Më me ‘lezet’ Shals!

Bledi KASMI

Një nga tre vendimet e para të qeverisë Rama në shtatorin e vitit 2013 ishte ndalimi i importit të plehrave. Dje, tre vjet pas atij vendimi, Eduart Shalsi, ashtu si “pa lezet” fare, doli para mediave dhe deklaroi rrëzimin e atij vendimi dhe rikthimin tek ligji i Berishës për të lejuar importin e plehrave.
Na rikthyen tri vite pas tek vendimi që e kishim! Na kanë vënë të udhëtojmë pas në kohë. Ngjan si një udhëtim në botën e çudirave. Çfarë kemi bërë në këto tre vite? Në këtë vend kanë votuar një të çmendur për t’i çuar atje ku ata ishin. Paskemi xhiruar në vend, kur në fakt dëgjojmë se po ecim përpara më shpejt se kushdo tjetër.
Një mashtrim i bukur që i ngjan historisë të atij skafistit nga Vlora që i merrte hallexhinjtë emigrantë natën me skaf në Shëngjin dhe i zbriste në Zvërnec dhe ata kujtonin se kishin mbërritur në Itali. Skafisti i merrte paratë sikur i kishte dërguar emigrantët në Itali dhe ishte në rregull me pazarin e tij, ndërsa të humbur ishin ato të mjerë që i kishin lënë paratë duke i besuar mashtrimit të skafistit.
Ose i ngjan historisë së atij të riut që për të parën herë që mbërriti në Tiranë në korrikun ‘90 rastisi dita kur hapeshin ambasadat me 2 korrik. Shkoi tek rruga e “Kavajës” ku gjendeshin ambasadat, por ngatërroi rrugicën dhe në vend që të kërkonte strehim në ambasadën gjermane, fatkeqi kaloi gardhin e Ministrisë së Arsimit dhe bërtiti; dua strehim politik.
E njëjta gjë edhe me të çmendurin në krye të qeverisë. Po na zbret atje ku ishim, duke na thënë se sa përpara kemi ecur që na ktheu tri vite pas!
Nuk ka asnjë ndjesë për ata që i gënjyen. I morën votat duke u thënë do t’u ndalojmë importin e plehrave dhe plehrat po vijnë. A mund të ketë një qëndrim më qesharak se sa ky për importin e plehrave për të kuptuar atë që përfaqëson ekzistenca e këtij njeriu në krye të qeverisë gjatë këtyre tri viteve?
Një aventurë e paguar shtrenjtë prej një të papërgjegjshmi në krye të vendit. Një gabim dhe humbje kohe me dëme të pariparueshme. Një eksperiment për të cilin askush nuk mban përgjegjësi.
Rama rrëzoi dje publikisht, paturpësisht dhe në mënyrën më poshtëruese të mundshme veten dhe na riktheu tek Berisha, tek vendimi i tij, tek qeveria e tij, duke na treguar se sekreti i Rilindjes paska qenë të kthehemi sërish tek Saliu.
Më me ‘lezet Shals’, kur të dalësh herë të tjera për nisma të tilla. Tani jeni bërë si ai grupi polifonik i Vlorës që prej dy vitesh po këndon këngën; “o Sali, o baba, kthehu se bëmë shaka”!

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërSërish Ronaldo-Griezman