Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar dje se gjendja politike në vend është katastrofike dhe ka shtuar se në vend ka shpërthyer një tjetër krizë. Në një intervistë për “Studio e Hapur” në News24, kreu i opozitës ka reaguar për situatën politike në vend ndërsa ka reaguar për skandalin e maturantëve. Ai theksoi se kriza e maturantëve që nuk arrijnë të fitojnë degët sipas sistemit të ri që ka aplikuar Ministria e Arsimit, është emergjente. Basha kërkoi shkarkimin nga detyra të ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe KLSH të bëjë një auditim të plotë deri sa të dalë merita e çdo maturanti. Basha lexoi edhe disa mesazhe që maturantët i kishin dërguar në adresën personale, ku shprehnin shqetësimin për situatën e krijuar.
-Zoti Basha, e patë ndeshjen sot dhe ku e patë?
E pashë pjesën kryesore me të rinjtë dibranë. Një heshtje, por jo humbje e optimizmit. Por për fat të keq nuk munda t’i ndjek sot minutat e ndeshjes, por u informova për rezultatin dhe i përgëzoj për fitoren.
-Ngjan sporti me politikën?
Çështja e sportit u takon sportistëve. Ndërsa gjendja politike në vend nuk ka të bëjë sadopak me sportin. Gjendja politike është katastrofale. Ka shpërthyer një krizë tjetër që është kriza e maturantëve, të cilët gjenden papritur para një realiteti të vështirë. Kanë bërë përpjekje që me anë të rezultateve të tyre kanë mundësinë të studiojnë në universitet, por gjenden para një katastrofe politike që u mohon këtyre të rinjve drejtësi, transparencën dhe mundësinë për të studiuar në bazë të rezultateve që kanë arritur. Dhjetëra mijëra do të ngrenë zërin kundër qeverisë. Protesta është e maturantëve dhe ne do i mbështetim ata. Ne do të bëjmë gjithçka për ta ndalur këtë skandal.
-Si do ta ndaloni këtë?
Ne do ta ndalojmë, sepse të rinjtë kanë studiuar dhe u është mohuar e drejta. Edi Rama dhe ministrja e tij, Nikolla kanë dështuar për të bërë transparencën e nevojshme të ligjit, të cilin ne do ta anulojmë. Aktet nënligjore dhe zbatimi i tyre kanë shkaktuar një kauzë. Nuk ka kritere për degët përkatëse, degë të cilat kanë patur rëndësi të veçantë, papritur janë zeruar të qindra maturantëve të cilëve tani u mohohet. Ndaj duhet të nisë një audit nga Kontrolli i Shtetit. Nga nesër të shkarkohet ministrja e Arsimit, e cila është e paaftë dhe e padenjë. Duhet kontroll në AKP në mënyrë që asnjë maturant të mos i mohohet e drejta. Nëse ndiqen këto hapa, kjo do ta shtyjë nisjen e vitit akademik të paktën deri nën nëntor, por të paktën të mos çojmë dëm maturantët drejt dijes. Kjo është vjedhje dhe nuk mund të pranohet. Ne mbështesim nesër dhe kudo ku janë maturantët. PD do të hapë nesër një inbox për të parë konkretisht sa i thellë është dëmi në këtë rast. Pa zotësia dhe paaftësia janë bashkuar si tipar dallues i kësaj qeverie. Është mungesa totale e çfarëdo lloj kujdesi të kësaj qeverie. Edi Ramës nuk ja ndjen. Siç del për gjërat më banale duhet të dilte për këta maturantë. PD është në krah të tyre me hapa konkret, duke filluar që nesër që edhe ne si opozitë të fillojmë që nesër për të dalë nga kjo situatë. Këtu nuk bëhet fjalë për interesat e PD-së, por për mijëra të rinj shqiptarë. Kushdo mund të më drejtohet në numrin tim për çdo shqetësim që ka. Unë jam i gatshëm t’i përgjigjem.
-Të ndalemi tek fushata zgjedhore në Dibër. Çfarë i konsideroni këto zgjedhje, një lakmues për zgjedhjet e ardhshme?
