Starti politik nis nga 9 shtatori dhe bashkë me vapën shuhen edhe pasionet e mendjeve të nxehura nga rritja e temperaturave për t’ia lënë vendin gjykimeve dhe analizave më racionale. Do të bien edhe fushatat e stisura si fortunë në gotë dhe palët do të pozicionohen me opozitën apo kundër saj. Vështirë të ketë të mesme.
Lumi i rrëkejve të sulmeve ku të gjithë janë kundër të gjithëve brenda opozitës së kësaj vere do të tkurret edhe pse asnjëherë nuk do të mundet të shterojë sepse ka një sponsorizim qeveritar që e fryn sipas interesave të timonierit.
Dilemat e një pjese rreth formacionit opozitar politik do të ulen me kalimin e ditëve dhe vendin e mos besimit do të duhet ta mbushë shpresa për të parë një opozitë që është në krah të një populli që e ka braktisur qeverinë, duke i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve të demokracisë që si kurrë më parë është sot e deformuar nga rënia e institucionit të votës.
Shqipëria ka një popull opozitar si kurrë më parë. Rreth 70% e popullsisë e kanë refuzuar me bojkot votimin për qeverinë e re. Nëse do të ishte një referendum, ai do të konsiderohej i paligjshëm në bazë të rregullave të referendumeve. Kjo qeveri nis punën si qeveri e pakicës, duke pasur përballë si rrallëherë në histori shumicën e shqiptarëve.
Një regjim autoritar do të përpiqet që të ngrejë kokën i sponsorizuar nga paratë e pista të krimit të organizuar dhe drogës si dhe me mbështetje të lobeve okulte të disa qarqeve jashtë vendit, ndaj sot më shumë se më parë është i rëndësishëm një bashkim popullor përtej dasive politike në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të fituara gjatë këtyre 25 viteve.
Nuk duhet të ketë më vend për sulme personale dhe interesa të vogla dhe meskine. Frymëzuesit e tyre do të dështojnë dhe zbatuesit e tyre do të shikojnë veten gjithnjë dhe më shumë si pakicë. Toleranca për të pranuar në heshtje një lukuni sulmesh ka një kufi dhe ajo ka kaluar masën duke zhbalancuar të drejtën dhe të vërtetën.
Shkopinjtë nën rrota e opozitës janë një mjet për të zgjatur regjimin që ka ngritur krye sipas motos përça e sundo. Të gjithë demokratë, me apo pa mandate në PD, janë një pasuri sa kohë e shfrytëzojnë atë në dobi të kauzave të një populli opozitar. PD ka lindur bashkë me lirinë e fjalës dhe kritikën dhe ajo nuk mund të mbijetojë dot pa to. Dhe gjithmonë në këtë piedestal lirie ka nevojë edhe për rregulla për të kuptuar se liria e gjithsecilit prej nesh përfundon aty ku cënohet liria e tjetrit.
Në lojë nuk janë më interesat e disa individëve, por të një shoqërie që duhet ta shikojë opozitën si udhëheqëse të sajën në sfidën për t’u rikthyer tek demokracia apo për tu groposur në diktatin e një regjimi kriminal.
Ajo çfarë me shqetësim mund të konstatohet gjatë këtyre javëve është një virus politik që po përhapet nga disa individë që shfaqen herë me kostume luksi dhe herë si sharlatanë tavernash për të demoralizuar shoqërinë, duke vënë në shënjestër opozitën si të keqen më të madhe të vendit.
E pompojnë për çdo ditë këtë frymë për të dekurajuar ringritjen e një opozite të fortë përballë një regjimi kriminal. Fijet e tyre natyrisht shkojnë tek bizneset e lidhura me qeveritarë dhe nëse i shkohet deri në fund natyrisht që nuk do të mjaftonin as ujërat e oqeaneve si bojë shkrimi për t’i treguar të gjitha këto ujëra të zeza.
Kjo vetëm për të shikuar natyrën e këtyre pak individëve që kanë marrë përsipër këtë mision dhe që tani duhet të kuptojnë se nuk do të mund ta vazhdojnë më tej këtë lojë të kurdisur në kazanin e qeverisë.
Opozita do të ringrihet përtej të gjitha dilemave dhe skeptikëve.
Kujtoni pak historinë e PD dhe të kuptoni vitalitetin e kësaj force politike. Menduan se e shuan në ’97 me rebelimin e armatosur dhe nuk arritën. Menduan se e shuan në vitin 2001, duke i zhvatur pjesën më të madhe të mandateve përmes Gjykatës Kushtetuese të Fehmi Abdiut, e cila zhbënte votën e shqiptarëve njësoj sikurse ndodhi edhe këtë 25 qershor me blerjen masive të mandateve nga PS nga bandat kriminale të pushtave të drogës. Megjithatë, asnjëherë nuk arritën që të shuajnë PD dhe opozitarizmin e vërtetë të këtij vendi, i cili arriti të triumfojë pas vitesh të tëra padrejtësie politike, vrasjesh politike, krimesh, manipulimesh dhe abuzimesh.
Mos harroni, PD do të rikthehet shumë shpejt si forca përfaqësuese e 70 për qind të shqiptarëve që e bojkotuan qeverinë e minorancës më 25 qershor dhe që sot janë shumica legjitime dhe e heshtur e këtij vendi.