Nga Aranit Muraçi
Ligësia i ideon për qëllimet e saj dhe i financon, idiotët i përhapin, budallenjtë i besojnë.
Shprehje e vërtetë ndoshta për “patriotët” .
Kur idiotët dhe budallenjtë, të cilët i ka çdo komb, përmes një skeme piramidale i shiten publikut si më eruditët e shoqërisë, si “ekspertë” , “specialistë”, “doktorë”, profesorë” a mund të përbëjnë ata në çdo kohë një rrezik të madh kombëtar?
Janë pikërisht ata të cilët shesin marrëzira në treg dhe nuk flasin kurrë për gjendjen e vërtetë ku ndodhet kombi shqiptar. Nuk flitet për zgjidhje. Kurrë nuk japin asnjë ide dhe as mendim për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të shoqërisë, sepse, e vërteta e tyre e madhe është se nuk kanë mendim. Dhe fatkeqësisht nëse nga njëra anë shqiptarët të cilët kërkojnë një jetë normale po largohen masivisht ata ironikisht janë duke u shtuar po aq masivisht, çdo ditë.
Mos po na gënjen sërish mëndja, duke qenë se jemi anëtarë të NATO-s se nuk na pushton kush ose nuk do të na lejojnë më të luftojmë me armë ndaj njëri-tjetrit, prandaj, “të bekuar” si dikur nga lart le t’ia japin shansin vetes të bëhemi të gjithë të pasur dhe të ditur përmes skemave piramidale si në ‘97!
A keni dëgjuar të thuhet shpesh se gjuha shqipe është “hyjnore” dhe madje prej saj rrjedhin të gjitha gjuhët e botës, në vend që të bëhen përpjekje që ajo të mbrohet nga ndërhyrjet e shumta dhe rreziku që i kanoset?
Ose në vend që të gjendet ndonjë zgjidhje sa më e mirë për fëmijët e rreth gjysmës së shqiptarëve sot në emigrim, që të mos e harrojnë gjuhën e atdheut ose të mëmëdheut!
A keni dëgjuar prej “patriotëve” me “grada shkencore”, që origjina e çdo luftëtari të lavdishëm i racës ariane që nga Aleksandri i Madh, Jul Çezari, Napoleon Bonaparti, del shqiptare! Në vend që prej tyre, do të ishte më mirë të njihej dhe të mbrohej historia e lavdishme e Skënderbeut! Ose prej kombit të identifikoheshin dhe të lejoheshin studiuesit e vërtetë që ta mbrojnë atë. Pse jo të financohej edhe një dokumentar historik për Gjorg Golemin, me qëllim që ne shqiptarët ta shihnim e ta njihnin më mirë historinë e tij të lavdishme krahas me atë të Ertogrulit.
Nga qytetërimi i lashtë persian tek ai egjiptian, grek dhe ai romak, a keni dëgjuar të thuhet shpesh se prej tyre flitej dhe shkruhej shqip, këndohej dhe vallëzohej shqip! Veçse “dijetarë” të këtij soji të cilët shtohen dhe promovohen në vend që të ndodhte e kundërta: si nuk japin dot një shpjegim logjik pse ne shqiptarët universitetin e parë e themeluam në vitin 1957.
Nga lumi Eufrat, në Kajro, Paris, Britani e deri në Amerikë, “gjuhëtarë” dhe “shkencëtarë” të fushës së etimologjisë, a keni dëgjuar të fantazojnë mbi emërtime nga më të ndryshmet e të larmishmet, duke iu dhënë shpjegim përmes gjuhës shqipe? Duke kërkuar gjurmë në “hënë”, a nuk rrezikojmë përmes sharlatanëve të humbin Ulqinin, Tetovën e madje edhe Gjirokastrën, Himarën, Prizrenin e Gjakovën?!
Si shembull, duke fantazuar pa bërë asnjë studim dhe pa u bazuar mbi asnjë dëshmi shkencore le të “shpjegojmë” etimologjinë e prejardhjes së fjalës prej nga ku ka marrë emërtimin që mban sot Afganistani.
Afganistan është quajtur më herët Albani-stan por me kalimin e shekujve ka ndryshuar germa “l” në “f”, ndoshta edhe nga ndërhyrjet dashakeqëse të ‘armiqve’ historikë të kombit tonë. Fjalë për fjalë Afganistan do të thotë ‘stani i Albanit’ dhe bëhet fjalë për një shqiptar të famshëm me gomar i cili tregonte historitë e të parëve tanë ndër shekuj sa herë dilte dhe bënte pazar.
Çfarë mund të ndodhë disa vite ose dekada më vonë nëse sistemi arsimor dhe ai kulturor humbasin qëllimin dhe degradojnë akoma më keq si deri tani në filtrimin dhe përçimin e vlerave e të dijes?
Po nëse edhe ai politik, për të mbajtur pushtetin e tij pa vizion anon nga interesi i momentit; e zëmë se për një moment do të kemi më shumë budallenj votues të cilët janë gati t’i shpallin luftë ShBA-ve sepse do të besojnë se jemi ne perandoria e vërtetë e botës, çfarë ndodh? Çfarë duhet të bëjmë? T’i bashkohemi nismës së shumicës?!
Nëse marrëzi të tilla nga më të larmishmet do të gjejnë mjedis e do të vazhdojnë të përhapen, në vend që studiues të vërtetë dhe njerëz kompetentë të fushës, të përçojmë zërin për të drejtat tona të mohuara ndër vite e shekuj, apo në vend që i tërë debati publik të fokusohet për të ardhmen dhe përparimin e shqiptarëve nga ekspertë me besueshmëri dhe integritet, a nuk rrezikojmë përmes kaosit të shndërrohemi në të ardhmen jo vetëm në një komb të pabesueshëm për botën që na rrethon, por kësisoj mund të bëhemi si shoqëri edhe më keq se kaq; qasharakë.
Është emergjencë kombëtare; kërkohet një zgjidhje mbarëkombëtare që të ngushtohen hapësirat publike për të frenuar sa të jetë e mundur ligësinë që financon injorancën. Edhe nëse nuk do të ketë investim dhe përkrahje për vlerat shoqërore e dijen, të paktën në hapësirat publike do të ketë më pak “ushqim” për budallenjtë. Gjysma e së keqes.