Me 18 shkurt rrëzojmë organizatën mafioze

40 premtimet e fushatës së 2013 faktohen sot si 40 mashtrime të mëdha

Ish kryeministri Berisha renditi dje 40 mashtrimet e qeverisjes Rama, të cilat me ardhjen e tij në pushtet iu servirën qytetarëve si premtime që do të mbaheshin. Berisha u ndal tek mashtrimet në lidhje me hapjen e vendeve të reja të punës, ulja e taksave, shëndetësia falas, arsimi, rritja e pagave, rritjen ekonomike etj duke argumentuar se si Rama gënjeu shqiptarët në çdo premtim që ai dha në 2013.

– Mashtrimi 1
Katër vjet më parë, Edi Rama iu premtoi shqiptarëve rivendosje të rendit, premtoi se për 300 ditë do ta kthenit Policinë e Shtetit në detyrë dhe garantimin e sigurisë brenda 300 ditëve të para. Kanë kaluar 1200 ditë dhe suksesi juaj është kanabizimi i Shqipërisë, suksesi juaj është rikthimi i bandave dhe kriminelëve nga burgjet dhe nga vendet ku ishin, suksesi juaj është tritoli, kriminalizimi i policisë, suksesi juaj është cilësimi i mafies shqiptare, si e treta në botë me në krye Edi Ramën, suksesi juaj është shndërrimi i Tiranës në një nga 10 qytetet më të pasigurta të Europës.
– Mashtrimi 2
Katër vjet më parë iu premtuat shqiptarëve 300 mijë vende pune. Çdo shqiptar që u punësua gjatë këtyre katër viteve e ftoj të votojë Edi Ramën, çdo shqiptar që besoi 300 mijëshin dhe s’u punësua e ftoj më dt 18 shkurt t’i bëjmë gjyqin këtij mashtruesi të paskrupullt, pa moral që ju konsideron qenie inferiore për t’u mashtruar. Të bashkohemi, burra dhe gra me betimin solemn se s’mund të na mashtrojë kush kurrë.
Premtoi 300 mijë vende punë, ndërkohë ka nisur në dyert e Europës mbi 200 mijë shqiptarë, ka rreshtuar Shqipërinë vendin e dytë në botë për emigracion, ka rreshtuar Shqipërinë vendin e dytë në botë, për kërkesa për azil politik pas Sirisë. Ndaj dhe ftoj shqiptarët më dt 18 t’i japim reston këtij mashtruesi që kërkon paturpësisht një mandat tjetër nga ju.
– Mashtrimi 3:
Katër vjet më parë, Edvin Kristaq Rama erdhi në pushtet me premtimin solemn të garantimit të shërbimit shëndetësor falas për çdo shqiptar dhe se, asnjë qytetar shqiptar nuk do të paguajë më sigurime shëndetësore dhe se do të marrë shërbime shëndetësore falas.
Sot, çdo shqiptar paguan sigurimet shëndetësore, dhe jo vetëm kaq, por sot sipas Bankës Botërore, çdo shqiptar paguan nga xhepi 56% të shërbimit shëndetësor që duhej t’a paguante shteti shqiptar, pra, paguan më shumë se kurrë dhe merr shërbimin më të keq se kurrë. Sot, çdo shqiptar blen 30-45% më shtrenjtë barnat për mjekimin e sëmundjeve më të përhapura në shoqërinë shqiptare.
Sot pas katër vitesh, buxheti i shëndetësisë është katandisur më i ulët se kurrë në historinë e vendit dhe gllabërohet nga klanet gjakpirëse të bllokmenëve të vjetër; klani Nushi-klani Beqja dhe klani që kanë shndërruar shëndetësinë në gropën e zezë ku vjedhin me thes ditën e natën.
– Mashtrimi 4:
Katër vite më parë Edvin gënjeshtra betohej poshtë e përpjetë se në spitalet publike do të gjehen të gjitha barnat e nevojshme, që pacientët të mos shkojnë të blejnë më në farmacitë private.
Pas katër vitesh, nga vjedhjet e tij dhe të Beqjes, në spitalet publike mungojnë ilaçet më elementare, sepse vidhen dhe shpërdorohen fonde nga Beqja dhe klanet e tij. Dhe qytetarët detyrohen t’i blejnë ato në farmacitë e Beqjes, drejtoreshës apo dopjo kunates se tij rreth spitalit. Megjithatë përsëri them, të gjithë ju shqiptarë që mendoni se Rama e mbajti premtimin për shëndetësi falas, ju ftoj ta votoni. Kurse ju të tjerët, për dinjitetin tuaj dhe përgjegjësinë tuaj qytetare, që s’doni t’ju poshtërojnë qeveritarët dhe banditët, mblidhuni më dt 18 dhe të bëjmë me këtë qeveri atë që ajo meriton, në një protestë të qëndrueshme t’i japim vendin e merituar një klike, një organizate kriminale që po rrokullis vendin çdo ditë e më shumë.
– Mashtrimi 5:
Katër vite më parë Edvin gënjeshtra iu betua dhe stërbetua shqiptarëve për heqjen e TVSH prej 20% mbi kafshatën e gojës, mbi ushqimet bazë, pra mbi produktet bazë të shportës, për të cilat ata shpenzojnë shumicën e rrogës së tyre.
