“Me vdekje, në litar…”- Dëshmitë e rralla të ish-të burgosurit politik: ‘E akuzuar, e dëgjon, se ç’thotë populli’! Çfarë i tha kryetari i gjyqit Musine Kokalarit

Para një shekulli në familjen e juristit shqiptar Reshat Kokalari, që banonte atëherë në qytetin Adana të Turqisë, lindi mbas tre djemve, mes një gëzimi të madh, një vajzë, që ia vunë emrin Musine. Katër vite më vonë atdhetari Reshat Kokalari, u shpërngul nga Turqia dhe familjarisht u drejtua për në Atdhe, në qytetin e Gjirokastrës. Në qytetin e gurtë kjo vajzë e vogël kaloi fëmijërinë dhe përfundoi shkollën fillore. Më vonë kjo familje u shpërngul për në kryeqytet, ku vajza Musine, filloi dhe mbaroi shkollën e mesme “Nana Mbretneshë“.

 

Sikurse kuptohet programi i Partisë Social-demokrate, ishte për një Shqipëri demokratike, ku të kishte çdo nënshtetas drejtësi shoqërore liri politike, barazi shoqërore dhe jetë pa vuajtje, në qendër duke qenë bujku dhe proletari. Programi i kësaj partie, hartuar në vitin 1943, tre çerek shekull më parë, le mbrapa programet e shumë partive politike të vendit tonë të formuara tani, në këtë tranzicion të tej-zgjatur. Në një letër që më ka dërguar më ka dërguar Isuf Luzaj në vitin 1997, Musineja ishte caktuar të drejtonte punën e partisë në Tiranë, Vlorë, Korçë, Berat dhe Shkodër.

Politikania Musine Kokalari, pas formimit të Partisë, së bashku me Skënder Muçon dhe me nacionalistin Osman Kazazi, i cili gjatë gjithë kohës së diktaturës ka qenë burgosur dhe internuar, nxori organin e Partisë Demokrate, që titullohej “Zëri i Lirisë“.Numri i parë doli ditën e shtunë, më 1 kallnuer 1944. Gjithsej kjo gazetë doli gjashtë numra. Në bibliotekën kombëtare ruhet vetëm numri i parë. Mbas themelimit të partisë, Musineja mendoi që për të forcuar luftën kundër pushtuesit, të hynte në Frontin Nacional-Çlirimtar, por mbas një takimi të pa dobishëm me ata, ajo u tërhoq.

Ja se si shprehet shkrimtari Eden Babani, për këtë njoftim:“Njëherazi u përpoq të integronte social-demokracinë e porsaformuar  në Frontin Nacionalçlirimtar, por pa sukses, për shkak të qëndrimeve të udhëheqësve komunistë, të cilët pretendonin drejtimin e kësaj organizate të shpallur pluraliste, por të katandisur në vegël të P.K.Sh.-së, tashmë të njohur mirë. Propozimit për të marrë pjesë individualisht në Front, iu përgjigj negativisht, duke mos pranuar të jetë në udhëheqje të tij”. Më vonë, si deklaroi në gjyq, ajo bëri pjesë, po për këtë qëllim me ‘Ballin Kombëtar’: “Mbas mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në ‘Ballin Kombëtar’, si social-demokrate”, – është shprehur ajo.

Nga fundi i luftës, Musineja mbeti e vetme në udhëheqjen e Partisë Social-demokrate, sepse Skënder Muçon e vranë gjermanët e Abaz Omarin e vranë partizanët dhe Isuf Luzaj, u largua nga Shqipëria, se e ndiqnin forcat partizane, për ta eliminuar fizikisht si anti-komunist. Megjithatë ajo e vazhdoi punën në emër të Partisë Social-demokrate edhe pse ishte e vetme në drejtimin e asaj partie.

FAMILJA KOKALARI

Familja Kokalari ishte një familje atdhetare, e kulturuar dhe bamirëse. Qysh nga mbarimi i Luftës ajo u vu në shënjestër të udhëheqjes së Partisë Komuniste dhe veçanërisht të udhëheqësit kryesor të saj, Enver Hoxha. Kur familja Kokalari shkoi nga Gjirokastra në Tiranë, vëllezërit e Musinesë u muarrën me tregti, hapën një librari në kryeqytet, ku qëndronte Musineja dhe në vitin 1942 krijuan të parën shtëpi botuese, ku shërbenin vëllezërit e saj.

