Mbushën rrugët e Belgjikës me kokainë, 10 shqiptarët në gjyq

10 shqiptarë, të akuzuar si anëtarë të dy bandave, të cilët mbushën rrugët e Belgjikës me drogë kanë dalë para gjykatës. Hetimet për ta nisën në fillim të 2016 -ës, pas ankesave të mbërritura në polici nga banorët e Ghent, për shpërndarje të drogës në rrugët e qytetit. Hetimet çuan në zbulimin e dy bandave, që operonin në këtë zonë. Ata e fshinin drogën në makina luksoze, në sende të ndryshme nëpër rrugë, në kuti lulesh dhe në kafene Springs, në zonën e Zuidstationstraat.
Droga fshihej nëpër këto vende në mënyrë që shpërndarësit të mos e mbanin me vete. Kokaina që nuk shitej, fshihej nëpër tualetet e lokaleve, në pritje për t’u shpërndarë sipas kërkesës. Mediat belge shkruajnë se banda tjetër, e përbërë po nga shqiptarë, operonte nga kafene Number One dhe përgjatë rrugës ku ndodhej.
Të dyja këto banda ishin të mirorganizuara. Banda e Springs ishte shumë më e madhe dhe kishte një rreze më të madhe veprimi në Ghent. Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të enjten, u zbulua se policia kishte kryer plot 2,600 orë hetime për rastin në fjalë. Fakti se çështja kishte kaluar nga lokale në federale, bëri që agjentët e Dendermonde të operonin edhe në Ghent.
Policia arriti në zbulimin e këtyre bandave falë përgjimit të telefonatave nga dy telefona celularë të dy prostitutave, që përdoreshin për porosi.
“Kështu, arritëm të zbulonim se kush e shiste drogën dhe çfarë kodesh përdornin për të komunikuar. Kërkonin gjithnjë për X numër minutash dhe X ishte për sasinë e drogës së kërkuar. Në total u zbuluan 43 numra telefoni”, tha akuza përpara gjykatës.

Exit mobile version