Sot, pas katër vitesh, jo vetëm që nuk e hoqi TVSH, por sot ushqimet e shportës, për shkak të inflacionit dhe taksave të tjera, qytetarët shqiptarë paguajnë 15% më shumë sesa katër vite më parë për kafshatën e gojës. Të gjithë ata që mendojnë se Edi Rama i lehtësoi me ushqimet, hoqi 20% -shin në ushqimet e shportës, të votojnë për Ramën, por të gjithë shqiptarët e tjerë, të cilët ky i mashtroi me pafytyrësi, me cinizëm ekstrem të dalim së bashku më 18 shkurt e t’u bëjmë gjyqin këtyre makutërve që me cinizëm tallen me dhimbjen tuaj.
– Mashtrimi 6:
Katër vjet më parë, Edvin Kristaq Rama, u zotua dhjetëra herë para shqiptarëve se do të ulte në 6% TVSH për energjinë elektrike. Pas katër vitesh TVSH për energjinë elektrike nuk u ul asnjë qindarke. Sot çdo shqiptar që konsideron se energjia është ulur e ftoj të votojë Edi Ramën, por të gjithë ata burra dhe gra që i thonë të vërtetës, të vërtetë dhe dinjitetit njerëzor, dinjitet si dhe të gjithë ata që e ndjejnë veten të mashtruar nga ky Nastradin të ngrihemi, është dita dhe janë ditët e gjyqit historik ndaj këtyre aventurierëve pa moral që shesin nga mëngjesi në darkë gënjeshtra.
– Mashtrimi 7:
Katër vjet më parë Edvin Rama iu premtoi sshqiptarëve se për familjet e varfëra do të jepte energji elektrike me tarifë të reduktuar. Por sot, pas katër vitesh jo vetëm që nuk caktove tarifa të reduktuara për familjet në nevojë dhe TVSH e energjisë nuk u ul në 6%, por në një akt cinizmi ekstrem dhe pashpirtësie të plotë, hoqe edhe fashon mbrojtëse prej 300 KV që këto familje e blinin me 7 lekë kilovatin dhe rrite për to çmimin e energjisë në 9.5 lekë për kilovat, duke rritur kështu pikërisht për të varfërit e vendit, pra për 95% të shqiptarëve me 24.5% çmimin e energjisë, ndërkohë që u ul energjia për më të pasurit apo për 3% të popullatës, u ul për hajdutët e shtetit, për zengjinët. Këtë e ka deklaruar ERE. Pra tani, si ai që jeton në barrakë, si ai që jeton në kasolle paguan njësoj, me të njëjtin çmim me banorin e sarajeve të Surrelit, apo me këta që kam këtu mbrapa (ministrat). Pra, u premtoi familjeve të varfëra, në fakt uli dhe ndihmoi familjet e pasura. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të ngrihemi në shembullin e kombeve të tjera, të cilët i kanë bërë gjyqin çdo hajduti, i kanë bërë gjyqin çdo krimineli që i ka gënjyer ata në mënyrë të paskrupullt siç ka bërë kreu i banditokracisë së sotme.
– Mashtrimi 8!
Katër vjet më parë Edvin gënjeshtra iu premtonte dhjetëra mijëra punonjësve të administrates, rritjen e madhe të rrogave si dhe rrogën e 13-të çdo fund viti. Sot, për mbi 120 mijë punonjës të shtetit shqiptar, që jo vetëm nuk ua rriti rrogat, por ju ngriu në tre vjet me radhë rrogat dhe aktualisht ata marrin 15% më pak se katër vite më parë. Po kështu, jo vetëm që nuk ua dha rrogën e 13-të, por përkundrazi u hoqi dhe shpërblimin prej 100 mijë lekësh që merrnin në fund të vitit. 18 është data e fundit tuaj dhe të jeni të bindur që shqiptarët do t’u tregojnë vendin juve.
– Mashtrimi 9:
Katër vite më parë Edvin Rama iu premtoi 650 mijë pensionistëve shqiptarë se, jo vetëm do të rrisje çdo vit pensionet e tyre, por çdo fund viti do t’i shpërbleje me tre pensione shtesë, iu premtoi rritjen e pensioneve, iu premtoi fshatarëve barazimin e pensioneve me qytetin. Kurse tani, pas katër vitesh, jo vetëm nuk ua rriti pensionet, jo vetëm nuk u dha tre pensione shtesë në fund të vitit ashtu siç kishte premtuar, por, tre vite me radhë, nuk ju dha asnjë qindarkë shpërblim në fund të vitit përveç këtij viti. Për tre vite rresht nuk u dha asnjë qindarkë.
– Mashtrimi 10.
Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama u premtoi shqiptarëve se 97% e tyre do të paguante taksa më të ulta. Shqiptarët të gjithë pa përjashtim paguajnë, nga foshnja e sapolindur tek më i moshuari i këtij vendi, në çdo gjë, taksën më të lartë që ekziston në Shqipëri dhe kjo është TVSH-ja.
Ju shqiptarë që besoni se e ka ulur këtë TVSH, votoni Edi Ramën. Kurse ju të tjerët, 97% që u mashtruat se do uleshin taksat dilni me ne për të thënë të vërtetën në rrugë, dilni se sheshi duhet të bëhet Parlamenti i këtij vendi, sheshi duhet të bëhet vendi i dinjitetit të shqiptarëve, dilni t’u tregojmë vendin mashtruesve ordinerë që po përvetësojnë qindra e mijëra milionë pasuri tuajat. Vetëm me CEZ vodhën 640 milionë të faktuara me fatura dhe tani organizojnë farsa për t’i mbuluar.
