McAllister: Kur ka dialog ka edhe zgjidhje të qëndrueshme

Përfaqësues të Bashkimit Europian, Parlamentit Europian, përfaqësues të trupit diplomatik etj., kanë vlerësuar dje arritjen e marrëveshjes që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, marrëveshje e cila vjen pas 90 ditësh qëndresë nga opozita për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve.
Zv.presidenti i Partive Popullore Evropiane, iniciatori i marrëveshjes Basha-Rama, David McAllister reagoi për herë të parë, disa orë pasi Rama dhe Basha gjetën gjuhën e përbashkët, duke i dhënë fund krizës politike David McAllister, paketa e të cilit, me disa integrime të reja, solli edhe rezultatin e shumëpritur. Ai shkruan se është i kënaqur që përpjekjet e tij, të BE-së dhe SHBA-ve i dhanë fund krizës.
“Unë jam i kënaqur që përpjekjet dhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund krizës politike në Shqipëri kanë qenë të suksesshme”. “Mesazhi kryesor është se zgjidhje të qëndrueshme mund të arrihen, kur qeveria dhe opozita kërkojnë dialog të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin”, shkruan McAllister.
Edhe agjencia gjermane e lajmeve, “DPA” shkruan se qeveria dhe opozita i dhanë fund konfliktit disa mujor në Shqipëri. Bazë për këtë ishte një kompromis i ofruar nga BE, por që u arrit me ndihmën e SHBA-së. Në thelb të kompromisit qëndrojnë garancitë për zgjedhje të lira. Opozita e bllokoi Parlamentin dhe refuzoi pjesëmarrjen në zgjedhje, pas akuzave të saj, se qeveria është e implikuar në kriminalitetin e organizuar. Opozitës i është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe gjashtë ministri të rëndësishme e pozicioni i kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet e parashikuara për më 18 qershor shtyhen.
Eurodeputeti Eduard Kukan ka shprehur gëzimin e tij për arritjen e marrëveshjes ndërmjet palëve politike në Shqipëri për zgjidhjen e krizës.
Ai ka shkruar dje në Twitter se, ndihet “shumë i lumtur që dëgjon lajme të mira nga Shqipëria këtë mëngjes, pasi Kryeministri Rama dhe Lulzim Basha kanë arritur një marrëveshje mbi zgjedhjet”.
Në muajin prill, nga Brukseli, Kukan tha se, “zgjedhjet pa opozitë janë të këqija e dëmtojnë vendin… Unë nuk e di çfarë do të ndodhë në qoftë se nuk ka dialog, por unë besoj se ka dhe do të ketë dialog. Unë do t’i kisha mbyllur në një dhomë, nënkuptoi Kukan atëherë, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën – derisa të gjejnë zgjidhje”, sugjeroi ai atëherë nga vetja si me humor, por që mesa duket, u përmbush.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në orët e para të mëngjesit të djeshëm mes kreut të PS-së dhe PD-së. “Bravo popullit shqiptar për durimin dhe besimin e tij tek forca e demokracisë së Shqipërisë. Bravo Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për udhëheqësinë dhe kurajën personale në farkëtimin e kësaj marrëveshjeje.
Bravo kolegëve nga Bashkimi Europian, OSBE dhe Uashingtonit për mbështetjen e tyre të palëkundur për Shqipërinë. Presim me kënaqësi e padurim zgjedhjet me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka përshëndetur marrëveshjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Luzim Basha për zgjidhjen e krizës politike. “Përgëzime për marrëveshjen për zgjedhje të lira e të ndershme në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë”, thuhet në reagim.
Reagimi i parë ka ardhur nga zyra e OSBE-së në Tiranë.
“Urime qeverisë dhe opozitës për #Marrëveshjen! #PrezencaOSBE e gatshme të mbështesë”, shkruhet në Twitter.

Artikulli paraprakYee: Rrezikohet një konflikt i ri në Ballkan
Artikulli tjetërRonaldo paralajmëron Juven