Mbrojtja shtylla e ekipit

Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet në Durrës, në prag të miqësores së 26 marsit me Norvegjinë, në “Elbasan Arena”. Pavarësisht shirave dhe kohës së keqe të këtyre ditëve, trajneri Panucci nuk e ka ulur ritmin, duke dashur t’i “karikojë” maksimalisht të tijtë në aspektin fizik. Në konferencë për shtyp ka dalë edhe Mërgim Mavraj. Ky i fundit, mes të tjerash ka nënvizuar: “Në kombëtare e kemi dëshmuar shumë herë se edhe mbrojtja ka qenë shtyllë e ekipit. Me rivalë të fortë kemi dalë shumë mirë. Lojtarët e rinj besoj do të na ndihmojnë për të zhvilluar edhe ne të vjetrit. Ekipi dhe mbrojtja do të jetë në formë për ndeshjen e ardhshmen. Pas largimit të Canës, kujt i ka rënë përgjegjësia e liderit? Këto janë gjëra, që për mediat luajnë rol. Ekipit të suksesshëm i duhen 11 liderë. Liderin nuk e ka bërë Loriku dhe askush tjetër, por të gjithë bashkë. Duhet të marrë çdo lojtar përgjegjësitë përsipër. Jemi shumë mirë. Të afruarit do të kontribuojnë për të qenë të suksesshëm. Nuk është ky ekipi përfundimtar. Jemi në fillim të zhvillimit tonë. Kemi kohë për të formuar ekipin përfundimtar. Lënia jashtë e lojtarëve ndikon përgjithësisht për mirë. Ku ndryshon De Biazi me Panuccin? Mosha e tyre është ndryshimi. De Biazi ka qenë më i qetë. Panucci është më shumë entuziast. Ai me mish e me shpirt e përjeton situatën. Në futboll flet suksesi. Nëse nuk ke sukses, do të ballafaqohesh me kritikat. Tani luajmë me më shumë guxim, sepse kemi më shumë eksperiencë. De Biazi ka shumë kontribut në këtë pjesë. Futbollistët e rinj? Është një shans shumë i madh për ta. Të gjithë kemi qenë në këtë situatë. Kanë pak emocione, por me siguri do të krijojnë besim dhe do të japin më të mirën.

Skemat e Panuccit? Shqipëria i ka potencialet për të luajtur siç do trajneri i kombëtares. Normalisht, jemi në zhvillim. Nga një ditë në tjetrën mund t’i ndryshosh dhe planifikosh skemat. Është gjë normale, por duhet kohë. Ndonjëherë sistemi që ke zgjedhur nuk funksionon. Kemi shumë lojtarë, që janë në dispozicion. Kemi konkurrencë të madhe, çka kontribuon për t’i mësuar këto skema. Europiani i ardhshëm? Siç e ka treguar e kaluara, po u paraqitëm mirë, çdo kundështar do ta ketë të vështirë me Shqipërinë. Nëse japim maksimumin, mund të fitojmë ndaj kujtdo”. Portieri i Atalantës në Seria A ka folur edhe për rivalitetin e tij me Thomas Strakoshën në kuadratin kuqezi. Mes të tjerash, ai nënvizoi: “Po rikuperohem nga një dëmtim. Unë ndihem mirë, por do të jetë stafi, ai që do të vendosë nëse do të luaj apo jo ndaj Norvegjisë. Personalisht, besoj se do t’ia dal dhe do të jem i gatshëm për të luajtur. Seancat stërvitore kanë shkuar mirë dhe grupi është shumë i motivuar për të bërë më të mirën në këtë ndeshje. Jemi të gjithë optimistë dhe besoj se do të vazhdojmë të tregojmë një formë të mirë. Ka kohë për të menduar për Izraelin, për Skocinë dhe për Ligën e Kombeve. Përqendrimi ynë për momentin është vetëm te sfida ndaj Norvegjisë, pasi duam të vazhdojmë të paraqitemi në të njëjtën mënyrë si ndaj Turqisë dhe pse jo, të fitojmë. Liga e Kombeve? Jemi në një grup, që na jep mundësi kualifikimi. Skocia është një kundërshtar i vështirë, ashtu si edhe Izraeli, megjithatë, mendoj se e kemi forcën për t’i mposhtur këto dy përfaqësuese dhe për ta kaluar grupin. Rivaliteti me Strakoshën? Thomasin e njoh që nga koha që kam qenë te Lazio dhe gjithmonë kam patur një marrëdhënie shumë të mirë me të. Gjëja më e mirë në kombëtare është konkurrenca. Kushdo që të luajë, porta do të jetë e garantuar. Unë apo Strakosha është trajneri që vendos”.

Artikulli paraprakLSI: Shkodra përmbytet, kryeministri krihet
Artikulli tjetërKoncesioni 30-vjeçar i lojërave të fatit, zbardhet përqindja e aksionerëve