Këto zgjedhje janë zgjedhjet e dibranëve në radhë të parë. Kam parë një situatë shumë të rëndë atje. Një varfëri e tejskajshme. Aty përballen dy modele. Modeli i pushtetarëve, i të pasurve, të cilët duan të zgjedhin një kukull për të vazhduar, të qeverisë krimi, për të marrë tendera si Sadri Abazi. Këto janë zgjedhjet sot në Dibër. Bëhet fjalë për dy koncepte se si do të jetë nesër jo vetëm Dibra, por mbarë Shqipëria. Por sot kam një lajm të mirë që dibranët duan të votojnë kandidatin që do të jetë në shërbim të tyre dhe ata e kanë pritur shumë mirë zotin Sherefedin Shehun. Edhe të majtët po i bashkohen PD-së dhe fushatës së zotit Shehu. Socialistët dibranë nuk duan që t’ja dorëzojnë vendin e tyre bandave dhe krimit. Unë i pyeta socialistët se pse e bëjnë këtë gjë dhe më thanë: urrejtja. Pushteti në Dibër është në duar të njerëzve të krimit, të korrupsionit ndaj ka dhe të pakënaqur edhe nga vet PS-ja. Socialistët e ndershëm, të cilët rropaten për një ideal nuk e durojnë më këtë gjendje, ndaj iu bashkuan PD-së. I gënjeu për Rrugën e “Arbrit”. U nis puna, por Rama gënjeu, pasi tregon një përçmim për popullin.
-Pse nuk i jepni kohë?
Ka patur 3 vjet kohë dhe se ka bërë. Rruga e “Arbrit” nuk u bë për shkak të korrupsionit të Ramës. Ne ua lamë gati marrëveshjen, por u prish nga Kryeministri. Dhe si rruga e “Arbrit” janë lënë të gjitha rrugët në atë gjendje. Socialistët janë kundërshtarët tanë politikë, janë njerëz dhe ata, dhe janë tërësisht të zhgënjyer dhe të tradhëtar. Por dibranët do të votojnë djathtas, sepse nuk gënjehen më nga Edi Rama.
-Ju jeni impenjuar në këtë fushatë dhe duket se po merrni përgjegjësinë edhe nëse humbë çfarë ndodh?
Dibranët sot janë në gjendje shumë të vështirë dhe ata janë para dy zgjedhjesh, pushtetit të krimit dhe korrupsionit apo të trokasin në derën e profesorit që di t’u shërbejë dhe t’u qëndrojë pranë atyre me problemet që kanë.
(Mesazhe nga qytetarët)
Qytetari 1: Po bëhen përpjekje për intimidimin e organizatorëve të protestës së nesërme për maturantët…
Qytetari 2: Ata që grisën teserën nuk janë në Dibër, por banorë të Tiranës
Basha: Makina e propagandës punon. Kjo nuk ishte një video e PD. Kamera juaj ishte atje, gazetarët ishin atje. Teserat ishin para medias dhe u grisën nga qindra persona, jo nga 1 e nga 2. Nuk më vjen mirë që i grisën. I mirëpres ata që shprehën besimin tek PD. Por në thelb kërkoj që një parti e madhe si PS të gjejë forcën të shkëputet nga krimi e droga. Një parti e madhe si PS nuk mund të kriminalizohet pa i shkaktuar vendit gjithë dramën që po shkakton. Shqetësimi që kanë ngritur socialistët nuk është ky. Por që Muharrem Ramën po e ngre krimi prej pizhamesh për të qeverisur.
Dua të bëjë një ftesë që e bën profesor Shehun: Dibranët janë shquar për Kuvendin, Oda Dibrane është me nam. Ftesa që ka dy javë që përsërit Shehu, të shkojnë në një debat. Dibranët e meritojnë një debat. Le të përballen me njëri-tjetrin. I detyrohet dibranëve një debat me Sherefedin Shehun e të shohim kush ka planet më të mira për Dibrën.
-Flasim për votimin e fundit në Parlament, votimin për vettingun, një moment që prishi konsensusin e madh të 140 votave. Çfarë do të bëni me këtë ligj do ta çoni në kushtetuese?
Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi një produkt që iu shërben shqiptarëve, Reforma në Drejtësi. Tani ky proces që vazhdon nuk është politik, por legjislativ dhe kushtetues. Ne këmbëngulëm për procesin politik, standardet. Që Edi Rama të mos ketë mundësi të intimidojë gjyqësorin. Plani ishte që gjithçka të ishte në dorë të kryeministrit. Dy herë ky plan ra. Në fund, patëm një produkt dhe pavarësisht procesit traumatik, produkti rezultoi një produkt për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe u përshëndet gjerësisht.
