Gjatë fjalës së tij në kryesinë e PD, kryetari Basha është shprehur se, brenda Partisë Demokratike ka vend për të gjithë, por nuk mund të ketë vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve.
“Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prilllin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë.
Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër vecse i japim një dorë kalçifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas të cilës hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore.
E di që është e vështirë, e di sepse e provojë në lëkurën time përditë, këtë përmbysje djallëzore vlerash, pasi jam shënjestra e parë e kësaj fushate denigruese që mbahet në këmbë nga një makineri propagandistike e madhe. Por unë e mbaj peshën e këtyre sulmeve sepse besoj tek Shqipëria dhe sepse besoj që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo kurre për nje HAJDUT tjeter me te madh, apo një ortak me te zote te bandave dhe mafias”, është shprehur kreu i PD, Lulzim Basha në mbledhjen e kryesisë.
Basha: Viktimat e masakrës elektorale Rama-Doshi janë qytetarët shqiptarë
Gjatë fjalës së tij në kryesinë e PD, Basha është shprehur se, ‘regjimi Rama-Doshi janë vjedhja, krimi dhe anti-vlerat-ne jemi të gjithë kundër tyre që Shqipëria të fitojë’.
Basha është shprehur se është i bindur në drejtësinë e betejës së PD-së, ndërsa u shpreh se viktimat e masakrës elektorale Rama-Doshi janë qytetarët shqiptarë.
“Unë jam i bindur në drejtësinë e betejës tonë. E di se si unë ndihet shumica dërrmuese e demokratëve, e ndjej zemërimin e tyre për masakrën zgjedhore të 25 prillit, e di që ata janë gati që këtë zemërim ta kthejnë në energjinë e nevojshme për ta luftuar betejën tonë deri në fitore.
Prandaj ju kërkoj të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Të bashkuar në këtë moment përcaktues për të ardhmen e betejës tonë dhe për fatet e vendit dhe të përmirësojmë, bashkërisht, ato gjëra që sigurisht mund dhe duhet të përmirësojmë’, tha gjatë fjalës së tij kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Sipas tij, ‘regjimi Rama-Doshi ka zgjedhur një sistem qe i përmbys vlerat, që mjetet e të keqes i konsideron më të vlefshëm se mjetet e të mirës. Që legjitimon përdorimin e krimit dhe që nuk lë shteg tjetër veçse futjen e vendit në një spirale vicioze, ku bandave i duhet përgjigjur me banda, vjedhjes me vjedhje, antivlerave me antivlera.
Por a është ky misioni ynë? A është kjo ajo që në duam për Partinë Demokratike? Ajo që ne duam për të ardhmen e këtij vendi?
Përgjigja ime është jo. Jo dhe prapë jo! Kjo nuk mund të jetë alternative jonë për Shqipërinë. Prandaj nuk do ndalemi asnjë çast derisa të çmontojmë këtë regjim dhe vlerat që i ndajmë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve të triumfojnë”, u shpreh Basha.