Ju që konstatoni se jo vetëm që nuk janë ulur taksat, por vetëm me koncesione kanë vjedhur deri sot 1.2 miliardë dollarë euro, bashkohuni me ne, të vendosim dinjitetin tonë aty ku e meriton. Mos harroni se ky që premtoi uljen e taksave për 97% prej jush, jo që se preku një qindarkë atë taksë, sot, pas katër vjetësh, TVSH nuk është ulur qoftë dhe një qindarkë. Atë taksë pushteti i ardhshëm i PD do t’a ulë.
Përveç kësaj ai rriti çmimin e energjisë me 24.5%, çmimin e shkollimit të fëmijëve me 40%, çmimin e shërbimit shëndetësor me 30%, çmimin e ilaçeve më të përdorura me 30%, çmimin e qirave me 23%, çmimin e naftës me 270 lekë për litër, çmimin e cigareve me 40% dhe çdo shqiptar i paguan sot regjimit të banditokracisë së paku 30%-40% më shumë taksa dhe detyrime, se sa paguanin katër vjet më parë.
– Mashtrimi 11:
Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama premtoi se do t’i hiqte taksën biznesit të vogël. Pas katër vitesh bëri si ai hajduti që, t’a jep me njërën dorë dhe t’a vjedh me dorën tjetër, vendosi tatim fitimin, iu rriti taksën e lokalit me 150%, iu rriti taksën e energjisë me 150%. Vetëm para dy javësh, Bashkia e Lal plehut dyfishoi dy taksa; të plehut dhe të jo plehut.
– Mashtrimi 12:
Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama premtoi politika tatimore që do të krijonin lehtësira të menjëhershme të barrës ekonomike të familjeve me të ardhura të ulta, të mesme dhe natyrisht, shumë prej tyre e besuan. Kurse sot çdo taksë është rritur, përveç TVSH që nuk u ul, në masën 30-40%.
– Mashtrimi 13:
Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama çirrej kundër borxhit publik, që ishte asokohe 62,6%. Pas 4 viteve, ai jo vetëm nuk uli borxhin publik, jo vetëm nuk mbajti të njëjtin nivel 62.6%, por mori borxh në dy vite, më shumë se sa kishte marrë qeveria e mëparshme në tetë vite, e cila rriti me 4% borxhin publik, kurse Edvini në 4 vite e rriti borxhin publik tre herë më shumë, e rriti me 12% apo në 74%. Po çfarë bëtë me këtë borxh? Sipas regjistrave të Thesarit të Shtetit, keni shpenzuar 2.6 miliardë euro në katër vite. A e dini që në katër vite nuk tregoni dot asnjë kilometër rrugë të ndërtuar? A e dini që vendosët sistemin më të tmerrshëm të vjedhjes se në çdo vend tjetër? A e dini ju se çdo punim që bëhet sot prishet pas një muaji? A e dini që s’tregoni dot një shkollë apo spital të vetëm të ndërtuar në katër vite? Dhe sa keni shpenzuar? Me borxhin që keni marrë keni shpenzuar 2.6 miliardë euro. A e dini që me këto 2.6 miliardë euro nuk është ndërtuar asnjë spital?
Rruga e “Kombit”, rruga Ibë-Elbasan, rruga Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Shkodër-Hani i Hotit, autostrada Lushnjë-Fier, rruga e Bregut, janë ndërtuar me qindra mijëra kilometra. Po ju me 2.6 miliardë euro ça keni ndërtuar, ku janë këto lekë, ku shkuan? Pra, borxhin e rritët dhe në fund doni ta mbyllni me piramidën 1 miliardëshe. U bëj thirrje bankave të mos bëhen bashkëautore në një krim të shëmtuar piramidal, por të qëndrojnë larg këtij procesi të baronëve të drogës, që duan t’u përdorin për të larë paratë e krimit. U bëj thirrje të ruani integritetin tuaj. Nuk ka mazhorancë në botë që do njohë një borxh të tillë. Mos luani me stabilitetin tuaj me këta aventurierë, që para se t’i vijë ngordhja do t’i lerë një piramidë të ngritur vendit. Mos hyni në këtë marrëdhënie, jo marrëdhënie është drogë, është shkatërrimi juaj. Lërini këta aventurierë që s’kanë moral dhe duan t’ju përmbysin edhe juve. Po sdo ketë greminë, këta do ikin dhe Shqipëria do eci përpara. Data 18 e në vazhdim, sepse do jetë një lëvizje, një lëvizje e madhe e cila do t’u japë juve vendin që meritoni.
– Mashtrimi 14:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama u zotua para shqiptarëve për rritje të të ardhurave buxhetore, pa u bazuar në nivelin e rritjes së taksave. Për të kuptuar këtë po ju jap një të dhënë. Në vitin 2013, biznesi shqiptar gjatë 20 viteve i ishte borxhli shtetit 70 miliardë lekë. Sa është sot ky borxh në katër vite? 178 miliardë lekë, afërsisht 700 milionë euro, 100 miliardë lekë më shumë pra se sa ishte. Kjo do të thotë paguani ju o blebej se Vilmat e stër Vilmat s’kanë ndër mend të paguajnë ndonjëherë.
