Mbjellje masive kanabisi në Vlorë

Në Vlorë nisën të shfaqen vatrat e para të mbjella me marijuanë për këtë vit, ndërkohë që në shumë zona në Jug të Shqipërisë është rikthyer shqetësimi për kultivimin e drogës. Policia e Vlorës tha të hënën, se në bashkëpunim me repartin policor “Delta Force” dhe Prokurorinë e Vlorës shkatërruan me anë të djegies rreth 340 bimë marijuane dhe bllokuan rreth 40 kilogramë marijuanë të presuar në një automjet që udhëtonte në aksin rrugor Kotë-Drashovicë. Policia publikoi foto nga operacionet ku bimët e marijuanës të mbjella në sipërfaqe kullosore shkonin nga 20 cm deri në 1 metër.
Policia tha se ka proceduar penalisht 4 zyrtarë në Shërbimin Pyjor dhe Njësitë Administrative dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë tha se, në bashkëpunim me të gjitha agjensitë e tjera ligjzbatuese do të kryejë kontrolle nga toka si dhe nga ajri me helikopterë, me qëllim zbulimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike. Vlora është një nga epiqendrat e kultivimit dhe transportimit të lëndëve narkotike drejt Italisë.
Trafiku i marijuanës me mjete të shpejta lundrimi përmes hapësirës detare është rritur ndjeshëm muajt e fundit, duke rritur edhe dukuritë kriminale. Disa raste të gjetjes së disa viktimave të mbytura në ujë dyshohet se i përkasin aktivitetit të trafikut, ndërkohë që edhe policia italiane ka vënë në pranga muajt e fundit rreth 30 skafistë nga Vlora që janë akuzuar për transportimin në brigjet italiane të tonelatave me marijuanë.

Misione të shtuara fluturimi për zbulimin e marijuanës

Autoritetet shqiptare dhe italiane u takuan të hënën në Tiranë për të koordinuar misionet e fluturimeve që do të monitorojnë territorin shqiptar, në kuadër të zbatimit të protokollit për zbulimin e vatrave të mbjella me marijuanë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë shqiptare, autoritetet italiane kanë deklaruar se janë të gatshëm të kryejnë 30% më shumë fluturime se vitin e kaluar.
Autoritetet italiane kanë pohuar se falë teknologjisë së avancuar është reduktuar edhe koha në përpunimin të të dhënave duke mundësuar koordinimin për ndërhyrje të shpejta policore në terren. Sipas raportit vjetor të policisë shqiptare gjatë vitit 2016, Roja bregdetare italiane “Guardia di Finanza” i përcolli Policisë shqiptare 27 raporte monitorimi nga ajri, ku ishin evidentuar 2.086 parcela me narkotikë.
Policia shqiptare tha se nga këto koordinata ishin verifikuar në terren 99.8% e tyre, dhe u asgjësuan rreth 740 mijë bimë narkotike, të cilat sipas autoriteteve shqiptare përbënin rreth 30% të totalit të bimëve narkotike të asgjësuara në Shqipëri. Por analistë të shtypit i vunë në dyshim shifrat e verifikimit në terren dhe asgjësimit të bimëve narkotike pas zbulimit të disa dhjetëra tonëve marijuanë si në territorin shqiptar dhe në brigjet italiane në muajt që pasuan vjeshtën e vitit të shkuar, kur u raportuan të dhënat. /Zëri i Amerikës/

Artikulli paraprakRama zëvendëson drejtorët e policisë me trafikantë droge
Artikulli tjetërLubonja: Mbështes protestën e 13 majit në Tiranë