Bledi KASMI
A mendoni të largoheni nga Shqipëria drejt një vendi tjetër për një të ardhme më të mirë? Kjo ka qenë pyetja e shtruar dje nga portali informativ “Opinion.al”. Sipas drejtuesve të sondazhit përgjigja ka qenë më shumë se surprizë. 91% e të anketuarve janë përgjigjur se ata do të donin të largoheshin nga vendi dhe vetëm 9% e të anketuarve kanë thënë se do të donin të vazhdonin të qëndronin në Shqipëri.
Shifrat e këtij anketimi spontan mund të konsiderohen si reale për të paktën dy arsye.
Arsyeja e parë ka të bëjë me profilin e këtij portali. Ai nuk është një portal informativ që njihet për njëanshmëri në raportimin e lajmeve. Nëse do të ishte një portal me kahje të qartë politike, atëherë përqindjet e nxjerra vetëm se do të reflektonin bindjet politike të lexuesve të atij kahu politik në këtë portal. Duke qenë një portal i pavarur atëherë, rezultati mund të konsiderohet si një test i realitetit dhe shifra është vërtet e frikshme.
Arsyeja e dytë se përse duhet parë me kujdes, përfundimi i dalë nga pyetja drejtuar anketuesve është se ky është një fenomen i konfirmuar nga statistikat zyrtare të Bashkimit Europian dhe SHBA. Eurostat thotë se, gjatë vitit të shkuar kanë kërkuar strehim në një vend të BE-së 65.935 shqiptarë, shifër që ka arritur thuajse katërfishin e vitit 2014, kur ishin 16.805 apo gjashtëfishin e vitit 2013, kur numëroheshin vetëm 11.075 në atë vit.
Nëse këtyre shifrave i shtohen edhe 200 mijë shqiptarë që aplikuan për Llotarinë amerikane vitin e kaluar si dhe dyndjen e sivjetme për të njëjtën Llotari, atëhere është e kuptueshme se rezultati i dalë nga anketimi spontan tregon një të vërtetë të hidhur. Në këtë vend të gjithë po kërkojnë të ikin dhe se njerëzve i është vrarë shpresa.
Shifrat e shqiptarëve që janë larguar gjatë këtyre tre viteve apo që janë duke e menduar dhe po plotësojnë dokumentat për të ikur nga kjo kolerë luhaten mes 450 mijë dhe 500 mijë qytetarëve. Një shifër e tillë në një vend me popullsi prej 2.3 milionë banorësh rezidentë nënkupton se afro 25% e popullsisë është shpërngulur ose është në proces shpërnguljeje.
Në asnjë vend të lirë nuk mund të ndodhë një shpërngulje e tillë e popullsisë. Ne nuk kemi lidhje me luftën sikurse është Siria. Problemi i këtij vendi është instalimi i një regjimi kriminal, ku mafia e karteleve të drogës drejton vendin në bashkëpunim me juntën policore. 91% e shqiptarëve po kërkojnë të largohen nga vendi, sepse ata nuk mund të ndajnë të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre me organizatën kriminale që drejton dhe që si premtim për shqiptarët ka ose drogën, ose plehrat ose prostitucionin.
Qeveria ka sot kundër saj 91% të popullsisë që po i detyrojnë të marrin rrugën e vështirë dhe të mundimshme të emigrimit, duke lënë pas gjithçka. Ndërsa mbështetja reale e qeverisë, e atyre që rezultojnë të jenë të kënaqur me jetesën në këtë vend luhatet tek 9% që për koincidencë është pak më shumë se numri i oligarkëve që kontrollojnë 95% të parave.
91% e njerëzve që po kërkojnë të ikin janë në të njëjtën kohë edhe armata më e madhe që mund të ketë njohur një vend i prirur për ndryshim. Emigrimi nuk është i lehtë. Më e lehtë është përmbysja e organizatës kriminale.