“Më ndihmoi dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë”- Dëshmon në gjyq i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani: Mjekët më siguruan raportin që kisha vetëm pak muaj jetë! Ja detajet si u lirova nga burgu

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka treguar në gjyqin ndaj grupit të arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i artë” detajet sesi ai është liruar nga burgu me ndihmën e personave të tjerë.

Në GJKKO ai përmend emrin e avokatit Alban Bengasi si ndërmjetës, ndërsa thekson se e ka ndihmuar dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë.

Po ashtu Dumani ka deklaruar se në atë kohë i siguruan një raport mjekësor që ishte i sëmurë dhe kishte vetëm pak muaj jetë.

Edhe seancën e kaluar, më 9 Janar, Nuredin Dumani rrëfeu ndihmën që mori për t’u liruar, por edhe faktin se te lokali i të pandehurit Petrit Qoli mblidheshin politikanë dhe zyrtarë të njohur të kohës. Të pandehur të tjerë janë biznesmeni Gentian Sharra, Festim Qoli, Adrian Uzuni, dhe Skerdi Tase.

Kujtojmë që SPAK po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur. Dumani  është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Po kush është Nuredin Dumani?

Nuredin Dumani është një emër shumë i njohur për policinë. Emri i tij u lakua në tetor të vitit 2020, kur ai u shpall në kërkim si autor i vrasjes së Bujar Çelës, vëllai të Talo Çelës.

Ai është autor i dyshuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, sipas Policisë.

Autorësia e tyre në këtë ngjarje është dëshmuar nga i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, ndërsa dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Dumani ka qene shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator.

Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa së fundmi ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.

Nuredin Dumani gjithashtu mësohet se ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi e trafikuar në Francë.

Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka qenë i arrestuar më herët edhe për akuzën e vjedhjes.

Artikulli paraprakKryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa paraqitet në SPAK
Artikulli tjetërEndri Çekiçi gjen skuadër, ribashkohet me Cikalleshin në Turqi