– Mashtrimi 15
Katër vjet më parë premtuat se do të hiqen referencat në dogana. Sot, pas katër viteve, jo që nuk i hoqët, por i shtuat me 30% ato në artikuj dhe në vlerë dhe nëpërmjet tyre, vidhni dhe vilni dhjetëra miliona euro nga biznesi shqiptar.
– Mashtrimi 16:
Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama do të deklaronte para shqiptarëve se, do të financonte arsimimin e fëmijëve të tyre, jo më pak se 5% të GPD. Pas katër vitesh mbylli dyert e universiteteve për të varfërit e vendit, është përgjysmuar buxheti i shtetit për arsimin, janë rritur me 40%-60% tarifat për shkollat e larta, keni vendosur me ligj sistemin e zhytjes në borxhe gjithë jetën të familjeve që duan të shkollojnë fëmijët e tyre, keni ngrirë për tre vite rrogat e mësuesve.
– Mashtrimi i 17:
Më 3 qershor të vitit 2013, Edvin Kristaq gënjeshtra do të shpallte para shqiptarëve zotimet solemne për një infrastrukturë europiane si:
a) Ndërtimi i korridorit të gjelbërt, autostrada Veri-Jug që do lidhi bashkë 22 copëzat e rrugëve të sotme, nga Hani i Hotit në Kakavijë, me një standard të vetëm europian. Sot, pas 4 vitesh në aksin kombëtar Hani-Hotit-Kakavijë përveç përfundimit të segmentit Memaliaj-Tepelenë, investim ky i qeverisë së mëparëshme, një kilometër rrugë në këtë aks as nuk është rindërtuar as nuk është ndërtuar. Pra, sa ç’është gjatësia e aksit, rreth 400 kilometra po kaq është gënjeshta e Ramës.
b) Ndërtimi i Korridorit të Kaltërt, Veri-Jug, që lidh zonat turistike me njëra-tjetrën përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga Velipoja në Butrint. As dhe një kilometër rrugë nuk është bërë. Në të gjithë këtë trajektore, vetëm Lungomarja që u shndërrua në lungozezë është segmenti i vetëm në katër vite, për të cilën një vlonjat më thoshte “na u bë si Rozafa”. E premtoi me 6 korsi, e katandisi me 2 korsi. Ja u bëre vlonjatëve lungomaren më keq se ç’e kishin, ja u mbolle me palma të thata. Të gjithë ju që e konsideroni gënjeshtrën përçmim bashkohuni me ne më dt 18 të ngremë në vend dinjitetin tonë.
c) Ndërtimi i rrugëve të rëndësishme, si aksi Lushnjë-Berat-Poliçan-Çorovodë, Memaliaj-Tepelenë, Lin-Pogradec. Asnjë kilometër nuk është bërë. S’ka gjë më të dhimbshme të shohësh që rrugën që ne lamë thuajse të përfunduar më shumë se gjysmën, ju akoma se keni përfunduar. Ku është rruga Lin-Pogradec ku premtoi se do t’a përfundonte në pranverë?
d) Premtimi madhështor para banorëvë të Dibrës, rruga e “Arbrit”, të cilën e lamë gati, pasi ndërtuam mbi 30% të saj, filloi korrupsioni me kompaninë kineze, duke detyruar qeverinë kineze të ndërhyjë për të mos lejuar aktin korruptiv. Me 2.6 mld euro që shpenzuat në katër vite, mund ta kishit ndërtuar të paktën 11 herë këtë rrugë, ato 27 kilometra që kanë mbetur. Tani u nxjerr dibranëve mashtrimin e radhës, piramidën që do të ndërtojë me trafikantët e drogës.
Katër vjet më parë u zotua Elbasan-Kuçovë-Berat-Tepelenë, si dhe rruga e Labërisë. Asnjë kilometër nuk ndërtoi, zero. Ftoj shqiptarët t’i thonë të vërtetës, të vërtetë, të bashkohen me ne.
ç) Katër vjet më parë u zotua se do përfundonte ndërtimi i unazave dhe By Pass-ve, si: By Pass-i i Tiranës, Unaza e Madhe e Tiranës, Unaza e Elbasanit, By-Passi i Rrogozhinës, By-Pass-i i Vlorës, Unaza e Durrësit, Unaza dhe By-Pass-i i Pogradecit. Ne katër vite asnjëra nga këto rrugë nuk është ndërtuar dhe përfunduar qoftë dhe në një km të projektit të tyre.
– Mashtrimi i 18:
Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama u zotua para shqiptarëve për rikonstruksionin e të gjithë akseve rrugore nacionale, të cilat për shkak të ndërtimit të rrugëve të reja, janë braktisur tërësisht, si: Shkodër-Pukë; Lezhë-Fushë Krujë; Tiranë-Vorë-Durrës; Tiranë-Ndroq-Plepa; Ersekë-Leskovik, Tepelenë-Këlcyrë-Përmet-Fier-Ballsh-Memaliaj në katër vite në këto akse nuk është rindërtuar as dhe një km rrugë, sepse nuk është investuar asnjë qindarkë. Po kështu katër vite më parë u deklaroi shqiptarëve se, mirëmbajtja e rrjetit rrugor është prioritet absolut! Këto ishin katër vitet e keqmbajtjes si kurrë më parë të rrugëve të vendit!
– Mashtrimi i 19:
Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama u premtoi lezhjanëve ndërtimin e portit të ri të Shëngjinit. Shkoni shihni çfarë ka ndërtuar. Lezhianët i ftoj t’i tregojmë vendin këtij Nastradini që s’ka respekt për ju.
