‘’Mbyllja’’ e SPAK do të gëzonte më shumë pushtetin

Nga Ervis Iljazaj

Ka disa ditë që opozita shqiptare ka një entuziazëm se janë ndërprerë fondet amerikane në Shqipëri. Këtë gëzim e shpreh më shumë për SPAK. Ata kujtojnë se meqë fondet amerikane janë ndërprerë si pasojë e një politike të caktuar të adminstratës Trump për shkurtimin e shpenzimeve, është edhe një heqje mbështetje ndaj SPAK, siç e ka patur deri më tani. Megjithatë të ndërpresësh fondet për shkurtim shpenzimesh dhe të heqesh mbështetjen politike janë dy gjëra të ndryshme. Nuk kuptohet se ku e kanë lexuar që administrata Trump është kundër institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Por edhe nëse do të ishte kështu, pra, edhe nëse ShBA do t’i hiqte mbështetjen politike SPAK, ajo që do të gëzohej më shumë për këtë, padyshim që do të ishte pushteti. Sidomos ata persona që janë akuzuar, hetuar apo burgosur nga ky institucion. SPAK është sot instucioni që ky pushtet ka më shumë problem sepse me hetimet e tij e ka ekspozuar këtë qeveri si një qeveri të korruptuar.

Por opozita shqiptare, në vend që të fitojë kapital politik nga ky fakt, kërkon çmontimin e SPAK. Vetëm sepse lideri i saj ka një konflikt interesi me drejtësinë, opozita shqiptare po humb një shans të madh në kauzën e saj të luftës ndaj korrupsionit. Madje çmontimin e SPAK, deri më tani e ka të vetmen ofertë politike për shqiptarët në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Mirëpo që ta bëjë këtë ka nevojë për votat e Edi Ramës, pasi nevojiten ndryshime kushtetuese.

Pushteti do të ishte shumë i lumtur për t’i dhënë këto vota. Deri më sot, i vetmi instucion që ka shkundur këtë pushtet është SPAK në luftën ndaj korrupsionit që ka bërë për zyrtarë të nivelit të lartë. Dhe opozita shqiptare kërkon që këtë siklet t’ja heqë qeverisë së Edi Ramës. Njerëz si Beqja, Dako, drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe vetë kryetari i saj do të ishin shumë të lumtur nëse ndodhte vërtetë çmonitimi i SPAK. Ata do të kishin të gjithë të drejtën të thoshin se janë akuzuar nga një organizatë kriminale, ashtu sikurse opozita e konsideron SPAK.

Është e vërtetë, që SPAK në punën e saj e ka gjetur kurajon pikërisht te mbështetja amerikane. Dhe nëse kjo mbështetje nuk është më, puna e tij sigurisht që do të binte, ose më keq akoma ky institucion do të futej totalisht nën kontrollin e qeverisë.

Nuk kuptohet se si opozita shqiptare entuziazmohet se një organ i drejtësisë nuk ka më mbështetje amerikane, kur dihet që kundërshtari kryesor i kësaj qeverie nuk është ajo, por pikërisht SPAK. Por me sa duket, opozita nuk është e interesuar që të luftohet korrupsioni qeveritar ashtu sikurse është bërë deri tani, por thjesht të realizohet çmontimi i SPAK, sepse lideri i saj ka një konflikt interesi me drejtësinë.

Megjithatë, entuziazmi duket i tepruar dhe i parakohshëm. E para, sepse ndërpreja e fondeve nuk tregon asgjë për SPAK, por është thjesht një vendim për të gjithë botën ku pezullohen të gjitha financimet amerikane përkohësisht. E dyta, edhe nëse ndërpiten këto fonde, SPAK mund të ketë mbështetje politike prej tyre. Dhe e treta, SPAK financohet edhe nga fonde të Bashkimit Europian dhe ka mbështetjen e Unionit. Megjithatë, heqja dorë e Amerikës nga mbështetja e qartë dhe e fortë ndaj tij, sigurisht që e dobëson në raport me politikën dhe pushtetin.

Exit mobile version