Barazimi me Luftëtarin është arkivuar shumë shpejt, pasi Skënderbeu duhet të bëjë llogarinë me një tjetër transfertë të vështirë, atë ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Kampionët do të debutojnë në stadiumin e rikonstruktuar aty ku kuqeblutë ndjehen të plotfuqishëm dhe të pathyeshëm. Agostinelli ka marrë votëbesimin nga presidenca, pavarësisht ndalesës në Gjirokastër dhe italiani ndjehet më i qetë për të përgatitur një sfidë kaq delikate. Për këtë duel pritet rikthimi i mbrojtësit Marko Radas dhe sulmuesit shkodran Hamdi Salihi, të cilët janë në rrugën e duhur të rikuperimit dhe pritet të jenë në fushë.
Për korçarët kjo do të jetë transferta e 3 nga 4 radhazi që ka për të luajtur dhe gabimet janë të patolerushme. Megjithatë, përballë është një kundërshtar i rrezikshëm, që në shtëpi ka vetëm një humbje, atë ndaj Laçit, por të zhvilluar në “Reshit Rusi”. Në impiantin e ri, kuqeblutë kanë 2 fitore dhe 2 barazime, pasi triumfi ndaj Teutës është regjistruar po në “Reshit Rusi”. Madje barazimet janë me vlerë, pasi janë arritur ndaj pretendentëve për titull si Kukësi dhe Partizani. Një tjetër 90 minutësh me rezultat pozitiv mund të fusë zyrtarisht Vllazninë në garën për Europën, një objektiv i dëshiruar nga drejtuesit. Për këtë duel trajneri Armando Cungu do të ketë mungesën e mbrojtësit Stefan Cicmil, njeriu gol në transfertën e Vlorës ndaj Flamurtarit.
Gjatë pauzës së Kombëtareve, Takaj foli për 3 ndeshje prove për trajnerin dhe skuadrën, afat që skadoi ndaj Luftëtarit, por kur pyetet nëse e ka kaluar këtë provë dhe a ka patur një konfirmim nga Presidenti, Agostinelli kalon në kundërsulm. “Nuk kam pasur ndonjë takim me Presidentin, pasi shihemi çdo ditë. Duhet kuptuar diçka që besoj se është e rëndësishme: Nëse një skuadër bën një kampionat ku mendohet se mund të merrte më shumë, por drejtimi teknik nuk është në lartësinë e duhur, atëherë ndërrohet trajneri. Nëse diskutimi është që mendohet se trajneri është i zoti, por duhet përforcuar skuadra, atëherë përforcohet skuadra”.
Me pak fjalë, “topi në fushën e Takajt”, i takon atij të vendosë. Një problem është dhe shënimi i golave. Trajneri shprehet se ky është një aspekt që duhet përmirësuar, por duke ruajtur soliditetin në mbrojtje ku Skënderbeu ka pësuar vetëm në 3 ndeshje në kampionat, por një kritikë ndaj lojtarëve të avancuar edhe këtu nuk mungon.