Gianni De Biasi e shikon me optimizëm momentin e Kombëtares Shqiptare që prej disa ditësh po e zhvillon fazën përgatitore në Austri dhe të dielën do të zhvillojë testin e parë miqësor kundër Katarit. Në konferencën për shtyp, trajneri kuqezi thekson se është i qetë, pasi skuadra ka arritur të punojë mirë gjatë ditëve të fundit, e ndihmuar edhe nga kushtet optimale në qëndrën stërvitore. Dukshëm i relaksuar, De Biasi theksoi se puna më e madhe është bërë në aspektin difensiv dhe ofensiv, ndërsa u ndal te risia e kësaj faze përgatitore, marrja e të gjitha të dhënave fizike për çdo lojtar falë sistemit GPS.
“Gjatë gjithë ditëve kemi bërë punë të personalizuar me çdo lojtar dhe jemi në dijeni të veprimeve që bëjnë gjatë gjithë stërvitjes për të vlerësuar gjendjen tërësore të çdo futbollisti. Jam shumë i kënaqur me punën që kemi bërë në aspektin fizik. GPS të jep informacione më të sakta dhe ky është aspekti më i rëndësishëm. Ne do të përpiqemi të bëjnë një vlerësim të saktë fizik të situatës”, u shpreh De Biasi.
Për numrin 1 të stolit të Kombëtares Shqiptare, testi ndaj Katarit është shumë i rëndësishëm për të parë gjendjen e skuadrës, por ai shton se nuk është vendimtar për listën përfundimtare. “Është ndeshja e parë pas më shumë se dy muajsh e gjysmë dhe jam shumë kurioz të shikoj gjendjen e skuadrës. Kjo ndeshje do të më ndihmojë mua të dal në disa përfundime. Vendimin e listës së lojtarëve që do të vijnë në Francë, do ta marr në datën 31 pas stërvitjes së fundit dhe më pas do të bëj zgjedhjen përfundimtare. Të gjithë meritojnë të vijnë në Francë. Vendimi do të jetë shumë i kujdesshëm, por edhe i dhimbshëm, sepse çdo lojtar e konsideroj si djalin tim dhe nuk është aspak e lehtë të heq dorë nga ndonjëri prej tyre”, tha ai.
Për De Biasin, dy ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme për të vlerësuar gjendjen fizike të skuadrës, ndërsa për të, jo pak i rëdësishëm është edhe aspekti fizik, pasi sipas tij, skuadra duhet të ruajë të njëjtin mentalitet, pasi nëse humbet karakteristikat që e çuan në Europian, atëherë nuk do të shkojë askund. Në vijim, De Biasi mohoi çdo lajm mediatik për të ardhmen e tij, duke vendosur pikat mbi “I”. “Janë muhabete baresh dhe gazetash. Unë jam i interesuar për punën e skuadrës dhe për të motivuar grupin që të arrijmë diçka të rëndësishme, duke dhënë 110% të mundësive tona. Gazetat mund të thonë çfarë të duan, por janë njerëzit ata që ndajnë të vërtetën nga gënjeshtra”, tha De Biasi.
Për De Biasin është Rumania kundërshtari që mund të bëjë surprizën, duke theksuar se Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes në përballjen me ballkanasit. Në fund, ai bëri një koment edhe për sfidën me Zvicrën, ku në fushën e lojës do të përballen shumë shqiptarë. “Nuk dua të flas për këto gjëra. Kur dikush zbret në fushë mban një fanellë dhe luan ndaj kundërshtarëve, ai nuk mendon për të shkuarën. Në fushë duan të fitojnë të gjithë. Xhaka do të luajë kundër vëllait të tij për ta mundur, gjithçka tjetër janë thashetheme të kota. Askujt nuk i intereson se nga vjen, atyre që luajnë për Zvicrën nuk u shkon mendja se nga vijnë”, përfundoi trajneri i kombëtares.