Media britanike: Në Shqipëri varfëri ekstreme, të gjithë duan të ikin

Një reportazh i gazetës britanike “Express.co.uk” ka treguar anën më të errët të Shqipërisë, duke treguar arsyet pse shqiptarët duan të ikin të gjithë, ku 26 mijë janë vetëm në Britaninë e Madhe. Shqipëria pritet t’i bashkohet Bashkimit Evropian pas negociatave prej vitesh. Por mesa duket varfëria ka sunduar mbi komunitet. Në zonën e lumit të Lanës, që përshkon kryeqytetin, jetojnë 300 familje të komunitetit rom nëpër kasolle.
Disa familje të tjera paguhen minimalisht, shumë e cila mund të jetë më pak se 6 mijë lekë në muaj. Fëmijët e tyre janë të detyruar të lypin para në disa zona, ndërsa disa të tjerë janë të punësuar nëpër miniera. Hajdar Toluli ka tre fëmijë për të ushqyer dhe nuk mund të gjejë një punë. Ai tha: “Zona përreth lumit është zona më e keqe e Shqipërisë. Aty ndodhen rreth 300 familje rome. Shtëpitë u përmbytëm këtë vit dhe qeveria nuk bëri asgjë për familjet. Qeveria duhet të na sigurojë punë të gjithëve. Ne thjesht duam të punojmë dhe vetëm kaq. Me këtë qeveri ne kurrë nuk do të jemi në gjendje të bëjmë një jetë të mirë”.
Arta, 33 vjeç, e cila zgjodhi të largohej nga Shqipëria dhe të jetonte në Itali e përshkroi jetesën në vendin e saj të lindjes si “katastrofë”. Megjithatë, ministrat e Bashkimit Evropian duket se do të lejojnë që Shqipëria t’i bashkohet unionit. Shqipëria njihet si kandidate zyrtare e Bashkimit Evropian që në vitin 2014 dhe mund të bëhet pjesë e unionit më 2020.
Ndërkohë, sekretarja e Parlamentit anglez, Theresa May, ka paralajmëruar për moslënien e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë t’i bashkohen BE-së, duke thënë se: “Ata janë vende me popullsi të varfër dhe probleme serioze, me krim të organizuar, korrupsion dhe ndonjëherë edhe terrorizëm”.
Por, për shumë shqiptarë lufta më e madhe është mbijetesa. Ka pakënaqësi të madhe në mesin e njerëzve që besojnë se asgjë nuk është bërë për t’i ndihmuar. Kafenetë, ku pijet janë të lira mbushen me 20-30-vjeçarë, të cilët pjesën më të madhe të ditës e kalojnë në shtëpi, para se meshkujt kryesisht, të nisen për punë në Evropë. Që prej hapjes së vizave Shengen, qindra të rinj largohen për tre muaj nga vendi i tyre, duke punuar. Duke qenë pa vizë, ata punojnë në vende të rrezikshme, duke thënë se s’kanë mundësi tjetër.
Altin Goga, 36 vjeç, i cili ka një dyqan ushqimor, thotë se jetesa është bërë shumë e vështirë dhe se njerëzit nuk kanë mundësi të blejnë asgjë, përveç bukë, sheqer dhe kafe. Shumë pak janë ata që blejnë fruta.
Shqiptarët e shohin anëtarësimin në BE si një mundësi përmirësimi për jetesën. Hyseni, 54 vjeç, tha: “Bashkimi Evropian do të jetë zhvillim për Shqipërinë dhe do të sjellë para”. Ndërkohë, varfëria e tejskajshme nuk rezulton i vetmi problem, pasi punonjësit kanë filluar të thyejnë rregullat dhe të abuzojnë me vendin e punës. Muajin e kaluar mediat shqiptare transmetuan abuzimin e fëmijëve të vegjël të jetimores. Fëmijët e fshatit SOS në Tiranë po mbahen në përkujdesje pa marrë asnjë para nga qeveria. Drejtoresha për Bamirësi, Teuta Shkenza tha se shumë prindër luftojnë për t’u siguruar bukë fëmijëve të tyre.
“Ekonomia është në këtë gjendje sepse vetë njerëzit jetojnë në kushte ekstreme. Disa prindër të tjerë thjesht nuk kanë mundësi të kujdesen për fëmijët. Shteti nuk do t’ja dijë për të papunët dhe nuk duan t’ja dinë se ata nuk mund të gjejnë një punë”, tha ajo.

Exit mobile version