– Mashtrimi i 20:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama premtoi zvogëlim deri në 50% të aksidenteve rrugore. Sot, pas katër vitesh, Shqipëria zë vendin e parë në Europë për aksidentet rrugore.
– Mashtrimi i 21:
Katër vite më parë, në një seri takimesh me biznesin Edvin Kristaq Rama, zotohej se do të bëjë rimbursim automatik të TVSH. Në këtë moment që flas janë 60 milionë euro detyrim TVSH-je, një rimbursim 15% më i ulët se katër vite më parë.
– Mashtrimi i 22:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama zotohej solemnisht se, do të përjashtohen nga tatim-fitimi për tre vitet e para të aktivitetit, të gjithë sipërmarrësit që zbatojnë me korrektësi lejet koncensionare.
Sot, pas katër vitesh, jo që nuk ka përjashtuar asnjë, por çdo koncensionar serioz dhe më korrekti, është i detyruar që muajin e parë të paguajnë çdo qindarkë për tatim-fitimin, dhe 20% rryshfet qeveritar.
– Mashtrimi i 23:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama u premtoi fermerëve shqiptarë rritjen dhe barazimin e pensoneve të fshatit me ato të qytetit.
Sot pas katër vitesh, jo që nuk i barazoi, por nuk rriti asnjë qindarkë pensionet në fshat dhe as në qytet! Çdo njeri që mendon se Rama e ka mbajtur këtë premtim le ta votojë Edi Ramën. Por çdo njeri që e di që ai ka mashtruar dhe nuk e ka mbajtur këtë premtim të bashkohet me ne në betejën për të vërtetën, për votën e lirë, në betejën tonë për dinjitetin e shqiptarëve më dt 18 shkurt.
– Mashtrimi i 24:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama u zotua solemnisht për krijimin e 150 mijë vendeve të punës në fshat. Sot pas katër vitesh, duke ndërprerë tërësisht grantet për bujqësinë dhe investimet në infrastrukturën e fshatit, ai jo vetëm nuk ka krijuar, por ka shkatërruar dhjetëra mijëra vende pune. Ka larguar qindra mijëra fshatarë nga Shqipëria.
– Mashtrimi i 25:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama premtoi pesëfishimin e fondeve për bujqësinë. Në të vërtetë ka ndërprerë të gjitha grantet për bujqësinë dhe sot fshati shqiptar është në gjendje të mjerueshme.
– Mashtrimi i 26:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama u premtoi fermerëve shqiptarë heqjen e akcizës, taksës së qarkullimit për naftën, uljen e çmimit të naftës me 35% apo 50-55 lekë, kurse sot, pas katër vitesh, jo që nuk i ka ulur, por ka rritur me 270 lekë taksën e qarkullimit dhe fermeri e blen naftën të paktën 40% më shtrenjtë se sa fermeri gjerman, italian, etj.
-Mashtrimi i 27:
Katër vjet më parë, Edvin Kristaq Rama u zotua para fermerëve, të cilët i konsideron inferiorë për t’i mashtruar, se ai do ndërtonte rrrugët e ngastrave të prodhimit dhe do çonte ujin në parcela, ndaj dhe për vaditje do të investonte në 4 vite 160 milionë dollarë. Sot, pas katër vitesh, këto premtime u provuan si mashtrime, pasi në 4 vite nga 160 milionë dollarë për vaditje ka investuar gjithsej 10 milionë dollarë nga një projekt, ka vjedhur 5 prej tyre. Sot pas katër vitesh sistemi i kanalizimeve është në ditën më të zezë, projektin që lamë gati me Bankën Botërore me 65 mln dollarë për variantin më modern të vaditjes, e shtyu për tre vite me radhë vetëm e vetëm që të vidhte me prokurimet e tij.
– Mashtrimi i 28:
Katër vjet më parë iu premtoi fermerit shqiptar heqjen e TVSH për plehrat kimike, farërat, fidanët dhe materialin gjenetik që përdoret në blegtori, heqjen e TVSH për vaksinat, ilaçet si dhe çdo lëndë të parë që përdoret në bujqësi dhe blegtori. Sot pas katër vitesh ai nuk ka hequr asnjërën prej tyre dhe sot i merrni më shtrenjtë se kurrë më parë!
– Mashtrimi i 29:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama u premtoi blegtorëve shqiptarë politika mbështetëse të shkallëzuara për çdo krerë të mbarshtuar dhe prodhimin foragjer. Në katër vite, jo që nuk i mbështeti me asnjë qindarkë, por me indiferencën kriminale lejoi që sëmundja e gjëndrave të zhdukte mijëra e mijëra krerë lopë të mbarështuara, sepse nuk solli vaksinën, ose e shpërndau me linja partiake apo solli vaksina të skaduara. Të gjithë ju jeni dëshmitarë se gjatë viteve të qeverisjes së PD u investua në fshat dhe në infrastrukturë mbi 2.5 mln dollarë, u asfaltuan mbi 8 mijë km rrugë, kanale, mbi 100 shkolla e çerdhe për fëmijët tuaj, kanalizime dhe qendra shëndetësore. Në këto katër vite, nëse keni parë investime nga kjo qeveri, votojeni. Nëse ndiheni të mashtruar dhe braktisur nga kjo qeveri, bashkohuni me ne më dt 18 shkurt dhe t’i japim vendin e merituar këtij sharlatani.