Libraria quhej “Venus“ dhe shpejt u bë vendi, ku intelektualë të ndryshëm, jo vetëm që njiheshin me botimet e reja në gjuhën shqipe edhe në gjuhë të huaja dhe blinin nga ato vepra, por edhe diskutonin mes tyre mbi ato botime dhe për probleme të ndryshme të kohës. Në vitin 1942, vëllezërit Kokalari krijuan të parën shtëpi botuese në vendin tonë dhe botuan në gjuhën shqipe, kryeveprat e letërsisë botërore.

Duhet përmendur, se në atë kohë, zoti Hamit Kokalari, vëllai i Musinesë, botoi veprën madhore “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, një vepër historike, më e mira midis veprave të tjera të asaj natyre, që u botuan në atë kohë, si; “Raca shqiptare”, me autor Dr. Jakov Milaj, “Shqipnia e vërtetë”, me autor Dr. Besim Qorri dhe “Lidhja e Prizrenit”, me autor Xhaferr Belegun. Kjo vepër nuk u pëlqeu sllavo-komunistëve, që donin ta mbanin edhe mbas lufte nën robërinë e tyre, Kosovën tonë martire.

Rrjedhimisht nga kultura dhe talenti i Musinesë dhe si njëra nga themeluesit e Partisë Social-demokrate e Shqipërisë, nga smira dhe urrejtja ndaj asaj, se ajo ishte mbi ata, nga botimi i librit “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, i vëllait të saj, nga veprimtaria kulturore e librarisë “Venus“ dhe nga botimet e veprave letrare që botonin vëllezërit Kokalari, në shtëpinë e tyre botuese “Mezaxheritë Shqiptare”, familja Kokalari u bë e njohur në Tiranë dhe fitoi respekt. Por nga ana tjetër, njëkohësisht edhe udhëheqja e Partisë Komuniste e Shqipërisë, e shtoi qëndrimin e saj armiqësor ndaj asaj familje.

Si rrjedhim i këtij qëndrimi armiqësor, gjatë luftës në Tiranë, natën e datës 12 nëntor 1944, kur forcat partizane bënë disa arrestime në kryeqytet, shkuan edhe në shtëpinë e Kokalarëve, me urdhër që të arrestonin të tre vëllezërit e Musinesë: Vesimin, Mumtazin dhe Hamitin. Por njërin nga ata, Hamitin, nuk e arrestuan se, ishte i sëmurë, rënë në shtrat me një temperaturë të lartë. Ishte një urdhër i llahtarshëm ky, që të arrestonin të tre vëllezërit e një familje. Po atë natë, ata i çuan në bodrumin e hotelit “Bristol”, dhe tok me disa të tjerë, i pushkatuan pa i gjykuar.

Mbas katër ditësh arrestuan edhe motrën e atyre, Musinenë. Në familjen e Kokalarëve, ra hija e vdekjes. Për të mbyllur gojën e popullit, Musinenë, mbas 16 ditëve në arrest, e liruan nga burgu.

PROCESI GJYQËSOR

Dalë nga dalë diktatura e proletariatit, po vendosej në të gjithë Shqipërinë e varfër, me një terror të madh. Qeveria komuniste, po largohej gjithnjë e më shumë nga bota Perëndimore dhe Shqipëria po afrohej çdo ditë e më shumë, në atë sllavo-komuniste. Mareshalli Tito kishte hedhur kanxhat për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë dhe Enver Hoxha, shprehej se: “Pa Jugosllavinë e marrshallit Tito, Shqipëria nuk rron dot asnjë ditë”.

Enver Hoxha filloi të përgatiste zgjedhjet për të legalizuar fronin e tij.”Njerëzit habiteshin, atdhetarët mendoheshin, ndërsa idealistët vendosën për të luftuar, – si është shprehur Musineja në gjyq, jo për qëllimin e përfitimit të disa klasave, por për demokratizimin e vendit”. Dhe u formua një koalicion për të shpëtuar Shqipërinë nga vendosja e një diktature.

Ishin tri forca që e përbënin këtë koalicion; Partia social-demokrate e përfaqësuar nga Musine Kokalari, “Fronti i Rezistencës” i përfaqësuar nga Sami Qeribashi dhe “Grupi monarkist”, i përfaqësuar nga Qenan Dibra. Ishte një veprim demokratik dhe ideal ky koalicion, si u mësua veprimtaria e atij grupimi, edhe pse veproi për një kohë të shkurtër.

