Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot funksionalizimi i monitorimit elektronik, do të luftojë dhunën në familje si asnjëherë më parë.
Kurti i bëri këto deklarata pas një takimi të organizuar nga Policia e Kosovës, e cila ka demonstruar se si do të funksionojnë hallkat për monitorim elektronik të kryesve të dhunës, apo të dyshuarve.
Shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra. Ligji për mbikëqyrjen elektronike ka hyrë në fuqi në qershorin e vitit 2015, mirëpo nuk është jetësuar asnjëherë.
Mbikëqyrja elektronike, që do të hyjë në fuqi menjëherë, do të vlejë për secilin individ, kanë thënë autoritetet, sapo të ketë vendim të gjykatës për urdhër mbrojtjeje.
“Ka qenë kërkesë e kamotshme që policia jonë, për të pasur parandalim më efikas, hetime më të mira dhe trajtime më gjithëpërfshirëse, të kalojë edhe në këtë fazë të hallkave për monitorim elektronik”.
Hallka do të vendoset në këmbën ose dorën e dhunuesit, ose të personit të dyshuar, ndërsa viktimat dhe autoritetet do t’i kenë gjurmuesit. Nëse viktimës i afrohet i dyshuari në zonën që ia ndalon gjykata, sinjali u shkon me automatizëm nivelit lokal dhe qendror të policisë, dhe nisin procedurat standarde për ndërhyrje.
“Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është thjesht te mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por te mosrespektimi i urdhrave mbrojtës. Meqenëse ka të tillë që do të vazhdojnë me mosrespektim të urdhrave mbrojtës, ne kemi bërë një hap gjigant për mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave”, ka thënë Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dhuna në familje nuk është çështje private, është përgjegjësi e institucioneve, andaj pret veprime serioze nga prokuroria dhe gjykatat.
Sipas Haxhiut, dënimet e buta vetëm mund t’i inkurajojnë dhunuesit. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se hallkat për mbikëqyrje do të përdoren edhe për parandalim të veprave tjera penale, mirëpo parësor do të jetë parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave.
Shefi i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se policia e ka pasur obligim zbatimin e ligjit ekzistues dhe një gjë e tillë është mundësuar pasi Qeveria ka ndarë buxhet të veçantë, pa përmendur shifrën.
Nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë./REL/