Mazhoranca socialiste shfrytëzoi bojkotin e opozitës dhe avantazhin e saj numerik për të kaluar një sërë ligjesh të rëndësishme pa konsensus. Kjo sjellje u shoqërua me akuza për mosrespektim të procedurave parlamentare dhe tensione në sallën e Kuvendit.
Gazetare: Klesjana Omeri | Citizens.al | Tiranë
Të enjten e 12 tetorit 2023, ligjvënësit e Kuvendit të Shqipërisë përshkuan qetësisht oborrin e Parlamentit për t’ju drejtuar sallës së seancës plenare. Disa me pretendimin se do u përmirësojnë jetën qytetarëve, e disa të tjerë për të “demaskuar” abuzimet e qeverisë.
Por kartonët e kuq të shumicës për ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike, do të ndryshonin rrjedhën e zhvillimit të seancave plenare për 4 muajt në vijim. Opozita u përfshi në mosbindje civile duke krijuar bllokim të punës parlamentare, ndërsa mazhoranca i shtroi rrugën vetes për të kaluar një sërë aktesh ligjore të rëndësishme, pa proces konsultimi dhe pa konsensus.
Miratimi i buxhetit të shtetit, zgjatja e afatit të ligjit për Investimet Strategjike; ligji për “Zonat e Mbrojtura”; ndryshimi i Rregullores së Kuvendit si dhe ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” janë aktet më të debatuara që u miratuan gjatë “mosbindjes civile”.
Online edhe pa luftë
Neni a/5i Rregullores së Kuvendit, ende i pandryshuar, përcakton se mbledhjet online mund të zhvillohen vetëm në rast të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësive natyrore.
Në kundërshtim me procedurën e përcaktuar në këtë rregullore, për periudhën 20 tetor–29 dhjetor 2023, u zhvilluan 84 mbledhje online të komisioneve parlamentare.
Për të “legjitimuar” këtë paligjshmëri, konferenca e Kryetarëve në 1 nëntor 2023 mori një vendim, sipas të cilit kaloi on-line mbledhjet e komisioneve parlamentare. Vendimi u mor pa konsensus dhe vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita e kontestoi duke e konsideruar proces të paligjshëm. Për me tepër vendimi u publikua me datë 6 prill, pra 5 ditë me vonesë.
Me këtë vendimarrje, 63 mbledhjet e tjera të Komisioneve Parlamentare, shumica e të cilave u zhvilluan online deri në janar 2024, u konsideruan të rregullta, pavarësisht kundërshtive.
Instituti i Studimeve politike i sheh me shqetësim praktika të tilla, pasi rrezikojnë të kthehen në normë pune nga Kuvendi.
“Ndryshimi i Rregullores pa analizë paraprake, pa proces konsultimi dhe mbi të gjitha pa konsensusin e të gjithë spektrit politik në Kuvend është praktikë e dëmshme për parlamentarizmin dhe me impakt negative për standardet e demokracisë funksionale”, – thuhet në raportin publik të realizuar nga ISP.
Efeket e kësaj praktike sollën mungesë transparence nga Kuvendi, që ndikoi në cilësinë e raportimeve të gazetarëve.
“Zhvillimi i mbledhjeve online e bën të vështirë ndjekjen e debatit parlamentar për ligje të caktuara”, – thotë për Citiziens.al, reporterja e Vizion Plus, Olta Blaceri.
Ngërç në punën e gazetarëve ka krijuar edhe hedhja dhe publikimi me vonesë në faqen zyrtare të Kuvendit i nismave dhe materialeve të tjera ligjore.
“Amendamentet që propozohen nga deputetët në mbledhjet e komisioneve dhe që shpesh përbëjnë ndryshimin më thelbësor të ligjit, ose hidhen me vonesë në faqen e Kuvendit, ose nuk hidhen fare. Kjo e bën të vështirë punën e gazetarit për të raportuar rreth një ligji”, – thotë Olta Blaceri për Citiziens.