Ndonëse mazhoranca është zotuar të punojë me konsensus, ne punuam me intensitet gjatë verës, argumentet u hodhën poshtë, pra kompromentuan procesin. Ndaj kësaj ne reaguam me qëndrimin tonë. Pjesa tjetër do vijojë në rrugë normale. PD është shprehur pro vettingut, SPAK-ut, BKH-së, thelbit të reformës. Po nuk mund të pranojmë që të marrë me votat e Armando Prengës me shokë, atë që i ndalon Kushtetuta. Ne do të ndjekim të gjithë rrugët kushtetuese që çdo ligj të jetë në përputhej me Kushtetutën.
-A do të shkoni në komision?
Ne do të bëjmë punën tonë edhe me partnerët.
-Ligji i Vettingut e kishte marrë bekimin e Euralius dhe OPDAT…
Bekim apo jo-bekim nuk e jep Euralius dhe OPDAT. E dha Papa. Hartimi i këtyre ligjeve i fut ata në llagane antikushtetues.
-Do shkoni në komision më apo do bojkotoni?
Ne e kemi treguar angazhimin tonë. Kjo nuk është në dorën tonë, ne kemi qëndrimet tona.
-Cili do jetë?
Do mbajmë qëndrimet tona.
-Dita është afër..
Afër është, por duhet të shkojmë me ligje kushtetuese, jo antikushtetuese. Ramën e ka kapur frika.
-A do të preket politika zoti Basha, trembeni për veten tuaj? Se ju kanë akuzuar për rrugën e “Kombit”, apo 21 janarin?
Politikisht do ta quaja dështim total nëse politika nuk preket. Ne sot kemi ardhur për shkak të krizës, pasi elita ka tradhëtuar interesat e njeriut të thjeshtë. Kjo qeveri flet në fasadë çdo ditë për demokraci, por punon kundër dinjitetit. Flet për lirinë e fjalës, dhe shtyp lirinë e fjalës. Flet për luftë kundër krimit, kriminalizohet çdo ditë.
-Sipas jush ata që do preken të parët janë mazhoranca…
Një gjë e gabuar është që këtu bëhet orakulli. Sistemi i drejtësisë nuk ta lejon këtë. Është absurde që të pyes gazetari a do të ketë arrestime.
-Ambasadori Lu e ka thënë ketë..
Do kalojmë edhe aty. Të gjithë politikanët duhet të përballen me konsekuencat ligjore. Zbatimi i Reformës në Drejtësi mund t’i hapë derën Shqipërisë për një shtet funksional. Ku i forti, qoftë kriminel, të marrë atë që i takon para ligjit.
-Kjo nuk do ndodhë më thoni ju…
Jo, ajo që them unë është se me atë që votuam në 22 korrik, e kemi mundësinë që të hyjmë në rrugë të mbarë. Me këto aforizma apo fabula, nëse do të arrestohet ndokush, këtë do ta vendosë Gjykata. Kjo rrugë duhet të vazhdojë. Ndaj, sfida kryesore e vendit tonë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Makthi i politikanëve të korruptuar, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
-Ju po flisni për “Qeverinë teknike” do ju pyes më pas..
Mund të më pyesni kur të doni. Jam gati.
-Nuk e keni përmendur qeverinë teknike..
Po folëm për drogën..zgjedhjet.
-I keni rikuperuar marrëdhëniet me ambasadorin Donald Lu?
Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ai është një diplomat i shkëlqyer, unë një politikan karriere. Nuk kam pse të amnistohem unë. Jam rivendikuar. Më është dhënë të drejtë. PD dhe Lulzim Bashës, dhe gjithë qëndrimeve që kemi mbajtur. Ndaj në kolazhin tuaj mungon deklarata e PPE-së. PD dhe roli i PD, në përcaktimin e amendamenteve kushtetuese ka qenë përcaktues. Kemi marrë vlerësime për këtë. Ndaj, rëndësi ka rezultati.
Altoporanti i qeverisës është altoporlanti i qeverisë. Merkel është Merkel. Kukan është Kukan, Zv.sekretarja Nuland është Nuland…
Doni të thoni që ambasadori amerikan mendon se Lulzim Basha është pengesa për reformën?
Jo.
-Ka patur momente të tensionuara?
