberal, dhe të mbrosh tezën që sektori privat bën gjithçka më mirë se publiku, përfshi në arsim, shëndetësi apo infrastrukturë?
Nganjëherë është e vështirë të plotësosh të gjitha kriteret njëherazi ndaj i takon Kryesisë së re të FRPD-së të diskutojë mbi to. Të thuash se disa të rinj janë më shumë demokratë se disa të tjerë, është e vështirë për t’u pranuar nëse vota e tij është blu.
Ndaj, sekretariatet dhe departamentet duhet të pranojnë të diskutojnë me çdo të ri mbi dyshimet që ata mund të kenë dhe ideologjinë tonë të djathtë. Të mos harrojmë kurrë se të qenurit demokrat, nënkupton në radhë të parë lirinë e çdo individi për të menduar ndryshe. Të mos kërkojmë me çdo kusht konformizmin e mendimit sesa ballafaqimin e ideve.
Vetëm hapja ndaj të rinjve – afrimi i tyre dhe shkëmbimi me ta, dhënia përgjigje ndaj çdo pyetjeje që ata mund të ngrenë, pavarësisht faktit nesë mendojnë ose jo si ne – do të na mundësojë zgjerimin e bazës sonë elektorale. Një detyrim dhe një objektiv kaq i nevojshëm për të kaluar nga statusi i një partie opozitare në atë të një force politike qeverisëse.
Ndaj përtej çdo hierarkie, niveli formimi, moshe apo origjine, të pasqyrojmë përherë mirësjellje dhe mirënjohje ndaj tjetrit. Askush nuk duhet të paragjykohet dhe çdo mendim i dhënë meriton të dëgjohet. Nga vënia në jetë e parimit një anëtar një votë deduktohet dhe një parim i dytë. Të rinjtë e sapo zgjedhur janë të parët mes të barabartëve ndaj çdo zë rinor që kërkon të shprehë diçka duhet dëgjuar me modesti.
Sfida më e madhe do të jetë padyshim ajo e ambicies që dëshirojmë t’i japim Forumit Rinor. Duke ruajtur karakteret dhe individualitetet e gjithsecilit, të gjithë së bashku, nga anëtari më i thjeshtë e deri tek më i larti, ne duhet të ushqejmë një ambicie pozitive….
Duhet të kemi kujdes nga thashethemet. Ceni më i keq kur angazhohesh në politikë, dhe kjo ndodh kudo, jo vetëm në Shqipëri. E vetmja mënyrë për t’i menaxhuar ato është të injorohen plotësisht. Të flasim për punën dhe angazhimin e bashkëpunëtorëve tonë, jo për jetët private të tyre. Çdo keqkuptim mund të parandalohet krejt lehtësisht, duke analizuar strategjitë e aprovuara dhe planet e shkruara, jo fjalët në ajër dhe hamendësimet e kafeneve.
Duhet të jemi kolegjial, duke synuar sa më shumë një vendimmarrje që është njëherazi kolektive (kryesia mund të diskutojë çdo gjë), solidare (çdo aksion është përgjegjësi kolektive, askush nuk braktiset rrugës) dhe e bashkuar (individualitetet mundësojnë përparimin vetëm nëse shprehen brenda kornizave të pranuara bashkarisht).
Të lexojmë sa më shumë libra e artikuj dhe takojmë dhe më shumë të rinj në të përditshmen tonë. Në një kohë gangsterësh, të rinjve u duhen modele morale pozitive që t’i lartësojnë, t’i frymëzojnë, që shkëmbejnë mbi risi, inovacione e ide moderne. Rinia shqiptare duhet të ketë besim se të rinjtë demokratë janë paravijë. Ata duhet të na ndjekin jo se premtojmë vende pune (dhe aq më pak pse organizojmë shkuma parti apo ofrojmë pije falas), por se Partia Demokratike u ofron një alternativë qytetare..
Të punojmë sa më shumë mbi strategji të formalizuara e mirëmenduara, që dalja në terren të jetë sa mirë organizuar, pa surpriza, pa risqe e që çdo takim të jetë unik. Vetëm kështu mund të nxjerrim maksimumin nga çdo formë opozitarizmi si në Facebook, në rrugë, në shkolla e universitete.
Të nxisim shkathtësinë intelektuale, por dhe atë fizike. Po aq rëndësi sa dhe cilësia sesi shprehemi në emër të Partisë Demokratike, mund të ketë në disa raste dhe mbajtja e karrigeve apo ecja me orë të tëra deri sa dhe broshura e një-mijtë, më sfilitësja dhe e fundit të mos shkojë dëm.
Duke kërkuar standardet më të larta në gjithçka dhe nga gjithkush, mund të krijojmë një frymë unikale. Të rinjtë janë dinamikë, krijues, optimistë, inovues, sfidues – këto trajta nuk duhen humbur kurrsesi nga krijimi i kufijve territorialë mes sekretariatesh e departamentesh. Është turp të kesh turp për të kërkuar më shumë informacion, për të propozuar alternativa, për të sjellur risi.
Duhet të promovojmë punën tonë, jo vetveten. Duhet të promovojmë sekretariatet dhe departamentet tona, jo vetëm profilet tona Facebook. Kurdoherë puna flet vetë.
Qokat janë të panevojshme nëse fuqizojmë meritokracinë, në baza transparence, konsultimesh e kriteresh të njohura dhe të miratuara nga të gjithë. Nuk mund kurrsesi të ngjallim shpresë e besim tek elektorati ynë rinor, nëse bëhemi një pasqyrë e gënjeshtërt të një realiteti që nuk e zbatojmë vetë.
Dhe së fundmi, të mos synojmë të gjithë të bëheni shtetarë e nëpunës civilë. Nëse besojmë tek taksat e ulëta, atëherë të besojmë dhe tek shanset që jep sipërmarrja, duke u bërë të tillë. Nëse besojmë tek paprekshmëria e pronës, atëherë t’i japim vlerë asaj, duke e punuar dhe e modernizuar atë. Nëse besojmë tek liria e fjalës, atëherë ta mbrojmë, duke e ushtruar atë më fort nëpër media e televizione. Nëse besojmë tek një Shqipëri e djathtë, nëse besojmë tek potencialet e saj, nëse besoni tek historia e saj, atëherë
Urime dhe një herë të gjithë të rinjve të zgjedhur në pozicionet e Kryesisë së FRPD. Fondacioni për Liri dhe Demokraci do të jetë përherë në shërbim të fuqizimit tuaj, pasi, NE, të gjithë jemi, Rinor & Demokrat!
Autori, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Liri dhe Demokraci