Me 11 shtator Peshkopia me Kryebashkiak të ri

Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e Shukri Xhelilit për lirimin nga burgu, duke e lënë në fuqi masën “Arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e Peshkopisë

Presidenti Bujar Nishani ka përcaktuar datën e zgjedhjeve për Bashkinë e Peshkopisë, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e Shukri Xhelilit, për rikthimin në detyrë. Dekreti i Presidentit është bërë publik dje. Caktimin e datës së zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Peshkopi, Qarku Dibër. Nishani ka caktuar datën 11 shtator 2016, për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Peshkopi, Qarku Dibër. Vendimi i Nishanit vjen pas shkarkimit të kryebashkiakut të majtë të Peshkopisë, Shukri Xhelili, për shkak të shpërdorimit të detyrës, duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Më 11 shtator qytetarët e Peshkopisë do të ndëshkojnë me votë modelin Rama të këtyre tre viteve të qeverisjes, duke iu rikthyer sërish Partisë Demokratike. Kur mbetet vetëm një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve për Bashkinë e Peshkopisë, PS ka rinisur përpjekjet për blerje votash dhe manipulim të rezultatit. Falë këtyre përpjekjeve, PS arriti që të merrte Bashkinë e Peshkopisë në zgjedhjet e 2015, ku në krye të Bashkisë Rama vendosi perversin Shukri Xhelili.
Të hënën, Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e Shukri Xhelilit për lirimin nga burgu, duke e lënë në fuqi masën “Arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e Peshkopisë. Xhelili kërkoi që deri në fund të hetimeve të qëndronte në masë detyrim paraqitje, por kërkesa u refuzua nga trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë. Ndërsa dje, Shukri Xhelilit iu refuzua nga Gjykata Kushtetuese edhe kërkesa për rikthimin në detyrë pas shkarkimit. Si rrjedhojë, në Peshkopi do të mbahen zgjedhjet për caktimin e kryebashkiakut të ri. Shukri Xhelili akuzohet se i kërkoi favore seksuale një vajze për një vend pune. Gjykata i ka dhënë një tjetër “goditje” ish-kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili, të vënë në qendër të opinionit publik për shkak të videoskandalit seksual me një 20-vjeçare, të cilës i kërkonte favore seksuale kundrejt një vendi pune.
Pasi Gjykata Kushtetuese i rrëzoi kërkesën për t’u rikthyer në detyrë një ditë më parë, sot është Gjykata e Lartë, e cila ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij, duke e lënë në “arrest me burg”. Xhelili përmes avokatëve kishte kërkuar që deri në fund të hetimeve të qëndronte në masë detyrim paraqitje. Pas video-skandalit që u përhap në media të filmuar me dijeninë e vajzës, Këshilli i Ministrave mori vendimin për ta shkarkuar Xhelilin. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos e ndryshuar këtë vendim, Dibra shkon në zgjedhje për kryebashkiakun e ri të saj. Pas publikimit të videoskandalit, Policia dhe Prokuroria e Dibrës nisën hetimet. Fillimisht janë sekuestruar pamjet filmike të videoskandalit dhe më pas kanë nisur verifikimet. Grupi hetimor ka marrë në pyetje 20-vjeçaren, e cila mësohet se i ka qëndruar deklarimeve të dhëna në emision.
Vajza ka deklaruar se ishte vënë nën presion nga kryebashkiaku për t’i ofruar favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Më pas, në Policinë e Dibrës është shoqëruar në prani edhe të avokatit edhe vetë kryebashkiaku. Ai mësohet se u ka thënë hetuesve se njihej me vajzën prej një viti dhe ajo ishte punësuar prej tij prej tre muajsh. Në lidhje me skandalin seksual, Xhelili ka pretenduar se ishte inskenim pa pranuar të japë më shumë detaje. Më pas, grupi hetimor ka mbërritur në zyrat e Bashkisë së Peshkopisë, ku ka sekuestruar gjithë praktikën që është ndjekur në punësimin e 20-vjeçares.
A.Shahini

Exit mobile version