Ka patur shumë momente të tensionuara. Por marrëdhëniet me ambasadorin amerikan janë të shkëlqyera. Nuk pranova asgjë që nuk do ta pranonin amerikanët. Kjo çoi në një produkt me 140 vota. Atëherë nuk ka vlerë të merresh si arritëm këtu.
-A jeni të zhgënjyer nga disa zëra kundër në grup?
Përkundrazi, kam mirënjohje për grupin parlamentar. Situata ka qenë jashtëzakonisht dinamike për shkak të planit të Ramës për të sabotuar konsensusin. Ne përballeshim çdo orë me ndryshime qëndrimesh dhe me truke. Sfida ishte të mbanim të informuar grupin parlamentar. Shpreh mirënjohjen për grupin parlamentar. Kemi pasur debate shumë të nxehta, por në fund të çdo debati vendimet kanë qenë unanime.
-Ka patur deklarata publike…Ka patur deputetë që thoshin do e votojmë kur ju thoshit do djegim mandatet…
Është interpretimi juaj. Kam thënë n.q.s blihet një votë e vetme ky është fundi i Parlamentit. Askush nuk është shprehur për votimin, sepse paketa ka mbaruar në 22:30. Askush nuk ka dalë kundër vendimit të kryetarit të PD. Grupi ka pasur debate dhe kjo është shenjë e një kulture të re që po forcohet në PD. S’mund të jemi një parti e gojëve të mbyllura.
Mendoj që Reforma në Drejtësi ka përfunduar me amendamentet kushtetuese. Sot, debati është diku tjetër. Sot është çfarë shansesh do të ketë shqiptari që të ketë një drejtësi të pakorruptuar, si do të zbatohet kjo reformë dhe kjo varet tërësisht nëse vendi do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.
-Vettingu u miratua vetëm me votat e mazhorancës, Meta nuk foli më pas asaj dite për konsensus. Mendoni se ju tradhëtoi Meta?
Meta s’ka se si ta tradhëtojë PD-në. Është aleat i Ramës. E përshëndeta, pasi mbajti një qëndrim të arsyeshëm për t’iu dhënë shqiptarëve një reformë me bashkëpunimin e të gjitha partive politike. Nuk i bëri një shërbim PD-së, por i bëri një shërbim Shqipërisë. Edhe në këtë moment, ka qenë aleat i koalicionit qeverisës.
-E prisnit që Meta të mos kërkonte konsensus?
Është proces legjislativ dhe jo politik. Këta nuk angazhohen në një diskutim të tillë, sepse nuk iu bëhet vonë. Opozita ka një qëndrim të qartë, procesi është legjislativ dhe kushtetues. Ishte qëndrim anti-kushtetues.
-Pas takimit me Ilir Metën në Rinas…
Se kam takuar zotin Meta në Rinas, jemi gjendur në një sallë. Takimi i fundit ka qenë më 12 qershor.
-A keni lënë ndonjë bisedë të hapur me zotin Meta?
Jo nuk kam lënë ndonjë bisedë të hapur. Çfarë doni të thoni?
-Ju nuk e përdorni në diskursin politik “Rama-Meta”…
Unë kam një objeksion ndaj kësaj pyetjeje, sepse në këtë mënyrë media po i bën një shërbim të madh keqqeverisjes së vendit. Këtu ka një teatër.
-Do të bëni koalicion me Metën?
Koalicioni i PD duhet të mbushë dy vlera, që t’i përballet alternativës sonë, të dhënies pushtet qytetarit, përmes rritjes së përgjegjësisë dhe transparencës të partive politike. Të një sërë çështjesh që do të jenë objekt diskutimi. Pyetja është nëse a është Meta për krimin dhe korrupsionin?. Por ai qeveris me Ramës. Duhet të përmbushë kushtet tona. Duhet të kthejë besim dhe shpresë tek qytetarët, por e kanë humbur.
-A do bashkëpunoni me Ilir Metën këtë duan të dinë shqiptarët?
Nuk duan të dinë shqiptarët këtë. Por a kanë shans të qeverisen nga njerëz të përgjegjshëm, si i zgjidhin problemet e tyre, se si tua bëjnë jetën më të lehtë dhe jo tua vështirësojnë atë. Ata kanë vrarë shpresën e tyre. Dilema jonë është çfarë mund të bëjmë për qytetarët dhe jo për të vjedhur dhe zhvatur qytetarët. Nuk është kjo telenovelë turke. Duhet tejkaluar telenovela turke dhe t’u jepet zgjidhje qytetarëve shqiptarë. Misioni ynë është t’u shërbejmë qytetarëve. Janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Kush bashkohet me këtë, është i mirëpritur në koalicion me Lulzim Bashën. Nuk kanë rëndësi numrat, por vlerat.