Ajo i referohet rastit të amnistisë penale, që ndonëse u miratua në seance plenare më 4 prill, amendamenti i ndryshimeve u publikua në të njëjtën ditë, duke mos u dhënë mundësi gazetarëve të njihen paraprakisht me ndryshimet e bëra.
Juristi Roden Hoxha, njëkohësisht drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, thotë se një barrierë e tillë nuk i shërben as misionit të gazetarit dhe as transparencës.
“Në momentin që gazetari nuk ka akses për të marrë informacion më të thellë mbi aktivitetin e institucionit, atëherë dhe roli i tij cungohet. E kthen ushtrimin e profesionit në thjesht një përcjellje sipërfaqsore të aktivitetit, pa një thellim shpeshherë të nevojshëm”, – komenton juristi Hoxha për Citizens.al.
5 minuta për buxhetin e shtetit
Nëse gjatë praktikave të shkuara diskutimi i buxhetit në seancë plenare zgjaste rreth dy ditë, për buxhetin e vitit 2024 mjaftuan vetëm 5 minuta për ta miratuar. Por diskutimi në komisionin përgjegjës, atë të Ekonomisë nisi në 1 nëntor, 2023 pa prezencën e deputetëve të opozitës.
Deri në miratimin e aktit më të rëndësishëm të shtetit, ky komision zhvilloi 5 mbledhje online. Nga vëzhgimi që Citizens u bëri procesverbaleve të këtyre mbledhjeve, në debatin për buxhetin në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave janë përfshirë vetëm 15 ligjvënës, ministra dhe përfaqësues të institucioneve publike, të gjithë pjesë e mazhorancës në Parlament. Asnjë deputet i opozitës nuk ka marrë pjesë në diskutime. Të vetmet grupe interesi që morën pjesë ishin institucionet publike, të gjithë të interesuar për të shtuar sa më shumë buxhetin, por asnjëri prej tyre nuk kërkoi “llogari” se si do të administroheshin paratë e shqiptarëve.
Për shumicën socialiste, kaq diskutime ishin të mjaftueshme.
“Është miratuar pas një diskutimi shumë të gjatë që ka pas në komisione, janë konsultuar me të gjithë grupet e interesit”, – tha Bledar Çuçi për gazetarët ditën e votimit në seancë.
Esperti i e konomisë, Pano Soko, e sheh si një skemë për të shmangur llogaridhënien për paratë publike, rritjen e taksave dhe mënyrën se si do të përdorej buxheti për vitin 2024.
“Ishte një paketë fiskale mjaft agresive që kryefjalë kishte taksën progresive 15% për profesionet e lira. Të gjitha këto “shpëtuan” nën justifikimin e asaj që ndodhi në Kuvend”, – u shpreh Soko për Citiziens.al.
Ndërsa studiuesi dhe politologu, Afrim Krasniqi e sheh si një devijancë nga praktikat normale të jetës parlamentare.
“Përbën një devijim të dukshëm nga modeli demokratik i funksionimit të parlamentit, devijim edhe nga cilësia e procesit ligjvënës në Shqipëri”, thotë Krasniqipër Citizines.al.
“Duhet reflektuar dhe duhet të jetë një indicie për reformimin e gjithë legjislacionit rregullator në Parlament”, shton ai.
Rregulla të reja për Komisionet Hetimore
Teksa beteja e opozitës kishte në thelb mosngritjen e disa komisioneve hetimore, socialistët shfrytëzuan këtë situatë për të ndryshuar rregullat e lojës, duke bërë disa ndryshime në ligj. Ndryshimet e propozuara nga deputetja e PS, Ermonela Felaj, u dhanë mundësine shumicës në Parlament të kontrollojnë vendimarrjet e këtyre komisioneve.
Ndryshe nga ligji i mëparshëm “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore”, ku çështjet e veçanta mbi të cilat mund të ngrihej një komision hetimor nuk ishin të specifikuara, PS vendosi që të ketë një përcaktim ligjor.
Sipas ndryshimeve të reja që komision hetimor mund të ngrihet vetëm nëse çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit. Në këtë mënyrë, kufizohet ndjeshëm numri i çështjeve për të cilat mund të ngresh një komision hetimor.
