Mbyllet tregu i ish-Stacionit të Trenit, tregtarët përfundojnë në rrugë

Kushdo që ka jetuar në kryeqytet, e ka parasysh tregun e Ish-Stacionit të Trenit. Një treg ku mund të gjeje fruta, perime, shpezë, veshmbathje kineze e deri te atletet e përdorura (për të cilat mund të thuhet se ishte më i miri). Sa i përket përmasave, ai mund të ishte tregu i dytë në kryeqytet pas tregut të medresesë (që shërben akoma dhe sot, kryesisht si treg shumice).

Goditjen e parë, ky treg dhe këta tregtarë e morën me fillimin e ndërtimit të Bulevardit të Ri. Në atë kohë, përveçse disa dyqane u prishën nga ky projekt, u mbyll dhe rruga kryesore e tregut që niste aty ku ishte i famshmi “Market Shkodra” dhe kalonte përmes Aluiznit e deri sa dilte te tregu. Shumë tregtarë nuk i mbijetuan këtij ndryshimi. Në treg tanimë duhej të futeshe përmes rrugicave të Uslugës (pallate të Sadri Abazit), gjë që shumë njerëz nuk e dinin dhe mendonin se tregu ishte mbyllur.

Më pas, aty u vendos dhe parkingu i policisë bashkiake dhe për të shkuar në treg, duhet të kaloje përmes parkingut. Gjithësesi, ai treg dukej sikur goditjen përfundimtare do ta merrte nga ndërtimi anash bulevardit. Para dy muajsh, tregtarët ishin njoftuar se data 31 dhjetor do të ishte dita e fundit që tregu do të ishte hapur, sepse do t’i linte vendin hapjes së punimeve për pallatet e radhës. Tregtarët le të shkojnë ku të duan dhe të munden, le të marrin rrobat në krahë, sepse për ta, tranzicioni i tregjeve ka mbaruar! Në këtë fazë të zhvillimit, TREGU do të zëvendësohet nga TEGU dhe sipërmarrja e vogël apo vetëpunësimi do të duken një utopi.

Shkrimi postim i Edison Likës

1000027306 225x300 1

Exit mobile version