-Kanë rëndësi dhe numrat…
Jo nuk kanë rëndësi. Unë po flas për vlerat. Po flas për një qeveri që dhunon qytetarët, i zhvat ata, i rrjep ata. Dhe pyetja e madhe është si mund t’i japim fund kësaj gjendjeje. Nuk është çështje emrash dhe mbiemrash, por çështje vlerash. Kushdo që i bashkohet kësaj është i mirëpritur tek ne. PD dhe Lulzim Basha po ndërton një koalicion vlerash.
-Kemi një karikaturë të zotit Bujar Kapexhiu që ju jeni duke zgjatur dorën për të marrë njerëz nga e majta…
Bujar Kapexhiu është karikaturist i përmasave globale, por ideja e tij është vazhdim i telenovelave turke. Burimi i pastër, por turbullohet rrugës. Unë fola për vlerat.
-Pra ju nuk e mirëpritni Ilir Metën?
Ajo që kërkon Shqipëria është koalicion vlerash. Kërkojmë të fuqizojmë pushtetin e qytetarëve dhe jo atë të zullumqarëve. Kjo vlen për çdo parti, duke përfshirë edhe Ilir Metën meqenëse e përmendët. Nuk duhet të ketë lidhje me krimin. Ne jemi për qytetarët dhe jo për pushtetin e drogës.
-A do të vazhdoni ju të kërkoni një qeveri teknike dhe si do ta arrini këtë, pasi Ilir Meta e tejkaloi këtë?
E kam kërkuar unë dhe i qëndrojmë sërish, sepse Tahiri me Ramën nuk janë dhe nuk do të jenë në gjendje të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo, pasi ata janë vetë të lidhur me krimin. Ndaj e kemi kërkuar një qeveri teknike që të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, zbatimin e ligjit elektoral.
-Përse dy parti politike të spektrit të majtë PS dhe LSI duhet të lëshojnë pushtetit dhe t’u lejojnë ju…?
Thirrjen e kam bërë në kushtet e në një situate të vështirë, që është e vetmja mënyrë për të ruajtur ashtin e demokracisë është krijimi i një qeverie teknike. Rast pas rasti kjo qeveri jo vetëm që është treguar e pagatshme për zgjedhje të lira, por përkundrazi i ka dhunuar ato. Duke përfituar nga bojkoti i opozitës amnistuan ata që vodhën votat në Korçë. Ndaj është elementare që të kërkojmë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
-Nëse nuk ka qeveri teknike do të hyni në zgjedhje?
Unë nuk flas me nëse. Përgjigja që dhashë ishte e qartë. Unë besoj shqiptarët do të bashkohen rreth nevojës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qëllimi i Edi Ramës është të drogojë Shqipërinë e shqiptarët. Ka rrënuar ekonominë e vendit. Ka mbrojtur banditët e vendit. Ndaj detyra jonë është të bashkojmë shqiptarët për zgjedhje të lira me çdo kusht dhe me çdo çmim. Ne do të kemi mbështetjen SHBA-së, BE, Gjermanisë. Dhe çështja e zgjedhjeve të lira nuk është e dorës së dytë. Është çështje e dorës së parë.
-Ju do të hyni në zgjedhjet e 2017?
Ne do të realizojmë koalicionin më të madh. Çdo shqiptar që ndjehet i kërcënuar, do të jetë në krah të opozitës. Unë po flas për gjendje reale. Kemi një Shqipëri të shqetësuar për fëmijët e tyre. Shqiptarët e kuptojnë këtë, ndaj roli i opozitës është që t’i ndërgjegjësojë shqiptarët që kjo nuk është rastësi, por është produkt i kësaj qeverie. Ndaj duhet të shpërfillet dhe të ngrihemi edhe me protesta, pasi është çështje e stabilitetit në vend. E ka thënë Jon Kerry: Kush nuk lejon ndryshimin paqësor, hap rrugë për ndryshim të dhunshëm. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e kultivuar me kanabis dhe ky është produkt i Edi Ramës.
Marrë me shkurtime nga emisioni
“Studio e Hapur”, i gazetares Eni Vasili