Ky koalicion, nuk kishte për qëllim për të përmbys me forcë pushtetin.Ata i drejtuan një memorandum aleatëve, që të anuloheshin zgjedhjet e 2 Dhjetorit të vitit 1945, si antidemokratike. Për këtë problem Musine Kokalari takoi edhe kolonelin anglez, Palmer, për të ndihmuar koalicionin. Por, as koloneli Palmer dhe as një anëtar tjetër i misionit anglez, që ishte në Tiranë, nuk bëri ndonjë ndërhyrje, vetëm se çdo ditë mbas mbarimit të seancave gjyqësore, njoftonin Londrën mbi zhvillimin e gjyqit. Në hartimin dhe dorëzimin e këtij memorandum, ka punuar shumë Musineja.

Diktatura e mësoi formimin e këtij koalicioni dhe qëndrimin e misionit anglez dhe e quajti këtë veprim si tentative për përmbysjen e pushtetit me forcë dhe filloi arrestimet. Të parët u arrestuan kryetarët e koalicionit dhe pastaj simpatizuesit.U arrestua edhe Musineja. Ajo u arrestua në 23 janar 1946. U përdorën torturat më të llahtarshme që mund të krijojë mendja e një krimineli, jo vetëm ndaj asaj, por ndaj të gjithë të arrestuarve.

Po shënojmë një nga torturat që i përdorën Musinesë, për të kuptuar tmerrin e atyre torturave. Musinesë i veshën një palë çitjane, i futën brenda një mace dhe e qëllonin me një shkop. Duke u përpjekur për të dalë, macja e gërvishte dhe Musineja ndjente dhimbje të tmerrshme. Që torturuesit i kanë bërë Musinesë këtë torturë të tmerrshme, është më se sigurt, se ia ka thënë vetë Musineja, një kushërirës së saj.

Mbas afër pesë muajsh torturash, në 2 qershor të vitit 1946, filloi procesi gjyqësor kundër atyre “armiqve të popullit”, që kishin dashur të përmbysnin Pushtetin Popullor me forcë. Gjyqi u bë në kinema. Ajo u mbush me njerëz të zgjedhur: anëtarë e kandidatë partie, të rinj komunistë, nëpunës besnikë të diktaturës dhe familjarë të këtyre. Trupi gjykues, përbëhej nga persona të njohur, për dënime drastike.

Salla e gjyqit, plot me parulla të ndryshme, ushtonte nga thirrjet e asistuesve për gjak e varje në litar. Jashtë kinemasë, kishin vendosur dy altoparlantë të fuqishëm, që të mësonte populli jashtë “krimet e armiqve të popullit, që kishin tentuar të rrëzonin me gjak qeverinë”! Do të gjykoheshin mbi 30 vetë. Të gjithë akuzoheshin, kush e kush më rëndë se tjetri.

Musineja akuzohej, midis të tjerave, se: “Kishte bashkëpunuar me krerët e ‘Ballit Kombëtar’ e të Legalitetit, kishte sabotuar Pushtetin Popullor, kishte marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e fshehta, që kishte bërë Grupi Social-demokrat, Grupi i Rezistencës dhe ai Monarkist, kishte pas lidhje me të arratisurit politikë, për të përmbysur Pushtetin Popullor dhe se kishte hartuar nota drejtuar aleatëve, për të kërkuar ndërhyrjen e tyre”.

Musineja në gjyq mbajti një qëndrim dinjitoz. Ajo e dinte se do të dënohej, madje edhe shumë rëndë, por megjithatë nuk e uli kokën, nuk shfaqi asnjë shenjë dëshpërimi e shqetësimi. Ajo u përplas me kryetarin e gjyqit, e kundërshtoi atë, tregoi me mburrje veprimtarinë e saj si shkrimtare dhe si politikane. Megjithëse gjatë debateve me kryetarin e gjyqit, njerëzit që ishin në sallë, ulërinin me të madhe kundër asaj, ajo nuk u shqetësua fare, por i përgjigjej atij me kurajo.

Ajo nuk pranoi asnjë nga akuzat. Por edhe nuk mohoi asnjë, nga veprimtaria e saj politike, për të ulur dënimin. Kështu ajo deklaroi se; kishte bashkëpunuar me ‘Ballin Kombëtar’ dhe se kishte drejtuar gazetën “Zëri i Lirisë” që ishte organ i Partisë social-demokrate: “Mbas mbledhjes së Mukjes, – deklaroi ajo, – kam marrë pjesë në ‘Ballin Kombëtar’ si social-demokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, në të cilën kam botuar artikuj, ku flitet për çështjen e Kosovës, në bazë të Kartës së Atlantikut”.

