“BIRN”
Marrëveshja e 23 qershorit 2014 mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke CEZ a.s shkaktoi një furtunë debatesh politike dhe i kushtoi një kallëzim penal ministrit të Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe Avokates së Shtetit, Alma Hicka. Si drejtues të grupit negociator, ata u akuzuan nga Kontrolli i Lartë i Shtetit se i shkaktuan 479 milionë euro dëm buxhetit të shtetit përmes marrëveshjes së mirëkuptimit me kompaninë çeke. Megjithatë, një hetim shtatëmujor i Prokurorisë së Përgjithshme arriti në përfundimin se dy zyrtarët e lartë nuk kanë kryer elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Vendimi i pushimit të hetimeve, të cilin “BIRN” e disponon është firmosur nga prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja më 6 qershor 2016. Ky vendim pritet të ankimohet në Gjykatën e Lartë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH. Në tetor 2015, KLSH kallëzoi në Prokurori ministrin Gjiknuri dhe Avokaten e Shtetit, Hicka me argumentin se kishin dëmtuar interesat e shtetit shqiptar gjatë negociatave dhe marrëveshjes së arritur në Vjenë me CEZ a.s, për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit. Sipas KLSH, marrëveshja i shkaktoi shtetit shqiptar një dëm prej 479 milionë eurosh në total, të ndara në: 95 milionë euro të pranuara për t’u paguar në marrëveshje, 352 milionë euro detyrime që CEZ Shpërndarje pati akumuluar nga faturat e papaguara apo borxhet ndaj KESH dhe OST, si dhe 32 milionë euro nga zhvlerësimi i aksioneve që shtetit shqiptar kishte në CEZ Shpërndarje. Por prokurori i çështjes e rrëzon këtë pretendim në vendimin e pushimit të hetimit, duke nënvizuar se “shuma prej 479 milionë eurosh nuk mund të konsiderohet dëm për buxhetin e shtetit, sipas konceptit që parashikohet në nenin 248 të Kodit Penal”.
“Jemi në një proces negocimi, ku pala çeke kishte bërë më përpara padi në arbitrazh kundër shtetit shqiptar, duke kërkuar që Republika e Shqipërisë të shpallej fajtore për konfliktin e lindur mes palëve… Kuptohet se edhe ajo ka pasur pretendimet dhe kërkesat e saj në fazën e negocimit”, argumenton prokurori. CEZ Grup bleu kompaninë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri më 2009 duke paguar 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve, ndërsa premtoi të investonte 200 milionë euro brenda katër viteve. Pavarësisht premtimeve për investime, kompania çeke thelloi gropën e borxheve dhe në janar 2013 humbi licencën pas një konflikti me qeverinë shqiptare. Në maj 2013, CEZ iu drejtua Gjykatës së Arbitrazhit UNCITRAL me një padi kundër Republikës së Shqipërisë, duke e akuzuar atë për heqje arbitrare të licencës. Qeveria e djathtë e drejtuar nga Sali Berisha u bë gjithashtu gati për arbitrazh, por me ardhjen në pushtet të Ramës, qasja ndaj konfliktit me CEZ ndryshoi kurs, duke shkuar drejt një zgjidhjeje me marrëveshje. Marrëveshja i kushtoi buxhetit të shtetit 95 milionë euro, ndërkohë që e djathta në opozitë e cilësoi atë “si aferën më të madhe korruptive në vend”. Megjithatë, hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme arrijnë në përfundimin se grupi negociator ka “zbatuar me korrektësi detyrimet e parashikuara në VKM dhe urdhrin e Kryeministrit në lidhje me strategjinë e negocimit…” dhe “ka administruar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar drejt situatën juridike dhe financiare të shoqërisë CEZ Shpërndarje”.
Dritë mbi negociatat
Me një sistem energjetik drejt kolapsit dhe një konflikt që po shkonte drejt një përballjeje në arbitrazh me kompaninë CEZ, qeveria Rama miratoi më 25 tetor 2013 ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes- i përbërë nga një armatë zyrtarësh të lartë dhe ekspertësh. Vendimi i mbylljes së hetimit i Prokurorisë së Përgjithshme hedh gjithashtu dritë mbi negociatat mes zyrtarëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të kompanisë çeke, të cilat në kohën që u zhvilluan, ishin nën embargon strikte të konfidencialitetit. Negociatat u zhvilluan në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, me ndërmjetësimin e Dirk Buschle, zv.drejtor dhe këshilltar ligjor në këtë institucion. Nga dhjetori 2013 deri në qershor 2014, palët kanë nënshkruar 4 memorandume mirëkuptimi, të cilat shtruan rrugën e marrëveshjes së 23 qershorit 2014. Takimi i parë mes negociatorëve, i mbajtur më 10 janar 2014 në Vjenë përshkruhet si konfliktual në vendimin e mbylljes së hetimeve. Pala shqiptare, e kryesuar nga ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri listoi një sërë detyrimesh të papërmbushura nga kompania CEZ, që prej privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike në vitin 2009.