Nëse më parë nuk përcaktohej në asnjë nen mundësia e zhvillimit të mbledhjeve me dyer të mbyllura, me ndryshimet e bëra, shumica socialiste ka të drejtë ta kërkojë nëse vlerëson se dëshmitarit i cënohet privatësia apo dinjiteti.
Për ekspertët një ndërhyrje e tillë mund të ketë pasoja afatgjata në aktivitetin parlamentar dhe krijon një precedent të rrezikshëm për efektivitetin e këtyre komisioneve.
“Parimisht këto komisione ngrihen për të hetuar çështje madhore, për të cilat ka një interes të gjerë publik. Pyetja ngrihet: Çfarë e ndalon opozitën e sotme, mazhorancën potenciale në të ardhmen,që të përdorë këto rregulla në abuzim në kurriz të opozitës, apo edhe ti ndryshojë ato sipas interesit, meqënëse është krijuar tashmë precedenti i ndryshimeve arbitrare, bazuar në linja politike?” – argumenton juristi Roden Hoxha.
A po reflekton Kuvendi?
Shumica socialiste në Kuvend e përdori bojkotin e opozitës për të kaluar një sërë ligjesh të kontestueshme. Përgjatë 5 muajve të “trazirave”, tetor 2023- shkurt 2024, mazhoranca votoi, pa respektuar procedurën parlamentare plot 147 akte ligjore.
Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, nuk e sheh problematike sjelljen e mazhorancës në Kuvend që miratoi një dyzinë ligjesh pa konsensus dhe pa votën e opozitës. Ajo nuk shpalos ndonjë hap konkret për përmirësimin e kësaj situate, përpos nevojës për dialog.
“E ashtuquajtura krizë politike e vitit të shkuar, ishte qartësisht krizë e një partie dhe lidershipit të vet politik. Kuvendi mori masa për të siguruar zhvillimin e aktivitetit parlamentar,i cili nuk mund të bllokohet nga qëndrimet dhe radikalizimi që një force politike vendos të mbajë”, tha nënkryetraja e Kuvendit, Felaj për Citiziens.al.
“Në çdo rast nuk besoj që ka një instrument konkret parandalimi, përvecse nëse i tillë do quhet ruajta e frymës së konsensusit dhe tolerances mes grupeve/partive parlamentare”, – thotë Felaj.
Edhe Partia Demokratike duket se është tërhequr nga paralajmërimi se ligjet e miratuara gjatë periudhës së mosbindjes civile do t’i dërgonte në Gjykatën Kushtetuese. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë për Citizenns.al se zgjidhja nuk mund të pritet nga gjykata, por tek ndëshkueshmëria me votë.
“Ka disa ligje që padyshim shkojnë dhe janë dërguar në Gjykatën Kushtetutese siç është ligji për profesionet e lira. Por duhet të mësojmë që të ndëshkojmë me votë, siç ndodh në demokraci, atë mazhorancë që punon jo për interesin e shoqërisë, por pë rinteresin e pakicës”, – thotë Tabaku.
“Ligji i buxhetit nuk mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese sepse është jo normale, por gjykoj që çdo forcë politike duhet të paguajë me vote keq qeverisjen dhe përdorimin e kuvendit për ligje abuzive”, –argumenton ajo.
Duke analizuar situatën, Afrim Krasniqi, thotë se institucioni i Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me të gjithë aktorët e tij ende nuk kanë ndërmarrë hapa për të korigjuar gabimet e deritanishme.
“Në rastin konkret kemi të bëjmë me shkeljen e tyre. Parlamenti nuk ka bërë hapa korrektues në aktet e tyre të brendshme. Strukturat nuk kanë nxjerrë mësime dhe nuk ka raport për këtë gjë. I vetmi akt është përsëritja e një seance plenare për shkak të shkeljes proceduriale publike, ndërkohë që presidenti nuk e ka konsideruar procedure parlamentare në vendimarrjen e tij lidhur me dekretin”, – përfundon Krasniqi.