– Mashtrimi i 30:
Katër vjet më parë Edi Rama u zotua se do të dyfishojë investimet në infrastrukturën vendore. Cilido që ka parë investim përreth shtëpisë, lagjes dhe fshatit të tij të votojë Edi Ramën. Po të tjerët të bashkohen, të mos e lënë këtë njëri të pacipë që kalon nga ekrani në ekran, duke përsëritur mashtrimet e tij, zëvendëson mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja, duke menduar se ne jemi njerëz pa memorie e që mund të gënjehemi nga nja sharlatan.
– Mashtrimi i 31:
Katër vjet më parë Edi Rama ju betua peshkatarëve për heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit për peshkimin dhe, pas katër vitesh, këto janë faktuar mashtrime dhe vetëm mashtrime.
– Mashtrimi i 32:
Katër vite më parë Edvin Kristaq Rama betohej se do hiqte tatim fitimin në katër vitet e para për industritë e reja agropërpunuese dhe lehtësi fiskale në kostot e ambalazhimit dhe paketimit. Pas katër vjetësh, ata që besuan premtimin tuaj kanë të drejtë njëqind herë të të thërrasin gënjeshtar.
– Mashtrimi 33:
Edvin Kristaq gënjeshta, i rrethuar dhe nga ndonjë ish-xhelat i të persekutuarve politikë, njeriu, i ati i të cilit firmosi varjen e poetit Avzi Nela në gusht të vitit ‘88, se të gjitha gratë e përndjekura politike që janë gjallë mbi 70 vjeç që vitin e parë të qeverisjes do të marrin të plotë dëmshpërblimin. Asnjë s’kanë marrë. Tha se të gjithë ish-të burgosurit burra gjallë mbi 75 vjeç, do të dëmshpërblehen brenda 2 viteve të qeverisjes, dhe të gjithë të burgosurit politikë, duke filluar nga viti i tretë do të bënte dëmshpërblimin e trashëgimtarëve. Në 4 vite, ju të dënuarit e ndërgjegjes keni marrë prej neobllokmenëve, bijve të xhelatëve tuaj mizorë vetëm gjysmën e shumës që ne kemi lëvruar vetëm vitin e fundit.
– Mashtrimi i 34:
Katër vite më parë, do t’ju premtonte të rinjve shqiptarë punësim dhe sipërmarrje rinore me mbështetjen nga qeveria, madje dhe ligje të veçanta për të drejtat rinore. Pas katër vitesh ka larguar nga Shqiperia si të papunë dhe të pa shpresë dhjetëra mijëra të rinj shqiptarë. Pas katër vitesh, mbylli dyert e universiteteve publike për së paku 18 mijë të rinj këtë vit, të cilët duhet të shkojnë në universitetin Kristaq Rama apo universitetet e tjera Kristaq Rama të klientelës, ku duhet të paguajnë 4-8 mijë euro në vit përndryshe shkollë nuk marrin dot.
– Mashtrimi i 35:
Katër vjet më parë, Nastradin Rama, iu premtoi të rinjve shqiptarë 10-fishimin e financimit publik për formimin profesional. Sot, pas katër vitesh, arsimi profesional është rrudhur më shumë se kurrë. Jo vetëm që nuk është 2 apo 10-fishuar, por është ulur me 10% në raport me GDP krahasuar me katër vite më parë. Ndaj dhe sot, çdo i ri, e re, që besoi në premtimin tuaj, ka të drejtë të të quaj 10 herë gënjeshtar!
– Mashtrimi i 36:
Katër vite më parë, Edvin Kristaq gënjeshtra, në emër të shtetit ligjor deklaroi se kush ka fituar gjyqin do të kthehet në punë. Sot pas katër vitesh ka vënë në krye të departamentit kushërirën famoze dhe janë mbi 7 mijë punonjës të administratës, shërbimit civil, që kanë fituar gjyqin dhe nuk kthehen në punë, ndaj dhe ai sot është jo një herë, por shtatë mijë herë Edvin gënjeshtra.
– Mashtrimi 37:
Katër vite më parë u deklaroi shqiptarëve se, argumentat e qeverisë Berisha për llotarinë kombëtare janë vetdiskretituese! U the se ne do t’i kthejmë publikut të drejtën e pronësisë mbi këtë lojë. Sot, pas katër vitesh, futi kthetrat e tij, futi njerëzit e vet aksionerë dhe nuk ja ktheu publikut, por familjarëve dhe rrethit të vet dhe përzuri austriakët nga llotaria kombëtare. Ka dy vite, që këtu në Parlament ka një fantazëm që sillet. Dhe kjo fantazëm është ligji i lojërave të fatit, për të cilin këta u zotuan se do i nxirrnin jashtë qytetit, u zotuan se këtë industri mëkati do ta mbyllnin. Por, ranë vetë në të dhe akti i parë ishte vrasja i ortakut të Saje qorrit në momentin që fliste në telefon me badigardin e Sajes. Asnjë hetim deri më sot nuk është bërë.
– Mashtrimi 38:
Para katër vitesh u deklaruat studentëve shqiptarë se do të konceptojmë një sistem të jetës universitare, si në Perëndim dhe do ta jetësojmë hap pas hapi, sipas fazave të një plani konkret. Në katër vite nuk ke investuar asnjë qindarkë për jetën universitare në korpuse apo kampuse të tij përveçse ke prerë ndonjë shirit të investimeve të qeverisë së mëparshme. Kështu që sot, çdo student kudo që ndodhet, ka të drejtë të të thërrasë Edi gënjeshtari.