Të flitej atëherë se kishe bashkëpunuar me ‘Ballin Kombëtar’ ose të përmendje se kishe shkruar artikuj për Kosovën martire, ishte një vetëvrasje. Por Musineja i tha ato, pa pikën e frikës. Vetëm nga kjo shprehje, kuptohet guximi dhe trimëria e asaj vajze në atë gjyq të llahtarshëm. Kur kryetari i gjyqit, Frederik Nosi, e akuzoi se ishte fajtore, ajo iu përgjigj: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe kjo s’mund të quhet faj. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju, doni të dënoni Rilindjen”.

Me një mbrojtje të tillë, ajo hodhi poshtë akuzat që i bënin asaj. Ajo gjatë procesit gjyqësor, shprehu edhe atdhedashurinë e saj: “Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin, edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni, se e keni fituar luftën dhe tani ju jeni fituesi, që doni të shuani ata, që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar mua për idealet e mia”. Me këto fjalë, ajo nga e akuzuar, kthehet në akuzuese dhe akuzon sistemin e atëhershëm që e kishte arrestuar dhe nxjerrë në gjyq, për ta dënuar.

Në vazhdim të gjykimit Musineja kundërshton:

“Unë në burg, s’duhet të jem. Unë s’jam fashiste. Unë kam kulturë demokrate”!Dhe me këtë qëndrim para trupit gjykues, ajo me krenari i tregoi gjykatësve të kuq, formimin e saj kulturor, për të cilën formim ata, edhe po e gjykonin e do ta dënonin. Por pika më kulminante e guximit të kësaj vajze gjatë procesit gjyqësor, është kur ajo me kurajo të pa imagjinueshme, i tregoi kryetarit të gjyqit fundin e karrierës së tyre, si shërbëtor i diktaturës, që ai po mbronte me aq zell:

Kur një një grua, ulurit me urrejtje nga përgjigjet e Musinesë; “Me vdekje! Në litar”, kryetari i gjyqit, iu drejtua Musinesë me mburrje “E akuzuar, e dëgjon, se ç’thotë populli”?! Ajo iu përgjigj qetë, qetë: “Nesër këtë do ta thonë edhe për ju”! Ishte një parashikim që më vonë do të bëhej realitet, kur do të pushkatoheshin shokët e gjykatësit, po nga ajo diktaturë, që ai po dënonte të pandehurën Musine Kokalari.

Kështu iu përgjigj “armikja e popullit”, atij që po e gjykonte për të vendosur vdekjen e saj. Kush i akuzuar i është përgjigjur kështu atëherë një gjykatësi?! Cili i akuzuar pati guximin të vepronte kështu, si veproi Musineja përpara gjykatësit, që do të vendoste për jetën e tij? Musineja nuk pranoi avokat, ajo e mbrojti vetë, veten e saj, si një politikane e aftë, si një demokrate e sprovuar e si antikomuniste e vendosur.

Dhe duhet të kujtojmë, se ajo atëherë, ishte 29 vjeçare. Kur kryetar i Gjykatës Ushtarake, deklaroi dënimin e Musinesë, u shpreh edhe se; “Kjo grua ka zhvilluar një aktivitet të gjerë kriminal e terrorist”. Kush është aktiviteti i gjerë kriminel dhe terrorist i asaj gruaje? Se kishte shkruar libra?! Se kishte studiuar në një universitet të Italisë dhe ishte një grua e kulturuar?! Se kishte formuar Partinë Social-demokrate? Se kishte botuar një gazetë politike? Se kishte bërë pjesë në grupimin e parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokrat Shqiptar”? Se kishte formuluar memorandumin kundër zgjedhjeve antidemokratike?

Se kishte biseduar me kolonelin anglez, për të ndërhyrë që të anuloheshin zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1946? Se kishte zhvilluar një veprimtari antikomuniste, për ta shpëtuar popullin shqiptar nga vendosja e një diktature të egër? Këto i quante kryetari i gjykatës ushtarake, aktivitet të gjerë kriminel e terrorist.

Në fund të procesit gjyqësor,kryetari i Gjykatës Ushtarake, njoftoi dënimet për të akuzuarit: tre përfaqësuesit politik që kishin formuar grupimin opozitar, u dënuan me vdekje dhe më vonë u pushkatuan, ndërsa Musineja, përfaqësuese e social-demokrates, u dënua me 20 vjet burg. Pse ky ndryshim?!

U erdhi keq për këtë vajzë që ta pushkatonin?! Apo që ajo të vuante gjithë ato vite, duke punuar si punëtore në ndërtim dhe në bujqësi deri sa t’i dilte shpirti? Diktaturat nuk e njohin mëshirën. Ato e skuqin vendin me gjakun e kundërshtarëve të saj, për të zgjatur jetën e diktatorëve.