“Më konkretisht është përmendur moskryerja e investimeve të parashikuara; mosulja e humbjeve në sistemin e shpërndarjes; dështimi në reduktimin e borxhit të keq, si dhe detyrimet e prapambetura ndaj shoqërive KESH dhe OST”, thuhet në vendimin e Prokurorisë. Por përfaqësuesit e kompanisë CEZ a.s kanë bërë përgjegjëse palën shqiptare, lidhur me “veprimet absolutisht të paligjshme dhe arbitrare për heqjen e licencës”, të quajtur prej tyre si shpronësim indirekt. “Ata pretenduan se sektori shqiptar i energjisë nuk funksionon dhe kjo provohet nga rezultatet e kompanisë së shpërndarjes…pas heqjes së licencës”, shtohet në vendim. Në vendimin e Prokurorisë thuhet se ndërmjetësuesi Dirk Buschle u ka kërkuar palëve që të përpiqen të gjejnë një zgjidhje miqësore, pasi “nuk jemi në një proces gjyqësor për të gjetur shkaqet e lindjes së konfliktit dhe fajtorët”. Në dy takimet e tjera, të mbajtura më 7 shkurt 2014 dhe 13 mars 2014, palët kanë vazhduar të paraqesin pretendimet dhe kërkesat e tyre. Por takimi i katërt, i mbajtur më 2 prill 2014 i ka afruar qëndrimet e tyre drejt një marrëveshjeje.
Në vendimin e Prokurorisë thuhet se grupi shqiptar, i kryesuar nga ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe ai çek i drejtuar nga shefi i Bordit të CEZ a.s, Tomas Pleskac ranë dakord që një paketë kredish prej 37 milionë euro, të marra nga IFC dhe BERZH të transferoheshin nga CEZ a.s tek CEZ Shpërndarje. Gjithashtu, pala shqiptare pranoi të paguante edhe 58 milionë euro të tjera shtesë, si detyrim ndaj shoqërive që zotëroheshin nga CEZ a.s. “Në përfundim të procesit, një përmbledhje e procesit të negociatave i është dërguar më 12 gusht 2014 palëve nga ndërmjetësi Dirk Burschle. Kopje e këtij dokumentacioni është e administruar në fashikullin e procedimit penal”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.
Marrëveshja për DIA dhe bisedat me negociatorët
Përveç konflikteve për investimet e pakryera, thellimin e borxheve dhe kreditë, negociatorëve shqiptarë dhe atyre çekë u duhej të zgjidhnin në tavolinën e diskutimeve edhe një problem të ri. Në vitin 2013, kompania e mbledhjes së borxheve, Debt International Advisory, DIA e Kastriot Ismailajt paditi në Arbitrazh CEZ Shpërndarje, duke i kërkuar asaj 130 milionë euro dëmshpërblim. Marrëveshja për DIA-n mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke është bërë gjithashtu objekt diskutimesh gjatë vitit 2015- kur Ismailaj u arrestua për mashtrim dhe “BIRN” publikoi dokumente që hidhnin dritë mbi mënyrën se si ai kishte përfituar kontratën me CEZ Shpërndarje. Grupi negociator u akuzua asokohe se përmes marrëveshjes u kishte dhënë imunitet drejtuesve çekë të CEZ në Shqipëri.
Në vendimin e Prokurorisë sqarohet se pala shqiptare kishte rënë dakord që “kompensimi për çështjen e DIA-s të mbetej jashtë negociatave”. “Shqipëria do të marrë përgjegjësinë e plotë për çështjen dhe të gjitha rezultatet e mundshme të saj (në arbitrazh)”. Negociatorët e kompanisë çeke kanë këmbëngulur që çështja e DIA-s të mos jetë objekt diskutimesh në fazën e negocimit të marrëveshjes së pajtimit- ajo qëndron jashtë marrëveshjes përfundimtare të 23 qershorit 2014. Megjithatë, palët kanë rënë dakord që për çështjen DIA të bënin një marrëveshje të veçantë, ndërsa kanë vendosur gjithashtu “mbi informacionin që do të jepet nga CEZ a.s për avokatët e CEZ Shpërndarje në arbitrazh”. “Informacioni do të sigurohet në pjesën më të madhe të mundshme të kërkuar. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër që ky informacion do të përdorej vetëm për mbrojtjen e interesave të palës shqiptare në arbitrazh”, thuhet në vendim.