– Mashtrimi  39:
Katër vite më parë premtoi se paga e një mësuesi do të taksohet 4.5%. Sot, vetëm me ngrirjen për tre vjet të rrogave i keni taksuar e i takson mësuesit të paktën me 13%. Për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, Edvini është një gënjeshtar dhe vetëm gënjeshtar!
– Mashtrimi i 40:
Para katër vitesh premtoi shi investimesh nga investitorët e huaj dhe se ata do gjenin këtu lirinë e konkurrencës dhe të gjitha kushtet. Qytetarë shqiptarë, ju bëj thirrje: cilido prej jush që ka parë këto katër vite në çdo cep të Shqipërisë një investim të huaj serioz të ri, le të votojë Edi Ramën. Por Edi Rama nuk është në gjendje të tregojë as dhe një investitor të vetëm serioz të ardhur këto katër vite. Investitorët nuk vijnë më, përveç mafiozit të plehrave, të inceleratorëve.
Mashtruesi del në televizion dhe thotë se kishim këtë vit, vitin e investimeve më të mëdha. Që të gjitha janë vetëm TAP dhe Devolli, investime të qeverisë së mëparëshme. Megjithatë, më duhet t’i them se viti më i madh i investimeve, sipas Indexmundi, ishte viti 2009, ku investimet ishin 1 miliard e 300 mln dollarë, në vitin 2010 ishin 1 miliard e 200 e ca milionë. Jo vetëm kaq, por ju larguat investitorin më të madh të turizmit në 20 vitet e fundit. Qeveria e largoi. Për vite të tëra u punua që ai të investonte në një projekt 1.5 miliardë euro. Bëri çdo dokument. I dolën para banditë specialistë të shtetit, duke i krijuar dhe dhjetëra fraktura dhe e larguan. Unë ju garantoj se Edi Rama është mbrapa.
Para se ta mbyll kam dhe diçka tjetër. Olsi Rama dhe Jona Dervishi, bashkërisht, kanë kaluar kufirin me mjetin e krimit me targë AA 653 DM, ky është mjeti i përshtatur për fshehjen dhe transportin e kokainës së grupit të Xibrakës, më datë 13 korrik 2014. Kjo është e dhëna e Prokurorisë. Po me mjetin e krimit, Olsi Rama ka kaluar kufirin dhe dy herë të tjera. Datat i kam këtu. Me këtë mjet ka udhëtuar Gentjan Gjonaj, Ermal Hoxha, Olsi Rama dhe Jona Dervishi. Kjo është ndrikulla. Nuk ka klan droge pa një ndrikull droge. Ndaj thirreni Ramën të vijë këtu se unë sa herë të dal këtu këto dokumenta do i lexoj. Kryeministri nëse nuk nis hetime është i implikuar në trafikun e kokainës.
Njoftimi fundit është se u vodh në Rinas një makinë banke me 1 mln euro. E vodhi Saje qorri!

Pse ia rrëmbyen burrin ministres Felaj?

Ndrikulla që foli para meje (ministrja Felaj) që është një ndrikull e vërtetë, anëtare e organizatave mafioze, të cilës ja rrëmbyen burrin dhe disa ditë ia mbajtën bandat diku në zyrat e Bashkisë a disa zyra të tjera të Urës Vajgurore. Pse ia rrëmbyen burrin? Nuk donin të rrëmbenin këtë jo. Kjo kishte marrë përsipër të lironte banditin. Burri kishte marrë paratë. Kur kjo nuk e liroi banditin, atëherë i rrëmbyen burrin. Kjo ishte gati t’a falte dhe burrin, por ia çliruam ne. Kjo ishte gati që burrin t’ia falte dreqit. Kishte marrë paratë kjo nuk pyeste.
Kjo ndrikull shpirt kazëm del këtu dhe thotë që, vetëvrasje nuk kemi. Je njeri ti apo sje njeri moj? Vetëm të hënën, infermierja piu dozat më kolosale të morfinës, për shkak të shtetit. Nuk ke ndjenja ti. Ti je një ndrikull që të hëngri mafia shpirtin dhe ndjenjat. Vetëm dje u hodh burri nga 13 kate.  Vetëm në dy ditë ke dy vetëvrasje. Vetëm nga KESH ke 12 të vetëvrarë të regjistruar. A e di ti që mashtron këtu dhe thua këto shifra? U rritën nga 2014 në 2015 me 150% vetëvrasjet. Po për ju jo se ju nuk keni ndjenja, ju nuk keni shpirt, ju jeni kalbur nga krimi dhe korrupsioni.
Viti i ri filloi dhe të gjithë vunë re se kryetari juaj, Rama nuk bëri dot asnjë bilanc, as sukses as mossukses. Pse kjo? Kush ja mbylli gojën Edi Ramës që cicëron nga mëngjesi në darkë marrëzira, budallalliqe, injorancë dhe zhurmë logjike?
Ja u them unë. Sot pas katër vitesh, aleanca e qelbësirave faktohet si aleanca e mashtrimeve më të mëdha në historinë e këtij vendi” tha Berisha.

