Një 76-vjeçar nga Fieri humbi jetën mëngjesin e djeshëm, ndërsa lahej në plazhin e Vlorës. Policia thotë se, rreth orës 10:55 në lagjen “Ujë i Ftohtë”, në anë të detit është nxjerrë nga uji në gjendje të rëndë shëndetësore një shtetas, i cili pas pak minutash ka ndërruar jetë. Policia ka bërë të mundur identifikimin e tij dhe trupi i pajetë i përket shtetasit M.H., rreth 76 vjeç, banues në Fier.
Viktima ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, të cilët kishin ardhur për të pushuar në plazhin e Vlorës. Nuk dihet nëse vdekja e të moshuarit është shkaktuar nga mbytja në det apo ndonjë infarkt kardiak. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryhen veprimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen e shkaqeve.
Ndërkohë, një i moshuar është gjetur i pajetë mëngjesin e djeshëm në Himarë. Policia thotë se rreth orës 07:36, është gjetur i mbytur në një kanal shtetasi L.A rreth 66 vjeç, banues në Borsh. Nga dëshmitë e familjarëve, ky shtetas vuante nga shëndeti mendor dhe i kishte humbur kontaktet me familjarët që para 3 ditësh, pasi ishte larguar nga banesa. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme proceduriale në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.