Jose Mourinho nuk impresionohet nga emrat e mëdhenj, për të rëndësi ka ajo çfarë bën në fushën e lojës dhe nga ky qëndrim nuk bëjnë përjashtim as Paul Pogba apo Zlatan Ibrahimoviç. Trajneri portugez thekson se nuk do ta ketë aspak problem t’i ulë në pankinë dy yjet e tij, nëse do ta shikojë të nevojshme. Dy emrat më të lakuar të merkatos së Manchester United ishin edhe ndër më të kritikuarit pas sfidës së “Anfield Road”. Francezi që u transferua për rreth 100 milionë euro nga Juventusi numëron vetëm një asist në 9 ndeshje, duke ngritur pikëpyetje të mëdha. Në krahun tjetër, suedezi ka shënuar vetëm një gol në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit. “Special One” thekson se në ekipin e tij nuk ka të paprekshëm. “I paprekshëm në ekipin tonë duhet të jetë shpirti i vetësakrifikimit, krenaria dhe përkushtimi ndaj klubit e respekti ndaj fansave. Kjo është e paprekshme, jo lojtarët”, u shpreh Murinjo.
Gjithsesi, Mourinjo e pranon se Ibrahimoviç ka një influencë të madhe në skuadër, ku ai konsiderohet një simbol. “Është emocionuese për mua që po punoj sërish me të. Ka të njëjtën dëshirë për të luajtur dhe të njëjtën dëshirë për të arritur objektivat. Është në formë shumë të mirë dhe i gatshëm të luajë në çdo moment. Jam i lumtur për influencën që ka në dhomën e zhveshjes. Të rinjtë po mësojnë shumë nga Zlatan”, tha ai.
Manchester United do të luajë kundër Fenerbahces për ndeshjen e tretë të grupit në Europa League dhe Mourinho konfirmon praninë e Luke Shaw që nga minuta e parë. Gjithsesi, ai nuk pranon të japë pika referimi për kundërshtarët, duke e mbajtur të fshehtë formacionin titullar. “Shaw është emri i vetëm që po zbuloj. Rooney po punon shumë mirë. Ai është një lojtar që ka ndikim te skuadra edhe kur nuk zbret në fushë. Është një shembull për të gjithë. Unë e di që ai është gati dhe mund ta japë maksimumin”, tha Murinjo.
Manchester United nuk po mund të përmirësohet edhe pse në pankinë është trajneri Jose Mourinho. Barazimi 0-0 në “Anfield” me Liverpoolin edhe pse mund të konsiderohet një rezultat jo i keq, nuk i fsheh problemet e “Djajve të Kuq”. Në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, Manchester United ka fituar vetëm 1, atë me Leicester në “Old Trafford”, ndërkohë që në klasifikim kjo skuadër është në vendin e 7, jashtë zonës europiane. Statistikat e shënuara deri tani tregojnë një përkeqësim të situatës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur në stol ishte Louis Van Gaal. Sezonin e kaluar, pas 8 javëve të para, “Djajtë e Kuq” të Van Gaal ishin në vendin e 3 të renditjes me 16 pikë, aq sa edhe Arsenali dhe vetëm 2 pikë larg rivalëve të Manchester City. Këtë sezon, Manchester United ka 14 pikë dhe ndodhet 4 pozicione më poshtë e për më tepër me 5 pikë më pak se Citizens e Arsenali.
Këtë sezon, Manchester United ka shënuar më shumë gola 13, ndërkohë që 1 vit më parë ishte në kuotën e 12 golave, ndërsa në pasiv numri i golave të pësuar është 8, po aq sa edhe në 2015-2016. Sfida që ka peshuar më shumë për Manchester United me Mourinjon në pankinë është derbi me Manchester City e humbur 1-2, pasi që nga ai moment Djajtë e Kuq nuk kanë mundur të ngrenë kokë.