Të ndërpriten punimet në Zharrëzës

Bankers Petrolium është një kompani e ardhur me kontratë të firmosur nga qeverisja socialiste e para vitit 2005, kontratë e amenduar tërësisht nga qeveria e mëvonshme e koalicionit të PD, kontratë në të cilën u shtua renta që mungonte. Kompania gjatë gjithë periudhës ka qenë taksapaguesi nga më kryesorët në Shqipëri, nga 200 milionë euro në vit në tërësinë e vet; kompania që ka trefishuar dhe më shumë nxjerrjen e naftës në këtë vend, nga 820 mijë ton që ishte prodhimi i naftës para fillimit të saj, nafta arriti në 1 milion e 200 ton. Të vësh në hell një kompani të huaj e thjeshtë është, mjafton instikti stalinist apo gjobvënës dhe i jep gojës si të duash këtu.
Kompania e bëri të famshme Shqipërinë për naftën. Me këto kalkulime dhe këtë ekspoze, e vërteta është që Bankers i shërbeu Shqipërisë! Ajo zbarkoi në një zonë ku gjiganti tjetër i naftës, Oxidental Petrolium e braktisi, çpoi, gjeti naftë të cilësisë më të lartë dhe me sa di unë vazhdon çpimet me mjete të teknologjisë më moderne.
Por, a ka probleme kompania? Sigurisht, problemet e fundit me banorët janë probleme jashtëzakonisht serioze, po problemi është se nuk po luftohet për të zgjidhur problemin, por për të gjobitur kompaninë, për të vjedhur paratë e kompanisë! Këta që janë në qeveri prej 4 vitesh dhe që përdorin platformat për t’ju vërsulur me tërbim asaj, kërkojnë t’i vënë gjoba asaj! Ministrat nuk janë të PD, nuk janë as të aleatit. Ministri i Energjetikës është juaji!
Në çdo vend të botës një kompani që shkel ligje e që nuk zbaton ligjet merr përgjigje ligjore, nuk ka ligj në botë që e mbron një kompani që shkel kontratën, por ju sulmet ja bëni jo se doni ta korrigjoni, por doni të mbushni xhepat, doni ta gjobisni që t’ju paguajë më shumë, ju sulmet ja bëni, sepse doni ta fusni nën sundimin e Besnik Sulës! Ju jeni të korruptuar kokë e këmbë!
Unë ndjej keqardhje të madhe për fshatarët e Zharrëzës. Janë në grevë urie. Kanë 100% të drejtë. Skenat që pamë së bashku janë shumë tronditëse. Ata në çdo moment mund të pësojnë çdo lloj aksidenti, s’kanë asnjë garanci. Tjetrit i doli fontana e gazit në dhomën e gjumit, tjetrit i doli nafta në oborr. Atëherë, cili është qëndrimi? Qëndrimi është i thjeshtë; ose bllokohen tërësisht punimet aty në mënyrë kategorike, ose atyre fshatarëve u thuhet se për interesa kombëtare, për interesa të naftës etj., kompania detyrohet t’i shpronësojë, t’i largojë, t’i vendosi në një vend tjetër, t’i paguajë qindarkë për qindarkë për tokën, shtëpinë e të gjitha.
Shteti vendos, por ju jeni të korruptuar ndaj nuk vendosni dot. Ju jeni të korruptuar, juve ju blen e ju shet, juve ju peshon në kandar kompania.  Eshtë gjë serioze jeta e njeriut. Çfarë kërkoni ju të ndodhë? Që të marrim vesh pas x kohe që kështu u asfiksuan dhe vdiqën? Merrni ato familje, ose ndërprisni çdo lloj punimi, ose ato të largohen, të spostohen kundrejt vlerës. Kompania të paguajë nëse do të punojë, por me jetë njerëzish nuk paguhet asgjë, ky është qëndrimi!
Një problem tjetër madhor. Duke folur këtu Beqja, qytetari më dërgon sms se ka tre muaj që në Spitalin Onkologjik nuk ka Receptinë, kjo do të thotë që nënat dhe motrat, gratë shqiptare që kanë kancer mamele t’i kafshojë çdo ditë e më shumë kanceri. Sepse ky i korruptuar vjedh si lubi fonde, ilaçe e çdo gjë tjetër. Dhe ju i jepni fjalën këtu! Po atij i duhet prerë fjala fare, vendi i tij është në Prokurori.
Në Shkodër janë qindra e mijëra familje, të cilat diskriminohen për fajin e vetëm se janë shkodranë. Atyre u ndodhi përmbytja katër vjet më parë, pothuaj një nga më të mëdhatë. Me ligjet e këtij vendi, shteti është i detyruar t’i zhdëmtojë. Ligji i digave detyron KESH t’i zhdëmtojë. KESH në atë periudhë ishte në disbalancë dhe dihej situata. Sot KESH është rrjepësi kryesor i shqiptarëve, krenaria e Ramës, se ai është i emëruari i Linda Ramës, e keni peshqesh prej saj atë hajdut. Por keni detyrim t’i dëmshpërbleni ata. Pronari i digave duhet t’i zhdëmtojë. Mos u tallni me ta se në mënyrë absolute do t’u jepni çdo qindarkë. Nuk mund t’i diskriminoni pse janë shkodranë. Të parët që duhet të dëmshpërblehen janë ata, sepse janë më të vjetrit në borxh, sepse ka katër vite që shteti është në borxh me ta, madje duhet t’u japi edhe interesat.

Exit mobile version