Medaljet e Rio 2016: SHBA e para, bie Kina

Edicioni XXXI i Lojërave Olimpike moderne uli siparin. Në evenimentin e parë të këtij lloji të zhvilluar në Brazil dhe në Amerikën e Jugut, nuk munguan surprizat dhe zhgënjimet, e megjithatë u respektuan hirearkitë në tabelën përfundimtare të medaljeve. Shtetet e Bashkuara konfirmohen si skuadra më e fortë. Ekipi amerikan u klasifikua i pari për medalje të fituara në Rio 2016: plot 121, duke përmirësuar edhe paraqitjen e katër viteve më parë, ku e mbyllën olimpiadën me 103 medalje në total. Sportistët amerikanë fituan plot 46 medalje të arta, shifër e njëjtë me atë të Londër 2012, të cilave iu shtuan edhe 37 medalje argjendi dhe 38 bronzi.
Në tokën latine, ndryshoi vendi i dytë me Britaninë e Madhe që fitoi një pozicion, falë 27 medaljeve të arta nga 67 medalje të fituara në total. Rezultati fantastik për britanikët u regjistrua pavarësisht se ndryshe nga Olimpiada në Londër, ata fituan dy medalje të arta më pak. Ajo që zbriti një vend është Kina, për shkak të rënies së ndjeshme të medaljeve të arta. Vetëm 26 të tilla në Brazil, krahasuar me 38 të fituar në Londër 2012. Duke qenë se renditja finale përllogaritet falë medaljeve të arta, aziatikët zbresin në vendin e tretë, pavarësisht se me 70 medalje në total kishin siguruar më tepër podiume se Britania e Madhe. Paraqitja mbetet gjithsesi më e dobët se 4 vjet më parë, kur Kina ngjiti plot 88 sportistë në podium.
Në vendin e katërt konfirmohet Rusia, që pavarësisht përjashtimit të pjesës më të madhe të skuadrës së atletikës, e mbylli Olimpiadën në Brazil me 56 medalje, nga të cilat 19 të arta. Më pas vijnë Gjermania, Japonia, Franca, Koreja e Jugut, Italia, ndërsa renditja e dhjetë vendeve të para më të mira mbyllet nga Australia. Kosova u klasifikua e 54-ta në renditjen e përgjithshme, falë Majlinda Kelmendit, që shkruajti historinë me medaljen e artë të fituar në xhudo, pozicion të cilin e ndante me Fixhin, Jordaninë, Porto Rikon, Singaporin dhe Taxhikistanin.
Ndërkohë Shqipëria është mes 119 vendeve, nga 207 pjesëmarrës, që nuk arritën të siguronin asnjë medalje. Për të ndryshuar historinë tashmë duhet pritur Olimpiada e vitit 2020 në Tokio.
Çdo olimpiadë ka fenomenët e saj, ata që spikasin me rekorde të jashtëzakonshme dhe arritje që do të mbeten përgjithmonë në histori. Nëse flitet për fenomenët e Rio 2016, njëri prej tyre është Usain Bolt. Me tri medalje të tjera të arta, u bënë 9, si Pavo Numi, atlet mitik i viteve ‘20, një shekull më parë, apo si Carl Lewis që duhet kujtuar se nuk e do fort Bolt dhe e shikon një çikë si nga lart për shkak të katër medaljeve të arta në trehapësh që e bëjnë vërtet unik në histori. Por xhamajkani është padyshim ikona e Olimpiadës së 31-të. Bashkë me Michael Helps, çfarë arritje edhe për të, 5 medalje të tjera të arta për “peshkaqenin” në pjesëmarrjen e tij të pestë në Lojërat Olimpike. Janë 23 medalje për Phelps në total, kushedi nëse do të lindë dikush që do të jetë i zoti për t’ju afruar, por diçka e tillë duket e pamundur.

Exit mobile version