Media belge, “La Libre”: Banda Habilaj-Tahiri qarkulluan 300 milionë euro nga droga

Çështja “Habilaj” ku akuzohet se është i përfshirë dhe ish-ministri Saimir Tahiri ka marrë një vëmendje të veçantë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mediet e huaja. “La Libre” i ka kushtuar një shkrim kësaj çështjeje duke përmendur emrin e kryeministrit Edi Rama si dhe të ish-ministrit Tahiri.
Me një titull “Shqipëria e rrënuar nga trafikimi i drogës”, media belge ka raportuar se kjo është një çështje, e cila i ka bërë perëndimorët të ngrenë zërin ndaj këtij fenomeni, i cili nuk po merr dot zgjidhje.
“Shqipëria me kryeministër Edi Ramën ka qenë përherë një ‘student i mirë evropian’ në Ballkan, por pavarësisht kësaj që nga viti 2014 prodhimi i drogës dhe trafikimi i lëndëve narkotike ka shpërthyer gjerësisht duke i bërë perëndimorët që të ngrenë zërin.
Të hënën e 16 tetorit në mëngjes, policia e Catanias, filloi një operacion kundër një bande shqiptare, e cila kontrollonte një trafik të gjerë të armëve dhe të drogës, i cili në katër vitet e fundit ka qarkulluar 300 milionë euro. Policia ka arrestuar 7 persona, përfshirë këtu dhe drejtuesin e bandës, Moisi Habilaj, i cili është kushëriri i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë nga 2013 deri në mars të 2017, Saimir Tahiri. Sipas përgjimeve nga policia e Italisë, të dy këta persona kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm. ‘Policia në Shqipëri është e korruptuar, dhe nëse ju vini në Shqipëri, shpesh shefi i policisë ndihmon në ngarkimin e mallrave’, shpjegon Moisi Habilaj në një bisedë telefonike me një siçilian. Në një tjetër ai shprehet se do të sjellë 30.000 euro për Saimirin. Që atëherë, laku është duke u shtrënguar çdo ditë e më shumë rreth qeverisë shqiptare, të dyshuar, në rastin më të mirë, për mbylljen e syve rreth trafikut, në rastin më të keq, për ta kontrolluar atë.”, shkruan “La Libre”.

Exit mobile version