NË BURG

Për Musinenë filloi jeta e burgut, në burgun e grave. Nga një jetë e lirë, në një jetë pa liri mes grave të burgosura, sepse kishin dashur liri. Se lirinë ia vodhën njerëzit, që nuk e njihnin lirinë, ia grabitën ata njerëz, që nuk e dinin ç’ishte liria, Ia rrëmbyen njerëzit, që nuk e dinin, se ç’mund të bënte liria.

Ata lirinë e kishin zëvendësuar me robërinë. Dhe mburreshin që e kishin bërë këtë zëvendësim. Se ata nuk ishin edukuar me dashurinë. Ata ishin edukuar me urrejtjen, vetëm me urrejtjen. Ata nuk e njihnin fare dashurinë, këtë ndjenjë të bukur, që e zbukuron njeriun. Ata njihnin vetëm urrejtjen, këtë ndjenjë të egër, dhe, pse ishin transformuar në njerëz të tillë, ata njerëz i torturonin ato të burgosura, i mërzitnin, i dëshpëronin, i bënin që të vuanin, i ofendonin, i provokonin dhe mburreshin me urrejtjen e tyre dhe krenoheshin me torturat e tyre shtazarake, që u bënin atyre grave?!

Në atë vend ku ndodhnin gjithë ato krime me emrin burg, e futën Musinenë. Ajo pa ndërtesën e madhe të burgut, me roje të armatosura lart në kabinat, por nuk u drodh, se e dinte që në atë ndërtesë diktatura masakronte lirinë. E futën në një kaushë të qelbur, të errët e të frikshëm, ku iu zu fryma, pa atë ambient të tmerrshëm, që të llahtariste, por nuk u trondit, se e dinte se çfarë do ta priste.

Pa gratë e burgosura, të venitura, të dobësuara, të heshtura dhe që iu dukën si fantazma e, i erdhi keq për vuajtjet e atyre grave, se e kishte mësuar nga veprat që kishte lexuar, se sa e egër është diktatura. Qëndroi e heshtur në mes të atij kaushi për disa çaste në një heshtje të hidhur.

Kur dëgjoi që roja mbylli derën e hekurt të kaushit, Musineja ktheu kokën me neveri nga njeriu i diktaturës, që iu mbylli atyre grave derën e kaushit të atij burgu. Ato gra të burgosura në atë burg pa dritë, pa ajër të pastër, pa liri. Po, përse, vallë i kishin burgosur ato gra? Ç’kishin bërë ato të shkreta, që i kishin futur në atë vend, ku përleshej jeta me vdekjen, mes psherëtimave e mallkimeve të heshtur?

Mbas pak Musinesë i buzëqeshi njëra nga ato gra dhe e ftoi me dorë, t’i afrohej. Musineja e shikoi me kujdes dhe e njohu. Kishin qenë të dyja në një klasë në shkollën “Nana Mbretneshë”. Shkoi te ajo e u ul pranë asaj. Nuk u përqafuan. As nuk u puthën. As nuk i folën njëra tjetrës. Por shikuan njëra tjetrën në heshtje. Ishte një heshtje që bënte shumë pyetje. Pastaj filluan të bisedojnë tok, ngadalë, por lirshëm. Ajo i tregoi se e kishin dënuar si agjente, sepse kishte biseduar anglisht një ditë në Tiranë, me një punonjës të misionit anglez. Edhe Musineja i foli mbi jetën e saj.

Pastaj heshtën. Folën pak, por shprehën shumë. Ishte një heshtje që zëvendësonte fjalët. Një heshtje tmerresh, vuajtjesh, mjerimesh. Një heshtje e frikshme. Mbas asaj dite Musineja, kaloi plot vite njëri mbas tjetrit, nëpër burgje të ndryshëm, njëri më i vështirë se tjetri, i dyti më i llahtarshëm se i pari, me trajtim antinjerëzor dhe me vuajtje të tmerrshme.

Por Musineja i përballoi vuajtjet e burgut, me idealin e saj, i përbuzi rojet e diktaturës, me qëndrimin heroik, i mëkoi gratë e burgosura me krenarinë e vet. Duke i mëshiruar në në heshtje ato gratë e burgosura, të rriturat, i quajti nëna dhe të rejat, motra. Dhe u shërbeu të gjithave, kur patën nevojë me kujdesin e një nëne dhe me dashurinë e një motre. Memorie.al/ Nga Makensen Bungo

Exit mobile version